Pas rreth 3 muaj e gjysmë pas nisjes së agresionit rus mbi Ukrainë, forcat ruse janë ndoshta duke u përballur me mungesa në pajisje.
Sipas një postimi në Telegram të aviacionit rus Fighterbomber, tregohen një sërë elementesh, si radio, elektrik dore, dylbi dhe madje edhe helmeta pilotësh apo maska oksigjeni, të cila ishin blerë me financim nga përdoruesit e aplikacionit.
Kjo llogari ndiqet nga 125 mijë persona dhe si shkak i donacioneve të tyre është kryer edhe blerja e pajisjeve.
Në një imazh, një skuadrilje pilotësh rusë mund të shihet duke pozuar përpara asaj që duket të jetë një avion luftarak Su-25 me një shumëllojshmëri pajisjesh të financuara nga përdoruesit e aplikacionit, përfshirë helmetat e pilotëve.
Një piloti i mungonin një palë çizme ushtarake dhe u detyrua të vishte një palë këpucë vrapimi, duke treguar shkallën në të cilën forcat luftarake të Rusisë janë privuar nga mjetet e duhura.
Shumë nga mesazhet në kanalin pro-luftës shfaqnin mbështetje për përpjekjet e grumbullimit të financimit dhe ofruan inkurajim për pilotët dhe ushtarakët rusë.
Por përdorues të tjerë dënuan hapur liderët ushtarakë të Rusisë që i lejuan forcat e tyre të përballeshin me të tilla mungesa.
“Nuk kam fjalë për këtë. Gjeneralët dhe zyrtarët e lartë kanë vite që menaxhojnë buxhetin ushtarak, tani njerëzit e zakonshëm duhet të mblidhen rreth ushtrisë së tyre dhe ta ndihmojnë atë me furnizime!” komentoi një nga përdoruesit e kanalit.
Të tjera raporte të ardhura më parë, sugjerojnë se ushtarët rusë janë dërguar në betejë me armatime të vjetëruara, shumë pak ushqime dhe thuajse aspak furnizime mjekësore. E tmerrshmja është që këto raportime i referohen ditëve të para të luftës, çka mund të paraqesë një panoramë edhe më të zymtë tani pas muajsh të tëra luftimesh./m.j