Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Leskovik, ku dy persona të paidentifikuar kanë kërcënuar me pistoletë në kokë, ish kryetarin e Bashkisë së Leskovikut, Fatmir Guda.
Vetë Fatmir Guda që mban edhe postin e nënkryetarit të PD-së së Kolonjës dhe anëtar i këshillit bashkiak, tha se 2 persona me maska i janë afruar vetëm 30 metra larg shtëpisë së tij dhe i kanë vendosur pistoletën në kokë. Guda bëri me dije se ka bërë edhe denoncim në polici.
“Dy persona me maska mu afruan. Isha vetëm 30 metra larg banesës time. Më vendosën pistoletën në kokë dukë më thënë ‘mos i jep shumë gojës se do ta pësosh keq’. Më kërcënuan edhe nga familja. Më paralajmëruan mos e denoncoj si ngjarje”- ka rrëfyer vetë Guda për “BalkanWeb” ndërsa ka depozituar një kallëzim në polici. Sipas Gudës, ky kërcënim ka qëllime të pastra politike ndërsa e lidh incidentin me një denoncim që ai ka bërë në prag të zgjedhjeve lokale që u mbajtën së fundmi në Kolonjë./a.k