Myslimanët e Italisë janë mbledhur këtë të shtunë në Romë, për të protestuar në emër të komunitetit islamik kundër terrorizmit. Manifestimi, i cili ka nisur në sheshin Santi Apostoli, ka nisur me një minutë heshtje në nder të viktimave të Parisit. “Jo në emrin tim”, ka qenë parulla kryesore e tubimit të komunitetit mysliman, e pasuar nga të tjera të tipit “Jo terrorizmit”, “Jo ISIS”, etj, raporton Tch. “Mos kini frikë nga ne”, ka qenë ndërkohë thirrja e një protestuesi teksa marshonte në rrugët e kryeqytetit italian.
“ISIS është një kancer që ka depërtuar në trupin islamik. Ajo që bëri në Francë është një sulm kundër gjithë komunitetit tonë”, ka thënë një tjetër.
Më herët, kryetari i Senatit italian, Piero Grasso përshëndeti mbajtjen e manifestimit përmes një postimi në rrjetin social Facebook.