Ndalimi i kryetarit të Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu pas bllokimit të hyrjeve të bashkisë Tiranë në shenjë proteste nga mbështetës të kësaj partie ka sjellë edhe reagimin e Partisë Demokratike.
Edhe pse, PD në të shkuarën ka sulmuar Aleancën Kuq e Zi dhe kreun e saj, këtë herë selia blu duket se ka shkrirë akujt dhe ka marrë në mbrojtje drejtuesin e AK.
Ish-minsitri i brendshëm i PD Flamur Noka, tha në një deklaratë për mediat se veprimi i sotëm ëhstë tregues i rrëzimit të shtetit ligjor.
“Sot shteti ligjor ka rënë. Dita e shtetit ligjor nuk ekziston më. Të arrestosh për protestë do të thotë se po kthen kohën e diktaturës. Arrestohet kreu i një partie në zyrë si të ishte kriminel, ndërkohë që trafikantë vrasës hanë e pinë me qeveritarët. Nuk besoj që të jetë arrestuar qoftë edhe një kriminel në tre vite. Kjo është çmenduri, nuk mund të ndodhë në një shtet demokratik”, tha Noka.