• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, January 1, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Muxhahedini iranian rrëfen jetën në Tiranë

by Aalison Pearse Stevens
19/02/2016 09:12
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Ali Zangeobadi nuk dinte asgjë rreth Shqipërisë, por u ndje i çliruar kur zbriti në Tiranë janarin e vitit 2014- ai është një prej qindra disidentëve iranianë që qeveria shqiptare ka pranuar t’i strehojë në tokën e saj dhe t’u japë statusin e azilantit politik. Para se të mbërrinte në Shqipëri, Zangeobadi kishte vuajtur një burgim 7-vjeçar në Irak dhe kishte jetuar për 13 vjet të tjera në kampin Ashraf në provincën Dijala të Irakut.

45-vjeçari me profesion inxhinier do të kishte preferuar një vend më të begatë si shtëpinë e tij të re, por anëtari i lëvizjes Mujahedeen-e-Khalq nuk kishte një mundësi të dytë zgjedhjeje.

“Për qeverinë e Iranit unë jam një armik. Erdha si refugjat, bashkë me 20 persona të tjerë,” i tha ai BIRN.

Më të mbërritur në Tiranë, Aliu është dërguar në qendrën e azilkërkuesve të ndërtuar në zonën periferike të Babrrusë. Sot ai jeton si qytetar i lirë në një apartament të vogël në zonën e Mëzezit, ndjek kurse të gjuhës shqipe dhe prej 6 muajsh ka filluar punë si mekanik në një fabrikë mielli.

Udhëtimi në Shqipëri i Ali Zangeobadi u përcaktua nga një marrëveshje e fshehtë që qeveria shqiptare e drejtuar nga Sali Berisha firmosi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2013 për strehimin e rreth 230 muxhahedinëve që mbaheshin në kampet amerikane të ngritura në Irak.

Me ngjitjen në pushtet të kryeministrit Edi Rama, kjo marrëveshje u zgjerua dhe një numër shumëfish më i lartë muxhahedinësh mbërritën në Shqipëri larg vëmendjes së opinionit publik. Por vizita në Tiranë e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry i riktheu sytë nga anëtarët e grupit disident Mujahedeen-e-Khalq të cilët jetonin në hije,  ndërsa detaje të reja rrodhën mbi një dakordësi mundshme të Tiranës zyrtare për të pranuar një numër prej 2 mijë muxhahedinësh të tjerë.

Duke e cilësuar këtë një çështje të sigurisë, qeveria shqiptare nuk ka zbardhur termat e marrëveshjet dhe numrin e saktë të muxhahedinëve që pritet të strehohen në Tiranë. Por korrespondentja e Zërit të Amerikës, Pam Dockings, e cila ishte në avionin që solli sekretarin Kerry në Tiranë njoftoi se Shqipëria ka pranuar të strehojë edhe 2 mijë disidentë të tjerë iranianë.

I kontaktuar nga BIRN, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ardi Bita tha se nuk është i autorizuar të deklarojë numrin e saktë të muxhahedinëve që kanë ardhur apo pritet të mbërrijnë në Shqipëri. Ai sqaroi se pranimi i tyre u nënshtrohet konventave ndërkombëtare për azilkërkuesit. Sipas tij, ata strehohen fillimisht në Babrru ku kryhen procedurat ligjore dhe pajisen me dokumentacion dhe leje qëndrimi.

“Me të fituar statusin e refugjatit, ata janë të lirë të jetojnë normalisht në vendin tonë,” tha Bita.

Të lodhur nga kampet

Organizata Popullore e Muxhahedinëve të Iranit është një grup kontrovers i rezistencës, i themeluar që prej vitit 1965 kundër regjimit në vendin e tyre. Për shumë vite, ky grupim është listuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai u hoq nga kjo listë në vitin 2012, pasi organizata hoqi dorë nga dhuna.

Jeta e anëtarëve të këtij grupimi rrezikohet nga regjimi iranian, ndërsa mijëra prej tyre u zhvendosën në Irak, ku u morën nën mbrojtjen amerikane pas ndërhyrjes së armatosur në vitin 2003. Prej asaj kohe, mbi 3 mijë anëtarë të organizatës qëndrojnë të strehuar në kampin Ashraf, ndërsa disa të tjerë u vendosën në bazën amerikane Liberty në afërsi të Bagdatit.

Shumë ekspertë e kanë krahasuar grupimin Mujahedeen-e-Khalq me një kult, i cili dallohet prej jetës në komunitet përmes një organizimi të rreptë. Një jetesë të tillë ata e kanë imituar edhe në Shqipëri.

Pjesa më e madhe e muxhahedinëve të transferuar në Tiranë jetojnë në kampe komunitare. Në Tiranë ka disa rezidenca të tilla, por më e madhja është në zonën e Kasharit, në autostradën Tiranë-Durrës.

BIRN e vizitoi këtë qendër të rrethuar dhe të mbrojtur nga një kompani private e sigurisë. Ajo menaxhohet nga një përfaqësi e këshillit kombëtar të rezistencës së Iranit, drejtues të së cilës refuzuan të flasin.

Megjithatë, disa muxhahedinë i thanë BIRN se kjo përfaqësi kujdeset për gjithçka ata kanë nevojë në Shqipëri; ushqime, veshmbathje, banesa apo mundësi për kontaktimin me të afërmit e tyre të shpërndarë nëpër botë.

Gjithsesi, ndihma e organizatës u ofrohet vetëm muxhahedinëve që pranojnë të jenë pjesë e grupimit. Dhe në Shqipëri, nuk janë të paktë ata që “janë lodhur nga jeta në kampe” dhe kanë dalë më vete.

Muhsin Murtazohvi, ndër të fundit muxhahedinë që kanë mbërritur në Tiranë preferon të ndërtojë një jetë të vetën, larg grupimit dhe kampeve. 58-vjeçari, pedagog kimie ka mbërritur në Tiranë në dhjetor 2015, së bashku me 19 persona të tjerë, pasi ka qëndruar për 24 vite mes kampit Ashraf dhe atij Liberty në Irak.

“U lodha nga politika, nga jeta në grup. Pasi mora dokumentat e  qëndrimit vendosa të jetoj më vete,”- thotë mësuesi i kimisë.

Të zhgënjyer me organizatën janë tanimë edhe ish-drejtues të saj, të cilët dëshmojnë për mosmarrëveshje brenda grupit kontrovers. Një ish-drejtues, i cili ndodhet në Tiranë i tha BIRN në kushtet e anonimatit se nuk ishte dakord me politikën e tyre ndaj kishte vendosur të largohej nga jeta në komunitet.

“Tani jetoj më vete dhe përpiqem të jem i dobishëm për njerëzit që njoh,” tregon ish-drejtuesi.

Me sytë nga Perëndimi

Për një pjesë të mirë të muxhahedinëve, Shqipëria është më shumë një trampolinë drejt Perëndimit se sa një atdhe i ri. Në këtë drejtim, ata nuk ndryshojnë shumë nga shqiptarët që të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve e projektojnë në vende të tjera.

Në zonën e Mëzezit u strehuan fillimisht 300 muxhahedinët e parë, të cilët qëndruan aty nga fundi i vitit 2013 deri në 2015. Një numër i konsiderueshëm i tyre ia kanë dalë tanimë të emigrojnë drejt vendeve më të pasura si Suedia, Holanda, Norvegjia, Franca apo Anglia.

Pranvera Muçaj, pronare e një marketi dhe mikeshë e disa muxhahedinëve tha se një pjesë e madhe e këtij kontigjenti, veçanërisht të rinjtë kanë ikur drejt vendeve të Bashkimit Europian. Ajo përmend tre persona, të cilët kanë ikur tanimë në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara.

“Pjesa më e madhe e të rinjve ikën jashtë. E di se dhe sot e kësaj dite mbajmë kontakte nëpërmjet  rrjeteve sociale,”thotë Pranvera.

Në pritje të një mundësie për të ikur nga Shqipëria është dhe Ali Zangeobadi. Për punën e tij në fabrikën e miellit në periferi të Tiranës ai paguhen 30 mijë lekë në muaj-rrogë që nuk i mundëson një jetesë të denjë.

Në këtë përpjekje, Aliu po ndihmohet nga një mik i tij që jeton në Londër dhe shpreson që së shpejti të fitojë dokumente britanike dhe të largohet nga Tirana.

“Punoj si inxhiner dhe paguhem shumë pak. Shqipëria më pëlqen, por është vend shumë i varfër,” thotë ai.

Njësoj si Aliu, edhe pedagogu Muhsin Murtazohvi po përpiqet të emigrojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është 58 vjeç dhe në Shqipëri e ka të pamundur të gjejë një punë të përshtatshme.

Muhsini i është mirënjohës Shqipërisë për bujarinë, por thotë se nuk mund të qëndrojë shumë gjatë në vendin që i hapi dyert.

“E kam të pamundur të punoj në punë krahu. Këtu nuk ka punë  dhe ky është një nga problemet kryesore që unë kam,” thotë ai.

BIRN

Next Post

Oscar vendos për ndryshimin e statujës

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

12 filmat më të mirë për t’u parë këtë janar

12 filmat më të mirë për t’u parë këtë janar

January 1, 2026
Kur Rama e bëri ministër Drejtësie liroi kravatën/ Lamallari shpjegon reagimin

Kur Rama e bëri ministër Drejtësie liroi kravatën/ Lamallari shpjegon reagimin

January 1, 2026
Përse duhet ta marrim seriozisht ngritjen e një Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e ri

Një kacafytje për karrige në kurriz të Kosovës

January 1, 2026
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Von der Leyen: Do japim akses në kapitalin financiar, Shqipëria dhe Mali i Zi do bëhen pjesë

Tragjedia në Zvicër/ Von der Leyen: BE do të ofrojë ndihmë mjekësore

January 1, 2026
VIDEO- Pukë, një banesë shkrumbohet nga zjarri, familja me 5 anëtarë mbetet e pastrehë! Shkak..

VIDEO- Pukë, një banesë shkrumbohet nga zjarri, familja me 5 anëtarë mbetet e pastrehë! Shkak..

January 1, 2026
Aksidenti tragjik që i mori jetën 3 të rinjve, reagon Bashkia Tepelenë: Ngushëllime familjarëve

Aksidenti tragjik që i mori jetën 3 të rinjve, reagon Bashkia Tepelenë: Ngushëllime familjarëve

January 1, 2026
Holandë, dhunë ndaj policisë gjatë natës së Vitit të Ri/ Dy persona humbin jetën e dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur

Holandë, dhunë ndaj policisë gjatë natës së Vitit të Ri/ Dy persona humbin jetën e dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur

January 1, 2026
Zjarri në Zvicër/ “Jemi në gjendje shoku!” Dy vajza të reja i shpëtuan tragjedisë, u larguan sapo panë flakët

Zjarri në Zvicër/ “Jemi në gjendje shoku!” Dy vajza të reja i shpëtuan tragjedisë, u larguan sapo panë flakët

January 1, 2026
Shtohen automjetet në qarkullim: Cili është qyteti shqiptar që ka më shumë makina

Nga sot fillon bonus-malus, sigurim më i shtrenjtë i mjetit për drejtuesit që kanë shkaktuar dëme

January 1, 2026
Liturgji hyjnore festive për Rrethprerjen e Zotit dhe Shën Vasilin e Madh, 70 vjet jetë dhe dëshmi e Kryepeshkopit Joan

Liturgji hyjnore festive për Rrethprerjen e Zotit dhe Shën Vasilin e Madh, 70 vjet jetë dhe dëshmi e Kryepeshkopit Joan

January 1, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com