Nga Mero Baze
Ka një entuziazëm mes shqiptarëve se Presidenti Trump ka përmendur suksesin e tij në konfliktin Kosovë-Serbi si shembull edhe për ndaljen e luftës Izrael-Iran.
Në fakt, është një deklaratë që duhet marrë seriozisht vetëm për vullnetin e Presidentit Trump për të qenë i përfshirë në historinë e konfliktit Kosovë-Serbi. Por nuk është lajm serioz, as për konfliktin Kosovë Serbi, as për atë Iran Izrael.
Marrëveshja Kosovë-Serbi e vitit 2020, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, secila palë me SHBA-në, nuk pati ndonjë sukses të madh përveç vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me Izraelin. Politikisht, pati pasoja.
Pasoja më serioze ishte arrestimi i Hashim Thaçit dhe dërgimi i tij në Hagë, në një proces pas të cilit duket se qëndronin rivalët e Presidentit Trump në Washington. Pak muaj para marrëveshjes, po administrata e Presidentit Trump kishte minuar mandatin e kryeministrit Albin Kurti, duke krijuar një qeveri të opozitës në Kosovë, të drejtuar nga Avdullah Hoti.
E gjithë kjo solli që në zgjedhjet e reja të vitit 2021, Albin Kurti, me një pjesë të LDK-së të drejtuar nga Vjosa Osmani, të fitonin shumicën dhe ta hidhnin në kosh marrëveshjen e Washingtonit.
Kontributi më i madh i SHBA-së për Kosovën mbetet viti 1999: bombardimi i Serbisë dhe çlirimi i Kosovës. Marrëveshja e negociuar në zyrën e Trumpit është një rutinë diplomatike që ka prodhuar pasoja politike në Kosovë, por jo ndonjë bilanc domethënës në raportet mes dy vendeve.
Është kjo arsyeja pse në Kosovë klasa politike duhet të ndërgjegjësohet për pozitën delikate ku gjendet vendi dhe për faktin se sa pak mendohet realisht për të.
Interesi i presidentit Trump për konfliktin Kosovë-Serbi është gjë e mirë, sikur të ishte thelbësor. Në fakt, lehtësia me të cilën ai e përmend marrëveshjen e Washingtonit – dhe aq më tepër konteksti i përmendjes, në mes të bombardimeve Izrael-Iran – është një tregues i qartë i cekësisë së informacionit që ka për këtë konflikt.
Dhe ky është një sinjal se Kosova nuk është as qendra e botës dhe nuk është më as e përkëdhelura e SHBA-së në Ballkan. Siç e theksonte Christopher Hill, një nga njerëzit me më shumë kontribute për lirinë e Kosovës në emër të SHBA-së, Amerika ka tashmë interesa të tjera në Serbi, që nuk lidhen fare me Kosovën.
Ndaj, nuk është për t’u gëzuar që Trumpi thjesht e përmend Kosovën. Është për t’u gëzuar vetëm për faktin që ai konfirmon pavarësinë e saj. Çdo gjë tjetër tregon sa pak interes ka aktualisht Washingtoni për Kosovën. Madje, ende nuk ka dalë ambasadori i tanishëm i SHBA-së në Prishtinë të reagojë për votimin e famshëm për të 32 herë për Albulenën, ashtu siç bëri ish amabsadorja amerikane më 2016 kur Albin Kurti, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj u bënë bashkë për të rrëzuar Hashim Thaçin dhe bllokuan Kuvendin.
Atëherë ambasadorja amerikane Tracy Ann Jacobson bëri atë deklaratën e famshme: “Mos e dh*j punën.” Tani, në një farë mënyre, këtë e tha edhe Presidenti Trump – por pa e ditur fare çfarë po bëhet në Kosovë.