Nga Mero Baze
Ka pak njerëz, sidomos në media, të cilët vazhdojnë t’i bëjnë vend vetes si njerëz të lexuar. Namirin e kam njohur si një gazetar të ri që donte të lexonte. Dhe kjo ka qenë nga ato pak gjëra që më jepnin shpresë se gazetaria nuk do të vdiste dhe nuk do të dorëzohej në dorë të injorantëve.
Kur e kam takuar në vitin 2013, pak muaj pasi PD kishte humbur zgjedhjet dhe ai ishte i dëshpëruar si një qytetar i angazhuar me PD, ai kishte një sërë pyetjesh për çdo gjë që kisha shkruar rreth PD në libra apo editoriale. Ishte si një seancë gjyqësore, ku një djali të ri ende të panjohur duhet t’i mbushja mendjen për ato që pyeste.
U ndava me një ndjesi të mirë prej tij dhe që atëherë e ftova të ishte kontribues në gazetën Tema.
Shumë nga njerëzit e PD që bashkëpunojnë me gazetën, gjënë e parë që bëjnë është se nuk duan t’u dalë emri në gazetë, apo të identifikohen si “miqësorë” me të. E kanë kusht për të bërë karrierë në PD apo për t’i pëlqyer kryetarit. Ky ishte i vetmi që më tha se donte të shkruante tek Tema, por që donte të sigurohej nëse ishte problem, pasi mund të kishte edhe shkrime kundër politikës redaksionale.
-Nëse vë emrin, vetëm na bën nder, i thashë.
Dhe prej atëherë ai u bë një emër i dashur për lexuesit tanë. Diferenca e tij me ata që merreshin me politikë ishte se ai përballej me emrin e tij për çdo pikëpamje, ndërsa diferenca me kolegët gazetarë ishte se ai lexonte.
Ishte kjo arsyeja që nuk më la të mendoja asnjë çast një vit më parë, kur më tha se po kërkonte një punë fikse, ta ofroja si redaktor politik të gazetës. Dhe nuk kam pasur deri më sot një redaktor politik më të mirë se ai, në paqe me të gjithë, madje edhe me socialistët që nuk i donte.
Një ditë, me humor, më tha se nuk i kishte shkuar kurrë mendja që të redaktonte shkrime të këtyre socialistëve dhe herë pas here të gjente ndonjë gjë logjike.
-Je i sigurt që je me PD? – e pyeta.
-Po -tha me shumë sinqeritet. -Kam që 16 vjeç që ndjek PD-në.
Pastaj më tregoi një foto nga fushata e vitit 2000 në Berat, kur ishte ende nxënës.
-Epo s’do ta kesh të gjatë- i thashë – po u përpoqe të gjesh gjëra logjike tek këta që merren me politikë. Nuk e shikon veten ku ke përfunduar në gazetë, vetëm se ke kërkuar logjikë në ato që thuhen?
Qeshi me të madhe.
Por Namiri, përveçse një djalë i lexuar, ishte edhe një njeri që e rrezatonte kulturën e tij: për historinë, për letërsinë, për politikën dhe mbi të gjitha për Beratin. Ai ishte një adresë për këdo që donte të mësonte diçka më tepër për Beratin sesa nga një guidë turistike. Ishte një njohës i mirë i Vexhi Buharasë, i historisë së shkrimtarëve dhe poetëve të qytetit, i familjeve të mëdha dhe një guidë e mrekullueshme e shtigjeve malore.
Sot, pas lajmit për ikjen e tij, dhjetëra njerëz më kanë telefonuar për të më thënë se e lexonin me endje, sepse dukej djalë i kulturuar. Dhe kjo më shuajti edhe një herë dilemën se përpjekja për të bërë një gazetari që nuk vjen nga kultura dhe letërsia është humbje kohe. Njerëzit duan të mësojnë diçka kur lexojnë, dhe nëse nuk ke çfarë u thua, nuk u hyn në punë asnjë rresht lajmi.
Planet për të vizituar Peshtanin së bashku dhe për të bërë dy shtigje të vështira malore u ndërprenë sot në mëngjes, kur ai nuk arriti të zgjohej më. Këshillat e tij që unë duhet të bëja ecje në mal çdo fundjavë, të mos pija alkool e duhan dhe të ushqehesha shëndetshëm si ai, rezultuan të padobishme për të. Ato do të më shërbejnë tani vetëm për ta kujtuar Namirin që iku i ri, sepse nuk donte të kishte veset dhe boshllëqet e gjeneratës së tij dhe times, të cilët mund të jetojnë më gjatë fizikisht, por shumë shkurt në kujtesën e qytetit si njerëz të letrave.











