Moti i keq, ja akset rrugore më problematike
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur situatën në rrugët e vendit sipas qarqeve. ARSH rekomandon edhe drejtuesit e mjeteve lidhur me situatën e rrugëve.
Tiranë
Aksi Qafe Priske–Shëngjergj, qarkullimi është normal, megjithëse ka rrëshqitje gurësh.
Ka prani aluvionësh në Ibë, rruga është e kalueshme dhe po punohet për të mundësuar qarkullimin normale të automjeteve.
Durrës
Nuk ka probleme ne akset e këtij qarku.
Elbasan
Aksi Elbasan – Qafe Thanë, është normal pa probleme në qarkullim.
Aksi Elbasan – Peqin, km 60-63 Derven, ka rënie gurësh dhe bllokime tombinosh. Po punohet për zhbllokimin e tyre. Po në këtë aks, km 86, në Papër, ka dalje dherash në rrugë. Po punohet për normalizimin e situatës.
Aksi Elbasan – Gramsh, segmenti K/Shirgjan – Cingare, ka shembje dherash nga skarpata. Janë marrë masa, situata është normale. Segmenti Banje – Drizë, i bllokuar për shkak të rritjes se nivelit të liqenit të Banjës. Qarkullimi bëhet nga segmenti tjetër.
Segmenti Gramsh – Kodovjat, në vendin e quajtur Mashan, ka rrëshqitje dherash. Rruga është me një kalim. Po punohet për normalizimin e situatës.
Berat
Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve ne akset e këtij qarku.
Vlorë
Në aksin Vlore – Orikum: Në km – 3 ne km – 4, dhe në km – 6 si rezultat i reshjeve te vazhdueshme dhe shume intensive ka patur rrëshqitje dhe shkëputje te masiveve te dheut që ndodhen gjatë shpateve të rrugës dhe mbi shpatet e rrugës. Për pasoje prurjet e ngurta janë depozituar në trup të rrugës duke e bllokuar . Është punuar vazhdimisht me mjete të rënda dhe aktualisht rruga është e kalueshme me një kalim. Prurjet e ngurta janë kryesisht shkëmbore me dimensione të mëdha.
Gjirokastër
Në aksin rrugor Këlcyrë – Ballaban:
Ne km 12,2 deri ne km 15. Në këtë segment rrugor si rezultat i prurjeve shumë të mëdha ujore dhe të ngurta dhe si rezultat i mos funksionimit të urave te vogla, janë shkaktuar dëmtime shumë të mëdha në elementet funksionale të rrugës ne trup të rrugës në bankina, në tombino në ura te vogla, deformime në shtresat rrugore, gërryerje në të gjithë gjatësinë e këtij segmenti etj. Perveç këtyre ka patur edhe depozitime të ngurta në sipërfaqen e rrugës gjatë gjithë segmentit duke e bllokuar atë. Me problematike është gjendja ne km -13.9 ku si rezultat i gërryerjes së trupit të rrugës njëri krah i rrugës është jashtë funksionit dhe në rast avancimi mund të dëmtohet totalisht i gjithë trupi i rrugës duke e bllokuar plotësisht atë. Bankinat dhe një pjesë e trupit te rrugës janë dëmtuar totalisht. Edhe në këtë segment është punuar me mjete për largimin e depozitimeve dhe rruga është e kalueshme. Kurse ne km – 13.9 qarkullohet me një kalim.
Korçë
Në aksin Korçë – Erseke: Në km 41 – 42 në Hyrje te qytetit te Ersekës si rezultat i reshjeve të vazhdueshme dhe shumë intensive ka patur rrëshqitje dhe shkëputje të masivëve të dheut që ndodhen gjatë shpateve të rrugës dhe mbi shpatet e rrugës. Për pasoje në një gjatësi rreth 400m prurjet e ngurta janë depozituar në sipërfaqe të rrugës duke e bllokuar totalisht atë. Prurjet e ngurta përbëhen nga shkëmbinj, gurë,dhera,materiale drusore dhe lartësia e depozitimeve është rreth 1 deri në 1,5m. Volumi total i prurjeve të ngurta në sipërfaqen e rrugës është rreth 3000m3. Është punuar vazhdimisht me mjete te renda dhe aktualisht rruga është e kalueshme me një kalim.
Kukës
Ka rënie gurësh në rrugë, të cilat janë pastruar nga ish-kontraktoret. Qarkullimi është normal në të gjitha akset e këtij qarku.
Dibër
Ne aksin Skurraj – Burrel dhe Burrel – Qafe Bualli ka patur rënie gurësh në rrugë, të cilët kanë krijuar probleme në qarkullim. Inspektoret dhe firmat ish kontraktore, po punojnë për normalizimin e situatës.
Rekomandohet për gjithë drejtuesit e mjeteve:
Të bëhet kujdes gjatë kalimit në akset ku ka materiale në rrugë. Të respektohen tabelat e sinjalistikës.