Donald Trump u shpreh i gatshëm të intervistohet nga prokurori i posacëm Robert Muller që po heton ndërhyrjen e supozuar ruse në presidencialet e 2016-tës.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë thote se do t’i përgjigjet nën betim pyetjeve të cilat nuk do të lidhen vetëm me ruset, por edhe me mundësinë që republikani të ketë penguar drejtësinë përmes shkarkimit të drejtorit të FBI-së, James Comey. “E pres me kënaqësi intervistën”, ishte përgjigja e Trumpit kur u pyet nga gazetarët se cili është reagimi i tij ndaj idesë së një përballjeje me Muellerin.
Përsa i përket kohës se kur mund të ndodhë kjo, ai sqaroi se mund të jetë brenda dy apo tre javëve të ardhshme. Presidenti theksoi, ashtu siç ka pohuar më parë, se “nuk ka patur asnjë bashkëpunim” me rusët dhe absolutisht “asnjë pengim të drejtësisë”.
Pistat e plota të hetimeve të prokurorit të posaçëm, që përfshijnë qindra mijëra dokumente dhe dhjetra intervista me dëshmitarë, nuk janë të njohura për publikun. Por tani që ekipi i tij pothuajse i ka përfunduar intervistat me zyrtarë aktuale dhe ish zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, ka shprehur interes për të folur edhe me vetë shefin e administratës amerikane.
Nga kjo rezulton se fokusi i hetimeve duket të jenë zhvillimet në Shtëpinë e Bardhe pas betimit të presidentit, duke përfshirë këtu largimin e Comeyt dhe diskutimet që paraprinë shkarkimin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn.
Koha dhe logjistika e intervistës me presidentin nuk janë vendosur ende. Por kur ajo të zhvillohet, Trumpit do t’i duhet të shpjegojë se në ç`mënyrë veprimet e tij nuk përbëjnë pengim të drejtësisë.
a.ç