Ata pak azilantë ballkanas që fitojnë të drejtë qëndrimi në Gjermani kalojnë nga Komisioni i Rasteve të Vështira.
Por një vendim pozitiv i këtij komisioni nuk do të thotë patjetër leje qëndrimi.
Kushtetuta gjermane garanton të drejtën për azil për të përndjekur politikisht – por azilkërkues nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova thuajse nuk kanë fare shansi për azil në Republikën Federale Gjermane. Sepse Gjermania në fund të vitit 2015 i klasifikoi shtetet e Ballkanit Perëndimor si “vende të sigurta origjine” – pra, si shtete, ku nuk ka përndjekje politike.
Që atëherë, Enti Federal për Migracion dhe Refugjatë (BAMf), që është përgjegjës për azilin, ka refuzuar 97 përqind të kërkesave të shtetasve me prejardhje nga Ballkani Perëndimor. Deri sa të merret vendimi ata duhet të banojnë, sikurse të gjithë azilkërkuesit e tjerë, në strehimore azilantësh, nuk kanë të drejtë pune dhe mund të dalin nga zona e tyre, vetëm me lejen e entit të migracionit. Pasi iu është refuzuar kërkesa për azil, ata duhet të largohen vullnetarisht nga Gjermani, nëse kjo nuk ndodh, atëherë ata riatdhesohen me detyrim.
Vetëm rastet e jashtëzakonshme kanë shans
Ata pak azilkërkues nga Ballkani që fitojnë status qëndrimi në Gjermani kalojnë nga Komisioni i Rasteve të Vështira (Härtefallkommission). Secili nga 16 landet ka nga një komision të tillë.
Familie Ajazaj aus Berlin – Abschiebung (Rüdiger Rossig)
Dëbimi në mes të dhjetorit 2017 i familjes shqiptare Ajazaj bëri shumë bujë në mediat vendore të Berlinit
Berlini, si land më vete, ka një instancë të ngarkuar nga senatori – kështu quhen ministrat në kryeqytetin e Gjermanisë – i Punëve të Brendshme dhe i Sportit. Në komision bëjnë pjesë i ngarkuari i qeverisë së landit për integrim dhe migracion, e ngarkuara për politikat e grave, përfaqësues të kishave katolike dhe protestante, bashkimi i shoqatave të mirëqenies “Liga Berlin”, Këshilli i Refugjatëve Berlin dhe Këshilli i Migracionit Berlin Brandenburg.
Mëshira e senatorit
“Komisioni i rasteve të vështira merret me fate individuale njerëzish që në fakt duhet të largohen nga Gjermania”, shpjegon kryetari i këtij komisioni, Peter Marhofer. “Por për të cilët mund të gjendet ndonjë paragraf në ligj, me anë të të të cilit mund të rregullohet qëndrimi, për shembull, nëpërmjet një vendimi të Senatorit.”
Kriteret kryesore për këtë vendim të jashtëzakonshëm janë qëndrimi afatgjatë në Gjermani dhe përpjekjet serioze për integrim. Vendimtare është pyetja se a është në gjendje personi në fjalë që t’i mbulojë vetë shpenzimet për jetesë.
Një kontratë e përhershme pune nuk mjafton
Për shtetas nga vendet e Ballkanit Perëndimor shpesh nuk mjafton vetëm kontrata e punës me të ardhura të mjaftueshme, madje për ndonjë prej tyre as rekomandimi pozitiv i Komisionit të rasteve të jashtëzakonshme „Kjo ka të bëjë me faktin që shumica e aplikuesve nga Ballkani Perëndimor kanë ardhur në Gjermani vetëm dy vitet e fundit”, shpjegon Marhofer. “Për rrjedhojë mundësitë e integrimit të tyre nuk kanë qenë të mëdha. “
Për vitin 2017 vetëm 38 aplikues nga Ballkani Perëndimor kanë marrë rekomandime pozitive nga Komisioni. 80 të tjerëve iu është refuzuar kërkesa për të drejtë qëndrimi dhe duhet të largoheshin. Por ka pasur edhe raste kur Komisioni ka marrë vendim pozitiv, ndërsa senatori e ka parë të arsyeshme që t’i kthejë. Njëri syresh ishte dëbimi në mes të dhjetorit 2017 i familjes shqiptare Ajazaj, që bëri shumë bujë në mediat vendore.
Rekomandimet e komisionit nuk janë garanci
“Komisioni i rasteve të jashtëzakonshme rekomandon leje qëndrimi edhe në raste të tilla, sepse ai me të drejtë lufton kundër ligjit aktual për lejeqëndrimin. Por mjerisht nuk ekziston një bazë ligjore për këtë qëndrim politik”, shpjegon Tino Brabetz nga zyra e shtypit të Senatit të Berlinit për Çështje të Brendshme dhe Sport.
As eprori i tij, senatori i brendshëm, nuk mund të vendosë arbitrarisht, por t’i përmbahet të drejtës aktuale dhe ligjit. Në gjithsej 462 dëbimet bëra në vitin 2017 nga Berlini është ushtruar ligji aktual që vlen për të gjithë Republikën Federale.
Një shpresë për aplikuesit e refuzuar nga Komisionet e Rasteve të Vështira është Enti i Peticioneve pranë Parlamenteve të Landeve përkatëse.
Abschiebung (picture-alliance/dpa/D.Maurer)
Refuzimi i azilit me pasoja negative
Po përse duhet të largohen nga Gjermania edhe azilkërkuesit për të cilët Komisioni i Rasteve të Vështira ose Enti i Peticioneve është shprehur në mënyrë pozitive, dhe veç të tjerash, kanë një kontratë pune. „Ligjet tona mjerisht nuk e parashikojnë mundësinë e ndryshimit të statusit nga azilant në migrant”, sqaron Peter Marhofer.
Azilkërkuesit e dëbuar me prejardhje nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë të drejtë të shkelin hapësirën Shengen për një periudhë dy deri në pesë vjeçare. Por atyre u hiqet edhe e drejta që të marrin vizë në ambasadat gjermane të vendeve të tyre, edhe nëse kanë kontratë pune në Gjermani. Ministria e jashtme në Berlin e bllokon mundësinë e vizës së punës për këtë grup njerëzish./dw/a.m.