Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u shpreh sot se ekzistonte “një rrezik për një rifillim të luftimeve intensive” në lindje të Ukrainës ku armëpushimi shkelet rregullisht.
“Konflikti në Ukrainë ka shkaktuar deri tani vdekjen e më tepër se 6 000 personave. Shkeljet e armëpushimit vazhdojnë dhe ekziston ende rreziku i një rifillimi të luftimeve intensive”, deklaroi Stoltenberg në fillim të një takimi të 28 ministrave të Mbrojtjes të NATO-s me homologun ukrainas, Stepan Poltorak, në Bruksel.
“Rusia vazhdon t’i mbështesë separatistët duke i stërvitur dhe duke i furnizuar me armë dhe ushtarë. Ajo ka vendosur një numër të madh forcash në kufirin me Ukrainën”, shtoi Stoltenberg.