Akte të tilla na kujtojnë se po jetojmë në acarin e një Shqipëri më pak të dhembshur…!
Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani e cilëson të papranueshme tentativën për privatizim e Qendrës së Pushimit të Shtëpisë së Fëmijëve në Borsh.
Ai thotë se, institucione të tilla duhet të ruhen me fanatizëm, të mirëmbahen dhe të mirëadministrohen nga shteti, pasi janë një pasuri publike në ndihmë të jetimëve. Me to nuk mund të bëhet biznes.
Në këtë intervistë, ai sqaron se ka kohë që ndjehet i shqetësuar dhe hera herës ka bërë ankesa në institucionet kryesore të vendit për të ndalur procesin e privatizimit.
Ish-Kampi i Pushimit të Shtëpisë së Fëmijëve në Borsh përbëhet nga një kompleks i gjerë godinash shumë të bukura, rrethuar nga ullinj e portokaj që shtrihej në një sipërfaqe rreth 4 mijë m2, dhe që ka pasur vetëm një funksion: Shtëpi Pushimi dhe argëtimi për Fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve në Sarandë.
Në çdo sezon veror, fëmijët jetimë të Shtëpisë së Fëmijëve në Sarandës, të shoqëruar nga edukatoret dhe kujdestarët e tyre, për rreth dy – tre muaj vinin këtu, pranë detit për pushime.
Sot, ndërtesa ndodhet në një gjendje mjerane e në degradim të plotë.
Gëzimit të atyre fëmijëve të pafajshëm e pa familje, por që bashkëjetuan në atë kohë paqësisht me njëri – tjetrin në këtë vend të mrekullueshëm, pranë detit Jon, tashmë u ka mbetur si një vegim, thjesht dhe vetëm një kujtim i bukur..
Çdo gjë që lidhet me këtë qendër, shfaqet si një mirazh, por që sot, mjerisht duket se është venitur përballë një të shkuare jo shumë të largët, sepse gjithçka ka mbetur vetëm në memorien e një pjese të historisë së vendit tonë, e fiksuar edhe në celuloidin e këtyre imazheve.
Në Borsh, pikërisht në vendin ku ka qenë ngritur edhe ish kampi i fëmijëve Jetimë, rastësisht apo domodoshmërisht, u takuam edhe me z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, i cili, në heshtje dhe i menduar, i ra kryq e tërthor të gjithë hapësirës ku dikur ngrihej ish – kampi i fëmijëve jetimë, e sot është kthyer në një gjendje mjerane, në një karakatinë…
Çfarë ju sjell në kujtimet tuaja ky vend, këtu ku jeni duke e ndjekur me këmbë dhe vështrim i menduar…!?
Në këtë vend ku ndodhemi tani, ka qenë ish – kampi i pushimit të Shtëpisë së Fëmijëve Jetimë të Sarandës.
Kjo tokë, ku në fillim të viteve ‘70 – të është ndërtuar ky objekt i rëndësishëm social, ka qenë pronë shtetërore, sepse në Shkallë të Borshit, (me aq sa unë mbaj mend), nuk ka pasur shtëpi banimi buzë detit. Madje, ato kanë qenë fare të rralla, ku tek – tuk jetonin disa familje fare të pakta…
Dikush mund të mendojë se edhe në këtë vend, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, mund të ketë patur edhe pronarë, (që për mua, nëse konsiderohen si të tillë ata që e posedojnë dhe e shfrytëzojnë aktualisht këtë pasuri, s’janë gjë tjetër veçse pseudo-pronarë). Ngase ky vend, nëse do të kishte pronar, asesi nuk do të mbetej prej 32 – vjetësh kështu, i braktisur dhe i rrënuar, si një mall pa zot…!
Por, siç po vihet re, tash, këtë objekt e ka vënë në dorë një prej sipërmarrësve dhe sipas informacionit paraprak që kam, ai ka paguar një vlerë qesharake prej 6.7 milionë lekë për ta privatizuar gjithë këtë pasuri të madhe.
Çuditërisht, deri më tani, ende nuk është bërë asnjë investim, veçse është hapur një lokal fare modest mbi rrënojat e një shkatërrimi barbar…
Me sa duket, gjuetarët e pronave në këtë rrumpallë të tranzicionit shqiptar të tre dekadave të fundit, janë duke e vëzhguar mirë dhe me shumë kujdes të gjithë situatën; nëse do të ketë diku një reagim për këtë zhvatje që synohet të bëhet…!!!
Më besoni, në këto çaste ndjej një zhgënjim e dhimbje të madhe njëkohësisht, si në planin personal, ashtu edhe në planin njerëzor dhe institucional, për shkak edhe të pozicionin që kam.
Ju them me shumë emocion se, dikur edhe unë kam qenë një ish fëmijë i rritur jetimë, që kam jetuar këtu muajt e verës prej vitesh me radhë ….
Ashtu si çdo bashkëmoshatar i brezit tim, me këtë vend ku ndodhet ky objekt i veçantë, më lidhin shumë çaste dhe episode të fëmijërisë. Ruaj shumë kujtime të bukura që edhe tani po më shfaqen si vegime magjepëse…
Është e paimagjinueshme, pothuajse një monstruozitet dhe maskaradë e pakuptimtë kjo panoramë e shëmtuar dhe kjo barbari e pandalshme që e ka emrin babëzi, ku, individë sipërmarrës nga bota e biznesit, me “bekimin” e shtetarëve të djeshëm dhe të sotëm guxojnë dhe arrijnë të zaptojnë gjithë këtë aset publik të jetimëve…
Po përdorin të gjitha mjetet që ta blejnë me anë të metodave korruptive për “1 copë bukë”, një kompleks gjigant prej 4.000 M2, që është i vetmi kompleks kombëtar i kreativitetit, argëtimit dhe e çlodhjes, i dedikuar enkas për fëmijët jetimë në Shqipëri.
Çfarë mendoni të bëni. Besoni se do të ketë zgjidhje në favor të fëmijëve jetimë?
Këtu do të nisë e gjithë beteja jonë ligjore dhe institucionale për dinjitet dhe drejtësi, për të vënë çdo gjë në vendin e vetë dhe haku të shkojë tek ata fëmijë të pambrojtur e të pa zë…
Ky objekt ka qenë dhe duhet të jetë një aset i patjetërsueshëm publik, dedikuar fëmijëve jetimë, duan apo nuk duan këta qafirë të pa fe e të panginjur së pasuruari, që guxojnë e vënë dorë edhe mbi gjënë e jetimëve.
Është një kambanë alarmi për të gjitha institucionet përgjegjëse e ligjzbatuese, së pari për organet e hetimit dhe kryesisht për SPAK – un, që duhet të nis hulumtimin dhe të hetoj në themel të gjitha veprimet dhe mosveprimet e procedurave që janë ndjekur deri tani, me shkresa e dokumenta të sajuara përmes gjykatave, me anë të të cilave kanë krijuar terrenin e përshtatshëm duke e abandonuar dhe e degraduar në rrënoja këtë pasuri të jetimëve, me qëllim të vetëm, grabitjen me çdo kusht të kësaj qendre pushimi të fëmijëve jetimë, objekt i cili shtrihet në një nga pikat më domethënëse turistike, këtu buzë detit, në Shkallë të fshatit Borsh, me një sipërfaqe hapësire plotë 4 mijë m2.
Qëllimi i këtij veprimi të paskrupull i këtyre parellinjve sipërmarrës nga bota e biznesit, të cilët janë të lidhur edhe me individë të veshur me pushtet, është për ta gllabëruar tërësisht dhe përfundimisht njëherë e mirë këtë pasuri, përmes privatizimeve me vlera qesharake.
Ajo që e bën edhe më cinike deri në vanitet drithërues këtë histori, është fakti se në kohën e socializmit, sistemi i kaluar mendonte seriozisht dhe në mënyrë institucionale për fëmijët jetimë.
Veç të gjitha atributeve, shteti asokohe u siguronte edhe ngritjen e qendrave të tilla multifunksionale, që synonin edukimin, mirërritjen, argëtimin, çlodhjen e kreativitetin për këta fëmijë, siç kanë qenë kampet si kjo e Borshit, Velipojës, Golemit, Voskopojës, Vlorës, në Lezhë e gjetkë…
Ndërsa në periudhën e pas viteve ‘90-të, fëmijëve dhe të rinjve jetimë dhe atyre pa kujdesin prindëror, jo vetëm që u janë mohuar shumë nga atributet elementare për të bërë një jetë krejt normale e të dinjitetshme në vendin e tyre, (me të gjitha të drejtat e plota dhe të barabarta me pjesën tjetër të shëndoshë të shoqërisë), por, me paturpësinë më të madhe ju grabiten në forma okulte dhe të shëmtuara, korruptive e mafioze edhe ato pak asete të ligjshme, të trashëguara me dekada ndër breza fëmijësh….
Në këto momente, pyetja që më vjen në mend është: si mundet në një vend demokratik, ku ekzistojnë mundësitë e mëdha për zhvillimin, mbrojtjen dhe fuqizimin e programeve sociale në favor të shtresave të margjinalizuara e në nevojë, shteti të hesht dhe të bëj të paditurin përballë këtij krimi të shëmtuar social…!?
Ka një përvojë dhe praktikë botërore në çdo vend të botës së lirë demokratike e të civilizuar, që, institucionet dhe objektet e tilla kaq specifike janë të shejnta. Ato janë dhe mbeten gjithmonë të pacënueshme, të paprekshme edhe në ato raste nëse toka apo trualli ku shtrihet i gjithë ky kompleks social do të pretendohej se ka pronar… (!!!)
Në situata të tilla, kur diskutohen çështje të tilla me karakter kaq sensitiv, në çdo rast prevalon interesi i lartë publik; pra, interesi më i lartë, më i shejntë dhe më fisnik që lidhet me jetën, shëndetin, mirëqënien dhe begatinë e fëmijëve; lidhet me humanizmin në rastin konkret. Kaq e thjeshtë dhe e qartë është e gjitha kjo që po them. Ndaj nuk ka vend aspak për ekuivok.
Nëse institucionet përgjegjëse shtetërore do të gjykonin vërtetë kështu, pra, me një mëndje të kthjellët dhe me arsyetim logjik të ftohtë, atëherë do të kuptonim dhe do shikonim me sytë tanë se si shteti ngrihet në lartësinë e përgjegjësive që ka, duke marrë përsipër të bëhet interpret fanatik i interesit publik, një avokat i mbrojtjes të më të dobtëve, qoftë edhe duke marrë përsipër koston e dëmshpërblimit apo edhe të kompensimit, sipas ligjeve në fuqi.
Këtu qëndron dhe duket qartazi serioziteti dhe imazhi i keq apo i mirë i një shteti të përgjegjshëm ose jo. Në këto raste shfaqet hapur dhe para të gjithëve në një sfond social autoriteti dhe humanizmi i një vendi demokratik ku sundon vetëm ligji.
Në këto situata shteti dëshmon fuqinë dhe potencialin moral dhe human të shoqërisë, e cila i ka besuar dhe i ka deleguar atij pushtetin për ta administruar në favor të interesit publik, pikërisht përmes përgjegjësisë maksimale në mbrojtje të shtresave të pambrojtura dhe atyre në nevojë.
Në çdo vend të botës demokratike, përballë interesit personal të cilitdo, gjithmonë ka përparësi dhe duhet të prevalojë interesi publik.
Këto janë ekuacione dhe rregulla mjaft të njohura, kudo në botën moderne dhe të qytetëruar, të cilat i mbajnë të forta e në harmoni të plotë të gjitha themelet dhe kolonat e ekuilibrave të kohezionit social, të bashkëjetesës komunitare në një shoqërie të shëndoshë, moderne dhe funksionale.
Me një fjalë, këto objekte specifike janë dhe duhet të konsiderohen të shenjta. Ato janë të patjetërsueshme nga destinacioni i për të cilin janë të dedikuar…
Personalisht, angazhohem në emër të gjithë atyre fëmijëve të pambrojtur e pa përkrahje, në emër të shumë padrejtësive që kanë ndodhur dhe po ndodhin në kurrizin e tyre, të kujtimeve dhe shumë gjërave që na lidhin në të shkuarën me këtë qendër, se, shumë shpejt do të nisim një betejë ligjore e mediatike që ka të bëjë edhe me dinjitetin e shtresës më të prekur dhe më të ekspozuar të shoqërisë. Kjo qendër duhet t’u rikthehet e plotë fëmijëve jetimë, ashtu siç ka qenë në fillim të herës.
Ftoj Presidentin e Republikës, Kryetaren e Kuvendit, Kryeministrin e Shqipërisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Komisionin Parlamentar për krimin dhe Antikorrupsionin, SPAK-un, Avokatin e Popullit, Trupin Diplomatik të akredituar në vendin tonë, të gjithë median edhe Shoqërinë Civile, që, së bashku me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë të nisim një hulumtim mbi këtë skandal të pastër korruptiv, që padyshim është një krim i shëmtuar social në kurriz të fëmijëve jetimë.
E përsërisë: kjo pronë është aset i fëmijëve jetimë dhe me çdo kusht duhet t’ju rikthehet atyre, mbase edhe më e bukur se çka qenë.
Nisma dhe projekti i qeverisë shqiptare për rijetëzimin dhe urbanizimin e fshatrave në bashkëpunim edhe me i Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, duhet të synojë rikthimin në identitet edhe të kësaj qendre multifunksionale e kreative, me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e nevojshme që ka. Ky kompleks duhet ti nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë sipas standarteve të vëndeve të Bashkimit Evropian, me synimin për të rikthyer traditën shumë të bukur që kemi pasur nga e kaluara.
Është detyrë dhe sfidë morale e një shteti ligjor me profil human, për të rijetësuar në këtë vend një qendër kombëtare sociale multifunksionale të kreativitetit bashkëkohor, për edukimin, argëtimin, mirëqënien dhe çlodhjen për të gjithë fëmijët jetimë nga e gjithë Shqipëria, me synimin e vetëm që edhe ata, si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre të mund të pushojnë dhe të argëtohen në muajt e verës.
Në të kundërt, kemi gjithë të drejtën e Zotit të besojmë se gjithmonë e më shumë po jetojmë në acarin e një Shqipërie më pak të dhembshur, më pak solidare dhe aspak empatike.
Me një fjalë, do të kuptojmë edhe më qartë se po jetojmë në një shoqëri të dehumanizuar, pa ideale dhe pa aspirata, edhe për shkak të politikave ekstremiste që përdorë një pushtet korruptiv që aplikon prej afro një dekade një forcë politike, e cila pretendon se përfaqëson doktrinën e majtë, por që në fakt, radikalizimi i aksionit politik që ka ndjekur deri më tani, na shpalos në sytë tanë dy Shqipëri; atë virtuale, (përmes një industrie të frikshme të propagandës), dhe nga ana tjetër, një Shqipëri kryesisht jetime….
Së fundi, apeli im është për të gjithë ata që e kanë projektuar dhe iniciuar grabitjen e këtij aseti të çmuar të fëmijëve jetimë: ta ndalin këtu vrapin e tyre.
Nuk duhet të vazhdojnë më tutje as edhe një hap, pasi në të kundërt, do të përballen me të gjitha pasojat ligjore që do të rrjedhin nga ky veprim i paligjshëm dhe kriminal, përmes një reagimi të pashembullt institucional, publik dhe qytetar.
Gjithashtu, i kujtoj atyre që kanë guxuar dhe vazhdojnë ende të guxojnë në përpjekjen e paskrupullt për të grabitur këtë objekt të specifik, se, edhe me Bibël, edhe me Kur’An, predikohet fakti se vënia dorë mbi gjënë e jetimit konsiderohet nga Zoti një nga mëkatet dhe krimet më të rënda, që ndëshkohet në mënyrën më të ashpër dhe më shembullore, për cilindo që e kryen këtë vepër të shëmtuar në dëm të tyre. Kush ka sy e vesh duhet të shikojë dhe të dëgjojë.
Ndryshe, të gjithë do të jemi fajtorë përballë këtij akti të turpshëm dhe kriminal që po kryhet në sy të të gjithëve, ditën me diell.
P.s. Shikoni dhe https://youtu.be/c2WIQhiuWF8
Intervistoi: Shpresa Dine