Ermioni Kaçifas, motra e të ndjerit Kostandino Kaçifa, ka folur për televizionin grek Ant1 për ngjarjen e rëndë që ndodhi më 28 Tetor në fshatin Bularat. Sipas saj, vdekja e vëllait ishte diçka e planifikuar paraprakisht.
“Ai ishte një objektiv, e ndiqnin për ditë e muaj. Ai nuk do të bënte asgjë. Kush dha urdhrin për të bërë këtë ekzekutim? Nuk mund të priste policia”, tha ajo. Sipas Ermionit, vëllai i saj Kostandino “nuk do t’i bënte keq askujt”, sikurse edhe u shpreh për televizionin grek, sepse nuk e kishte një armë të tillë.
Ermioni Kaçifa përmendi edhe një episod me policinë shqiptare kur shkuan për kontroll në banesën e prindërve të saj në fshatin Bularat.
Ajo thotë se policia i kërkoi nënës së saj që të fliste shqip. “Çfarë është këtu, Greqi”. Me këto fjalë, sipas Ermionit, iu drejtuan forcat e policisë nënës së saj, për të cilën thotë se nuk di shqip.
Motra e Kostandino Kaçifas foli edhe për ekspertizën e dytë që po i bëhet trupit të vëllait të saj, duke vonuar kështu ceremoninë mortore.
“Duam t’i themi lamtumirë, nuk mund të presim kaq gjatë, është e papranueshme dhe e qëllimshme kjo vonesë. Kjo pritje na vret”, është shprehur ajo, edhe pse fillimisht ka qenë familja e të ndjerit që kërkoi autopsi të dytë për djalin e tyre, nga një ekspert grek.
Motra e 35-vjeçarit theksoi gjithashtu se Kostandino ishte i qetë ditën e ngjarjes, dhe kishte planifikuar të shkonte në kishë pas ceremonisë për ushtarët e rënë grekë.
Minoritari Kostandino Kaçifa qëlloi me armë patrullën e policisë në fshatin Bularat më 28 Tetor për motive ende të paqarta. 35-vjeçari mbeti i vdekur gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA, pasi nuk pranoi që të dorëzohej.
/b.d