Dhjetëra fermerë të ardhur nga Devolli kanë protestuar jashtë parlamentit, në pritje të nisjes së seancës së sotme. Fermerët kanë sjellë një makinë të ngarkuar me mollë dhe ua kanë shpërndarë ato deputetëve, ndonëse nuk janë lejuar nga policia t’i fusnin atë brenda ambienteve të jashtme të Kuvendit. Protesta e fermerëve, e përkrahur nga deputetët e opozitës, vjen për shkak të mungesës së një tregu ku ata të mund të shesin prodhimet e tyre. Deputeti demokrat Gjergj Papa u shpreh se protesta e fermerëve ia arriti qëllimit që kishte për të sensibilizuar opinionin publik. Papa tha se fermerët hasin pengesa të shumta nga mungesa e një politike favorizuese për ta dhe prodhimin vendas. Ai shtoi edhe se protesta ishte e rregullt dhe me leje, pavarësisht se policia bëri gjithçka për ta penguar.