SPECIALE JAVANEWS/ Efektet e uljes së çmimit të naftës kanë dhënë ndikimet e veta edhe në Shqipëri. Kjo jo vetëm sa u përket të ardhurave në buxhetin e shtetit, por edhe në fushën e punësimit. Lajmet për uljen e çmimit të naftës në tregjet botërore, natyrisht është mirëpritur nga konsumatorët shqiptarë, të cilët sot e blejnë më lirë naftën në pikat e shitjes me pakicë, ndonëse çmimet në tregun shqiptarë ende nuk reflektojnë uljen e ndjeshme të çmimit. Por nafta ka dhe anën tjetër të medaljes. Çmimet e ulura po janë ndikimet e drejtëpërdrejta në fitimin e kompanive gjë që ka sjellë si pasojë edhe mbylljen e vendeve të punës. Lajmi më i fundit është se afro 500 punonjës së rafinerisë së naftës në Ballsh kanë humbur vendet e punës, ndërsa dhjetëra të tjerë pritet të hidhen në rrugë nga kompanitë që nxjerrin naftën. Çmimet e ulëta e bëjnë të pamundur për shumë prodhues nafte që të kenë fitim. Kompanitë e naftës në Shqipëri ende nuk po arrinë të gjejnë një mesatare përballë uljes së çmimit të naftës. Nga njëra anë është fakti se nëse ato mbajnë çmimetë larta konsumatorët nuk i blejnë dot, nga ana tjetër nëse vijon ulja e çmimeve ata nuk shesin dot.
Situata në Shqipëri
Tashmë është realitet se nafta ka prekur nivelin më të ulët të çmimeve të viteve të fundit në bursat ndërkombëtare. Aktualisht një fuçi tregtohet me 29.42 dollarë dhe me 31.01 dollarë një fuçi e naftës brent. Këto janë çmimet më të ulëta të dekadës së fundit. Në të gjithë botën kjo rënie e çmimit në bursë ka sjellë ulje të çmimit të karburanteve me pakicë. Ndërsa në Shqipëri ulja është më e ngadaltë, çka e rendit vendin tonë në radhët e vendeve me çmimet më të larta të naftës e benzinës në botë. Në përllogaritjen e fundit të bërë më 11 janar, “Global Petrol Price” e rendit në vendin e 14 Shqipërinë. Më 5 janar vendi ynë ishte në vendin e 19. Sipas Global Petrol Price Shqipëria ka çmime të ngjashme të karburantit me vendet më të zhvilluara në botë, si Zvicra, Danimarka e Suedia, vende që kanë të ardhura për frymë disa herë më të larta. Aktualisht një litër naftë shitet me 157 lekë për liter, ndërsa benzina me rreth 158 lekë për litër. Në Maqedoni një litër naftë tregtohet me afërsisht 95 lekë, në Mal të Zi me më pak se 120 lekë për litër, në Kosovë më pak se 140 lekë për litër. Por cilët janë shkaqet që në Shqipëri nafta kushton më shtrenjtë se në rajon?, Për më tepër kur konsumatorët ankohen edhe për cilësinë. Sipas importuesve të mëdhenj të naftës, shkak është barra e lartë e taksave; akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH. Këto taksa përbëjnë afro 70% të çmimit të naftës. Pra në një litër naftë që tregtohet me 157 lekë, afro 105 lekë janë taksa që i merr shteti. Pjesa tjetër prej 48 lekësh janë kostoja e blerjes, transporti, paga e shpenzime të tjera të tregtarëve. Ulja e çmimit të naftës bruto patjetër që ka efektet edhe në tregun me pakicë. Rënie ka, por nuk është ajo që pritet. Ekspertët arësyetojnë se rënia e kostos së nënproduktit nuk është në proporcion të drejtë me rënien e kostos së produktit bazë. “Ka procese që kanë mbivlera dhe mbi të gjitha janë ngarkesat fiskale të vendeve ato që e bëjnë diferencën në çmimet me pakicë të karburanteve”, vlerësojnë ekspertët.
Çfarë është duke ndodhur?
Deri në vitin 2000 kompanitë shisnin me fitim edhe me një çmim 20 USD/barrela. Por nga ana tjetër çmimi përcaktohet nga kosto. Specialistët thonë se me rritjen e kostove të shfrytëzimit, duhet të rritet dhe çmimi i naftës në treg. Në një raport të “Goldman Sachs” thuhet se projektet më të fundit të naftës kanë nevojë për një çmim prej 120 $/barrela që të jenë fitimprurëse. Pra me çmimin aktual nafta shitet sot me humbje. Thuajse gjysma e prodhimit botëror të naftës shitet me humbje. E jashtë këtyre ndikimeve nuk është as industria shqiptare e naftës. Në Shqipëri, nëse do të rritet më shumë prodhimi i naftës, sot është 1.4 milion ton në vit, deri në 2 milion ton, atëherë do të krijohej ekonomia e mjaftueshme për të zgjeruar kapacitetet e rafinimit. Por këto projeksione të qeverisë duket se nuk i përgjigjen realitetit, pasi çdo ditë nga rafineritë e naftës në vend po bëhen shkurtime të vendeve të punës.
Rënia e të ardhurave në buxhetin e shtetit
Me uljen e çmimit të naftës, që tani buxheti i shtetit për vitin 2016 ka marrë goditje të rëndë. Të ardhurat e parashikuara në buxhet qartazi nuk do të realizohen. Këtë fakt u detyrua ta pranojë edhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani, pak ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë. Sipas tij, që tani në buxhet mungojnë 3 miliardë lekë për shkak të uljes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Ministri i Financave madje tha se së gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2016 nuk u mor parasysh risku i uljes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. Cani nënvizoi se, që tani në muajin e parë të vitit 2016 qeveria nuk ka realizuar plotësisht 3 miliardë lekë të parashikuara në buxhet. “3 miliardë janë minus që tani në të ardhurat në teori, se nuk e dinim si do të shkojë viti, por me këto çmime nafte, po vërtetojnë që minus 2.9 është rezultantja, në mënyrë të menjëhershme”, deklaroi Cani. Ai theksoi se nuk kishte asnjë lloj parashikimi serioz për ulje të çmimit të naftës dhe për këtë arsye nuk është parashikuar ky komponent gjatë planifikimit të të ardhurave për këtë vit. “Ne këtu ishim të gjithë bashkë, të gjithë institucionet i kemi pyetur. Kemi marrë për bazë çmimet e naftës, duke kujtuar se nuk do kishte më ulje të çmimit të naftës dhe kjo ishte pika fundore e çmimit të naftës, dhe me të miratuar buxhetin e vitit 2016, filloi rënia e çmimit të naftës dhe nga 25 lekë që ne llogarisnim, të mermin në buxhet me çmimet që ishim në atë kohë, do të marrim 20 lekë. Që tani ka goditje me buxhetin 2016 por në atë kohë nuk gjetëm asnjë parashikim ndërkombëtar me emër në botë, bindës që çmimet e naftës e të gazit do të bien në këto nivele që kanë rënë dhe që mendohet se do të qëndrojnë deri në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti”, tha Cani.
Nafta vendase dhe ajo e importit
Ndryshimet, jo vetëm fiskale në fushën e prodhimit vendas të naftës, kanë ndikuar edhe në tregun e tregtimit me pakicë të karburanteve. Tashmë importuesit do të duhet të marrin në konsideratë peshën që do të zerë në treg prodhimi vendas, ndërsa prodhuesit do të duhet të mendojnë për investime miliarda lekësh që duhen për të siguruar jo vetëm prodhim në rritje, por edhe cilësi të krahasueshme me standardit europian. Ajo çka është bërë prej vitesh në Fier e Ballsh do të duhen vite të zhbëhet. Nafta e vendit është mjaft e vështirë të vijë në standardet europiane, ndërsa risku i marrë përsipër në rafineritë ekzistuese është jo pak i guximshëm.