• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, January 11, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

“Mos shkoni për një Coca-Cola më të lirë…” – Serbët injorojnë politikën, zgjedhin pushimet në Shqipëri

by A R
16/07/2021 11:24
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Pavarësisht deklaratave të politikanëve në Serbi, të dhënat zyrtare tregojnë se interesimi i qytetarëve serbë për pushimet verore në Shqipëri është në rritje.

Asociacioni Kombëtar i Agjencive Turistike të Serbisë (JUTA) thotë për Radion Evropa e Lirë se, deri në kohë të sezonit, numri i mysafirëve serbë në Shqipëri është rreth 100 për qind më i lartë krahasuar me vitin e kaluar.

Në Serbi ka pasur edhe një fushatë negative për Shqipërinë.

Dragan Markoviq Palma, udhëheqës i Partisë Serbia e Bashkuar dhe deputet në Parlamentin e Serbisë, ka porositur qytetarët që të mos shkojnë “për një coca-cola më të lirë në Shqipëri”.

Në ueb-faqen e partisë së tij, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në Serbi, Markoviq citohet të ketë thënë se Shqipëria është “fajtore dhe nxitëse e gjithçkaje që shqiptarët e Kosovës u kanë bërë serbëve në Kosovë”.

Por, disa që kanë veruar në bregdetin shqiptar këtë vit, besojnë se Markoviq nuk është dikush që mund të japë këshilla.

“Dragan Markoviq Palma nuk është adresë ku mund të dëgjosh këshilla, çfarëdo, e posaçërisht për temat rajonale”, thotë Jana Vujiq, banore e Beogradit, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Markoviq është i njohur për publikun në Serbi edhe për udhëheqjen e delegacioneve ekonomike dhe politike në vendpushimet në Greqi dhe Egjipt, që organizohen nga qyteti i Jagodinës në Serbinë qendrore.

Ai e ka nisur karrierën politike në vitin 1993, kur ka formuar Partinë Serbia e Bashkuar, së bashku me Zhelko Razhnatoviq Arkanin, udhëheqës i Gardës vullnetare serbe – një formacion paraushtarak që ka marrë pjesë në luftërat e viteve 1990 në Jugosllavinë e atëhershme.

Shqipëria – një destinacion gjithnjë e më i popullarizuar

Interesimi i qytetarëve serbë për destinacionet në bregdetin shqiptar është rritur ndjeshëm në vitin 2020.

“Para kësaj kohe, më 2018 dhe 2019, ka pasur midis 3 mijë dhe 5-6 mijë turistë nga Serbia në Shqipëri – kryesisht nga jugu i Serbisë dhe rrethinat e Novi Pazarit”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i JUTA-s, Aleksandar Seniçiq.

Ai thotë se vitin e kaluar, Shqipëria, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ka qenë një nga vendet e pakta të hapura për qytetarët e Serbisë.

Sipas tij, përvojat e atyre që kanë vendosur ta kalojnë verën në Shqipëri në atë kohë, janë të mira, dhe fakti që nuk kërkohen dokumente shtesë për qytetarët e Serbisë as këtë vit, janë arsye për rritjen e interesimit.

“Deri në këtë moment të sezonit, ne kemi rreth 100 për qind më shumë mysafirë se vitin e kaluar, i cili ka qenë dukshëm më i mirë në krahasim me vitet 2018 dhe 2019. Vitin e kaluar, kemi regjistruar rreth 20,000 turistë nga Serbia në Shqipëri”, thotë Seniçiq.

Nëse trendi vazhdon, sipas tij, Shqipëria mund të presë rreth 60-70 mijë turistë nga Serbia deri në fund të sezonit.

I pyetur se si mund të ndikojnë deklaratat e Markoviqit në sektorin e turizmit, Seniçiq thotë se ato, përgjithësisht, nuk çojnë në ndonjë gjë të mirë.

“Sigurisht, ato mund të kenë ndikim negativ, sidomos nëse mediat i plasojnë ato në mënyrën se si bëhet në Serbi. Kjo nuk duhet të bëhet, jo sepse është Shqipëria në pyetje, por cilido destinacion tjetër qoftë. Njerëzit duhet të kenë lirinë për të zgjedhur se ku do të udhëtojnë”, thotë Seniçiq.

“Patriotizmi” vs. mini-Shengeni

Që nga janari i këtij viti, qytetarët serbë mund të udhëtojnë në Shqipëri vetëm me kartën biometrike të identitetit. Kjo vlen edhe për hyrjen e shtetasve shqiptarë në Serbi.

Një gjë e tillë është bërë e mundur me marrëveshjen ndërshtetërore që qeveritë e këtyre dy vendeve e kanë arritur në kuadër të iniciativës për “mini-Shengenin”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kanë nënshkruar një deklaratë me synimin e krijimit të një “mini-Shengeni” midis tre vendeve, në tetor të vitit 2019, në Novi Sad.

Kjo deklaratë parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.

Nga 1 korriku janë hequr edhe tarifat e roaming-ut në thirrjet dhe mesazhet telefonike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse thirrjet e politikanëve serbë për të mos udhëtuar në Shqipëri, mund të ndikojnë në bashkëpunimin ekonomik midis Serbisë dhe Shqipërisë dhe nëse ato janë në kundërshtim me iniciativën e “mini-Shengenit”, Dhoma e Tregtisë e Serbisë nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij teksti.

Dragan Markoviq Palma është një politikan që e mbështet integrimin evropian të Serbisë, por vetëm me Kosovën si pjesë të Serbisë.

Ai është i njohur edhe për qëndrimet e tij homofobike dhe është dënuar nga gjykata për diskriminim në bazë të orientimit seksual.

Së voni, Markoviq është përballur edhe me akuzat e opozitës në Serbi se ai ka organizuar ndeja private në Jagodinë, në të cilat janë mashtruar disa vajza. Markoviq e ka mohuar një gjë të tillë, ndërsa prokuroria është duke i hetuar akuzat.

Lidhja përmes turizmit

Boris Firicki, administrator i ueb-faqes Albanija.rs, që promovon ofertën turistike të Shqipërisë, është i bindur se gjithnjë e më shumë do të dëgjohet ana pozitive e rrëfimit, e cila sjell marrëdhënie më të mira në rajon, dhe jo deklaratat e një politikani.

“Dhjetëra e qindra deklarata të zotit Markoviq absolutisht nuk mund të jenë më të zëshme dhe më të fuqishme se dhjetëra mijëra turistë që kanë qenë tashmë këtë vit [në Shqipëri] dhe pothuajse gjysmë milioni njerëz që kanë qenë në pesë vjetët e fundit”, thotë Firicki për Radion Evropa e Lirë.

Ueb-faqja Albanija.rs është themeluar në vitin 2019 dhe i inkurajon në mënyrë aktive qytetarët e Serbisë që të vizitojnë Shqipërinë.

Firicki, 25 vjeç, thotë se motiv i tij ka qenë njohja dhe afrimi përmes një sfere neutrale si turizmi.

“Unë jam i sigurt se gjërat e tilla dhe kontaktet e drejtpërdrejta të njerëzve, të cilët kanë paragjykime në njëfarë mënyre, nga cilado anë, do të kontribuojnë në një rajon shumë më të mirë në të ardhmen”, thotë Firicki.

Me qëllim promovimin e bashkëpunimit turistik, ministri i Turizmit i Shqipërisë, Blendi Klosi, ka qëndruar këtë muaj në Beograd, ku është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq./REL

Next Post
Serbia e Sllovenia mbyllin kufijtë, ministria e Jashtme njoftim të rëndësishëm për shqiptarët

Përmbytjet në Evropë, MEPJ: Asnjë shqiptar i prekur nga moti i keq, ja numrat e emergjencës

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Planet e Trump për aneksimin e Groenlandës, ministria daneze e Mbrojtjes: Do detyrohemi të përdorim armët!

Planet e Trump për aneksimin e Groenlandës, ministria daneze e Mbrojtjes: Do detyrohemi të përdorim armët!

January 10, 2026
Përmbytje nga shiu dhe bllokime nga bora, situata problematike në Shkodër, Durrës dhe Gjirokastër. Policia: Kujdes me parakalimet

Përmbytje nga shiu dhe bllokime nga bora, situata problematike në Shkodër, Durrës dhe Gjirokastër. Policia: Kujdes me parakalimet

January 10, 2026
Kompensimi për fëmijët nën 18 vjeç/ Kontabilistët: Ja si mund të përfitoni edhe rimbursim për arsimimin e tyre

Kompensimi për fëmijët nën 18 vjeç/ Kontabilistët: Ja si mund të përfitoni edhe rimbursim për arsimimin e tyre

January 10, 2026
Lokali shkrumbohet nga flakët në Durrës, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Çfarë u pa në kamerat e sigurisë

Lokali shkrumbohet nga flakët në Durrës, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Çfarë u pa në kamerat e sigurisë

January 10, 2026
Samiti i IV-t mbahet në prill, Spiropali me Këshillin Koordinues të Diasporës: Fokusi në fuqizimin e rolit të diasporës

Samiti i IV-t mbahet në prill, Spiropali me Këshillin Koordinues të Diasporës: Fokusi në fuqizimin e rolit të diasporës

January 10, 2026
“Unë do e rrëzoj me 17 janar”, Adriatik Lapaj thërret protestë për largimin e Ramës disa ditë para tubimit të  Berishës

“Unë do e rrëzoj me 17 janar”, Adriatik Lapaj thërret protestë për largimin e Ramës disa ditë para tubimit të Berishës

January 10, 2026
U vu në pranga pasi u kap duke konsumuar drogë në një klub nate, lirohet pas pak orësh aktori i njohur turk

U vu në pranga pasi u kap duke konsumuar drogë në një klub nate, lirohet pas pak orësh aktori i njohur turk

January 10, 2026
Përcaktohen tetë skuadrat çerekfinaliste për Kupën e Shqipërisë, ndahen vazot për shortin

Përcaktohen tetë skuadrat çerekfinaliste për Kupën e Shqipërisë, ndahen vazot për shortin

January 10, 2026
Pse opozita shpreson kur ndodh diçka në Nepal, Venezuelë, Bangladesh apo Iran?

Pse opozita shpreson kur ndodh diçka në Nepal, Venezuelë, Bangladesh apo Iran?

January 10, 2026
Regjimi qëllon mbi turmën e protestuesve në Iran/ 65 viktima, mbi dy mijë arrestime, spitalet në kolaps

Regjimi qëllon mbi turmën e protestuesve në Iran/ 65 viktima, mbi dy mijë arrestime, spitalet në kolaps

January 10, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In