Nga Mero Baze
Viola Von Cramon, eurodeputetja që njihet si një nga mbështetëset e mëdha të Kosovës u filmua duke u përballur me policinë e Kosovës që ka rrethuar godinat e komunave në Veri të Kosovës duke I pyetur “Çfarë dreqin bëni këtu”?
Skena e saj duke folur me policin shqiptar të Kosovës ka ngjallur debate të mëdha në Kosovë dhe siç mund te kuptohet ka mobilizuar trushpëlarët e Albin Kurtit ta anatemonojnë atë si antishqiptare.
Në të vërtet pyetja e sinqertë e eurodeputetes Von Cramon, duhet të jetë pyetja që çdo politikan I përgjegjshëm I Kosovës duhet ti bëj sot vetes para se të flas dhe të marrë qëndrim për atë që ndodh në veri.
Dhe këtu e kam fjalën për politikanët e opozitës në Kosovë, ata që të kompleksuar nga “patriotizmi” i Albin Kurtit nuk kanë asnjë qëndrim serioz që të ngjall besim në Perëndim se Kosova nuk është në duar të aventurierëve por ka njerëz që dinë ti dalin zot asaj si shtet demokratik properëndimor, arsye për të cilën është krijuar nga Perëndimi.
Disa gjëra duhen thënë hapur dhe pa asnjë kompleks .
E para që duhet thënë është se kryetarët shqiptarë të Komunave në Veri, nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit në Veri të Kosovës që është shumicë serbe dhe janë të zgjedhur nga një pakicë që përbën 3 për qind të listës së votuesve.
Thjeshtë janë kukullat e Albin Kurtit që po përdoren për të destabilizuar Kosovën.
Ata mund të shërbejnë si persona teknikë deri në bërjen e zgjedhjeve të reja sa më shpejt të jetë e mundur, por kjo bëhet në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe palën serbe, duke I qetësuar ata se shqiptarët nuk po shkojnë aty si pushtues, por si mbartës të një procesi teknik të krijuar nga anomalitë politike.
Opozita duhet ta artikulojë qartë këtë qëndrim, ndryshe është bashkëfajtore në atë që ndodh në Veri.
Së dyti duhet kuptuar qart se Kosova mund të mbijetoj vetëm si shtet demokratik dhe jo si shtet represiv sidomos në raport me pakicat. Demokracia është embrioni i shtetit të ri të Kosovës dhe jo nacionalkomunizmi i Albin Kurtit.
Në Mars të vitit 1989, Kur Serbia po I hiqte dhe atë pak autonomi që i kishte mbetur Kosovës, Ibrahim Rugova në atë kohë shkrimtar I paangazhuar në poltikë, i tha shtypit perëndimor se këta që po vendosin, nuk e përfaqësojnë Kosovën dhe ne nuk do ti konsiderojmë. Ne do ta zgjidhim problemin tonë përmes demokracisë dhe përfaqësimit politik të shqiptarëve në demokraci.
Duket si një fjali e thjeshtë e thënë në fund të komunizmit jugosllav, por në fakt orientimi I Kosovës drejt demokracisë dhe përfaqësimi politik I shqiptarëve përmes LDK u njoh nga Perëndimi për dhjet vite resht edhe pse nuk u njoh shteti I Kosovës deri sa ja dolën në vitin 1999.
Albin Kurti dhe asnjë politikan në Kosovë nuk mund tua emëroj serbëve përfaqësuesit në pushtetin vendor. Ata mund të caktojnë persona teknik, mund të bëjnë marrëveshje politike për të tejkaluar krizat e besimit, por nuk mund të ruaj kryetarët nga populli, me policë.
Policia nuk është për të ruajtur kukullat e Albin Kurtit por rendin dhe qetësinë në Kosovë. Veriu kërkon zgjidhje politike një orë e më parë dhe jo zgjidhje policore. Dhe zgjidhja politike vjen nga krijimi I një klime besimi mes dy palëve për të shkuar drejt marrëveshjes finale dhe jo duke shkuar drejt luftës finale. Kosova ose e fiton këtë beteje si shtet demokratik, ose humbet dhe shtetin e saj.
Së fundmi duhet të jetë e qartë se SHBA dhe Bashkimi Evropian janë themeluesit e shtetit të Kosovës, mbrojtësit e saj dhe mbi të gjitha të vetmit që po luftojnë për mbijetesën e Kosovës në këto ditë të vështira. Ata nuk duhen lënë vetëm.
Krekosjet e Albin Kurtit dhe çetave trushpëlara të tij, nuk I hyjnë në punë njeriu. Ato janë më zi se çetat pa tru të Milosheviqit me ndryshimin se janë trima vetëm me fjalë, pasi ata të Milosheviqit edhe të vrisnin.
Opozita në Kosovë duhet të dëshmoj se Kosova është një projekt serioz shtetëror, dhe se do të jetë një shtet demokratik, bazuar në standardet e perëndimit. Duket se liderët e opozitës janë të kompleksuar dhe pse jo të frustruar politikisht nga ideja se Kurti mund të bëhet njeri popullor si zjarrvënës. Është një iluzion nga I cili duhet të çlirohen.
Albin Kurti më shumë se Kosovën do karrigen e tij dhe ka për ti turpëruar këta liderët e opozitës kur pas këtij inskenimi lufte në veri, të ulet e tu jap serbëve me shumë se sa kërkojnë, vetëm të siguroj karrigen e vet. Ai është një aventurier që krijoi një teatër lufte, vetëm e vetëm që të jetë ai I vetmi me të cilin të bisedohet. Ai thjesht do të justifikoj pazarin që do bëj me serbët në fund, pasi po ja bën deri në fund nderin Aleksandër Vuçiq, të cilit po i gjendet pranë në ditë të vështira si president i akuzuar për një sër skandalesh.
Ndërkohë deri atëherë ai mund ta dëmtoj Kosovën në mënyrë të pakthyeshme, mund të thyej besimin e perëndimit tek ajo, mund të anuloj liberalizmin e vizave, dhe hapa të tjerë prapa. Për të kompensuar këto do ti duhet pastaj të lëshojë jo vetëm godinat në Veri të Kosovës por dhe selinë në mes të Prishtinës.
Ndaj tij duhet qëndruar sot si opozitë properëndimore çka është në të vërtet identiteti shtetëror I Kosovës.
Nacional-komunizmi i Albin Kurtit ka vdekur bashkë me Milosheviqin e Serbisë. Milosheviqi ynë nuk e ngjall dot më.