Një incident i rëndë sigurie ka tronditur së fundmi skajin jugor të ishullit të Qipros, duke vënë në gatishmëri të lartë forcat e NATO-s në rajon. Një dron goditi bazën ajrore britanike, duke rikthyer vëmendjen te pozicioni delikat gjeopolitik i ishullit në mes të konflikteve të Lindjes së Mesme.
Për të kuptuar gjendjen reale në terren, Mastershefi i njohur shqiptar, Ravajol Hasani, i vlerësuar me çmime ndërkombëtare si “Kapela e Artë” dhe i renditur ndër 150 shefat më të mirë në botë, ndau dëshminë e tij nga Nikosia në një intervistë për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana.
Hasani, i cili ka gatuar për personazhe botërorë si Rihanna dhe Justin Trudeau, përshkroi momentet e panikut kur sistemet mbrojtëse u aktivizuan në mesnatë. “Ishte ora 12:03 pas mesnate. Nisi alarmi në ishull. U aktivizuan të gjitha rregullat dhe sistemet mbrojtëse. Qytetarët u frikësuan sepse nuk kuptonin përse ndodhi ajo që ndodhi”, u shpreh ai.
Sipas tij, droni u asgjësua pa shkaktuar viktima, por incidenti konfirmoi rëndësinë e bazave të huaja në ishull. “Para disa ditësh, Qiproja u godit nga një dron, i cili u asgjësua nga siguria në territorin e Qipros. Ranë vetëm disa copa hekuri nga droni por për fat nuk solli lëndime apo dëme. Ishte goditur baza britanike, që është rreth dy orë larg kryeqytetit. Qipro është bazë strategjike e Mbretërisë së Bashkuar që nga viti 1960, por edhe e SHBA-së, të cilat furnizojnë anijet dhe avionët ushtarakë në këtë ishull”.
Hasani tregon se distanca e shkurtër me zonat e konfliktit e bën luftën të dukshme me sy të lirë. “Izraelin e kemi 30 minuta larg, po aq dhe Libanin. Nga këtej shohim sulmet që bën një shtet me një tjetër. I dallojmë dhe i shikojmë raketat sepse jemi shumë afër. I kam parë personalisht”.
Pavarësisht kësaj afërsie, ai thekson se prania e partnerëve strategjikë i jep një ndjesi sigurie. “Nuk u shqetësova sepse Qiproja mbrohet nga partnerët strategjikë… E dija që nuk do ndodhte ndonjë gjë e rrezikshme. Megjithatë shqetësimi ndaj rrezikut nuk ka mbaruar sepse nuk dihet se çfarë do ndodhë në orët apo ditët që do të vijnë. E kemi shqetësimin deri sa të mbarojë kjo situate”.
Pasojat e këtij tensioni po ndihen menjëherë në xhepat e qytetarëve dhe në industrinë kryesore të vendit: turizmin. “Janë anuluar shumë fluturime dhe kjo do të sjellë probleme në turizëm. Deri në 80 për qind të rezervimeve në hotele janë anuluar. Resorte me 5 yje që dikur lulëzonin, tani operojnë me vetëm 20 për qind të kapacitetit. Karburanti ka pësuar rritje, duke shkuar nga 0.98 cent në 1.20 euro për litër”.
Përveç pasigurisë ekonomike dhe rrezikut, një sfidë më vete mbetet menaxhimi i ankthit për të afërmit që e ndjekin situatën nga larg. Mastershefi Hasani tregon se distanca dhe mënyra se si ngjarjet pasqyrohen në media shpesh e zmadhojnë frikën te njerëzit e tij të dashur.
“Mediat e transmetojnë shumë ndryshe situatën. Sigurisht që familja shqetësohet, por mundohem t’i qetësoj që nuk ka rrezik,” rrëfen ai.
Hasani apelon për kujdes ndaj informacioneve që qarkullojnë në rrjet, duke cituar edhe udhëzimet e qeverisë vendase. “Qeveria pas alarmit informoi që të mos u japim rëndësi asaj që shkruhet në internet sepse e ndryshojnë shumë realitetin, sidomos me lajmet ‘fake’”.
Ndërsa sipas Hasanit rutina vazhdon, një pyetje mbetet pezull mbi ishull. “Situata për momentin është e qetë. Rutina e përditshme vazhdon por përsëri qytetarët kanë një pikëpyetje: Çfarë do të bëhet me luftën dhe a do të jenë 100 për qind të sigurt dhe të qetë?”.











