Situata në qarkun Korçë mbetet e vështirë, me problematikat kryesore të lidhura me rrëshqitjet e dherave dhe bllokimin e disa akseve rrugore.
Në Bashkinë Pogradec, rrëshqitjet e dherave janë shqetësimi kryesor. Inxhinierët e Shërbimit Gjeologjik kanë inspektuar zonat e prekura, përfshirë fshatrat Cërravë dhe Dardhas ku janë evakuuar familje, si dhe zonën e rezervuarit të Stropckës. Priten raportet teknike për të përcaktuar ndërhyrjet e mëtejshme.
Në Njësinë Administrative Trebinjë, rruga Dunicë mbetet e bllokuar për shkak të një rrëshqitjeje të madhe, ndërsa rruga e fshatit Malinë është jofunksionale. Ndërhyrja është e pamundur për momentin për shkak të kushteve të motit.
Në Njësinë Administrative Proptisht, rruga Zall–Torra vijon të jetë e bllokuar. Në fshatin Verrri është riaktivizuar një rrëshqitje e ndodhur vite më parë.
Sa i përket akseve kryesore rrugore, gjatë natës ka pasur reshje bore në disa zona. Po punohet për pastrimin dhe kriposjen e akseve Boboshticë–Dardhë, Podgorie–Liqenas, Maliq–Gramsh, Libonik–Plasë dhe Korçë–Voskopojë. Qarkullimi kryhet normalisht, por kërkohet përdorimi i gomave dimërore. Problem mbeten aluvionet në Lozhan.
Në aspektin e furnizimit me energji elektrike, OSSHEE raporton defekte të pjesshme në disa fiderë, duke lënë pa energji një numër abonentësh ruralë në zonat Sterkë, Nicë, Osnat, Prenisht, Podgoxhan, Jollë, Tallë, Kaduc, Shijan, Mreshtan, Vreckë, Podë, Radash dhe Shalës. Gjithsesi, konsumatorët e rëndësisë së veçantë furnizohen normalisht, ndërsa ekipet operative janë në terren për riparimin e defekteve.
Lumenjtë paraqiten me prurje normale dhe nuk raportohen problematika. Nga bashkitë e tjera të qarkut nuk ka raportime të reja, ndërsa vijon puna për neutralizimin e situatave të mëparshme.











