Ministrat teknikë vendosën të dorëhiqen këtë të enjte nga detyrat e tyre, duke e konsideruar të përmbushur mandatin e marrë, si garant të moslejimit të përfshirjes së administratës në zgjedhje. Përmes një raporti voluminoz, të publikuar ditën e largimit të tyre nga detyra, ministrat teknikë deklaruan se në zgjedhjet e 25 qershorit vota u ble, administrata u përfshi në zgjedhje dhe vullneti i zgjedhësve në shumë zona u tjetërsua nga njerëz të botës së krimit.
Megjithatë, krahas këtyre përfundimeve, ministrat teknikë nuk e pranojnë se dështuan për të përmbushur detyrat, të cilat morën përsipër, pavarësisht problematikës së zgjedhjeve. Megjithatë, në mbledhjen e pasdites së 25 qershorit, kur procesi zgjedhor në vend nuk ishte mbyllur ende, ministrat teknikë janë përplasur mes tyre lidhur me përfshirjen e Policisë në zgjedhje.
Në debatin e siguruar nga “Panorama”, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj pranon se ka shefa komisariatesh që janë angazhuar hapur në mbështetje të një force politike, apo qytete ku personazhe të botës së krimit, dalin hapur në qendrat e banuara. Në debatin e mbledhjes së Task-Forcës është angazhuar edhe Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca.
DEBATI NË MBLEDHJEN E TASK-FORCËS
Dritan Demiraj: Ne dje kemi pasur një rast, ku një oficer në Delvinë, Shpëtim Kripa, të cilin e kam pezulluar unë, ka qenë i përfshirë në fushatën elektorale. Gjithashtu, kemi disa oficerë apo punonjës policie të tjerë, këtu është një listë, të cilët janë të përfshirë në mbështetje të subjekteve të caktuara elektorale. Ka raste, të cilat ne po identifikojmë dhe po punojmë, dhe sigurisht që mbas zgjedhjeve do marrim masat e duhura. Gjithashtu, edhe në rastin nëse do shkojmë me propozime, në Drejtorinë e Përgjithshme dhe do na kthehen mbrapa, ne do të vazhdojmë procedurën.
Ledina Mandija: Sa raste janë këto, zoti ministër?
Dritan Demiraj: Po, mund të jenë p.sh. 29 raste, për mua si Ministri e Brendshme, me emra, me grada, me pozicione, por unë gjykoj se nuk është sot objekti i punës për t’u marrë me emra.
Ledina Mandija: Jo, emrat nuk i duam, duam rastet, p.sh. sa raste ka, këto janë të implikimit…
Dritan Demiraj: Janë 29 raste të ndryshme, civile dhe ushtarake, që janë brenda strukturës së Ministrisë së Brendshme.
Ledina Mandija: Qoftë edhe denoncim, zoti ministër, sepse edhe këto 29 raste, ishin denoncime, siç ju thatë, të paverifikuara. Po denoncime për implikim me grupe kriminale, në mbështetje?
Dritan Demiraj: Në mbështetje të grupeve të caktuara, ka, por duhet të verifikohen.
Ledina Mandija: Sa denoncime, pra të tilla, se nuk duam as emra, asgjë? Dibër? Tiranë.
Dritan Demiraj: 7 raste, në Dibër, Lezhë.
Ledina Mandija: Që kur janë këto denoncime, zoti ministër?
Dritan Demiraj: 2-3 ditët e fundit dhe vazhdojnë.
Ledina Mandija: Dhe ndërkohë, nuk kanë arritur të verifikohen?
Dritan Demiraj: Janë në proces verifikimi.
Ledina Mandija: Dhe ku janë këto raste? Kujt i referohen, thatë Dibër?
Dritan Demiraj: Delvinë, Sarandë, Dibër, Pukë, Lezhë, edhe në Tiranë.
Ledina Mandija: Dhe personat që denoncohen, janë policë të nivelit të lartë?
Dritan Demiraj: Të të gjitha niveleve, nga më i larti. Dhe kur them nga më i larti, nuk e kam fjalën nga drejtori i përgjithshëm apo zoti Qato, por flas drejtor qarqesh e poshtë.
Ledina Mandija: Pra, edhe drejtor qarqesh?
Dritan Demiraj: Po, sigurisht edhe drejtor qarqesh.
Ledina Mandija: Po nuk është shqetësuese kjo, zoti ministër?
Dritan Demiraj: Është shumë shqetësuese, po këto janë analiza, të cilat do të bëhen mbas zgjedhjeve dhe secili që ka qenë i përfshirë në fushatë elektorale ose që ka shkelur ligjin, do të përballet.
Erinda Ballanca: Nëse çështja është nivel drejtor qarqesh, është realisht shumë e rëndë….
Dritan Demiraj: Ne kemi denoncime, për disa raste psh. nuk është e lehtë që të provosh që drejtori i qarqeve, se ne duhet të jemi edhe të kujdesshëm, që edhe të mos u biem njerëzve “në qafë” kot.
Ledina Mandija: Zoti ministër, në qoftë se para tre ditëve ju ka ardhur një denoncim për drejtorë qarqesh dhe ndërkohë, akoma nuk është verifikuar, sot ai është në detyrë dhe organizon komplet policinë, për rastet që denoncon.
Dritan Demiraj: Unë kam dalë publikisht dhe kam kërkuar shkarkimin e tre shefave të komisariateve dhe pastaj kam pasur ndërmend të bëj kërkesa për 2-3 shefa të tjerë komisariatesh…
Ledina Mandija: Shkarkim apo lëvizje, zoti ministër?
Dritan Demiraj: Shkarkim, pezullim dhe nuk është bërë, kam pasur ndërmend të bëj edhe në 2-3 të tjera dhe kam ndaluar pastaj, që të mos bëhemi “karagjozë” edhe për mediat, që ministri thotë këtë, drejtori bën këtë…
Ledina Mandija: Për cilat qarqe e keni fjalën, zoti ministër?
Dritan Demiraj: Lezhë, Pukë dhe në Gramsh, p.sh ai i Gramshit është haptazi, ka punuar për PDIU, haptazi shefi i komisariatit të Gramshit, mbi 29 denoncime kam pasur, kështu që përgjegjësia ime është identifikimi i rasteve dhe të bëj propozimet përkatëse. Në rast se njerëzit nuk janë zhvendosur, larguar, pezulluar ose hequr, le t’ia lëmë kohës, ato janë raste, të cilat do të kërkohen.
Erinda Ballanca: E kuptoj, por ndoshta edhe kjo gjë duhet menduar pak, se dëmi më i madh është të themi deformimi i rezultatit zgjedhor, për cilëndo parti apo për cilëndo forcë, ai është dëmi më i madh, që mund t’i vijë demokracisë, mendoj unë, të paktën nga këndvështrimi im këtu.
Ledina Mandija: Prandaj e bëra edhe unë pyetjen, që ta parandalojmë…
Erinda Ballanca: Kështu që, nëse dëmi më i madh ka ardhur, nëse dënohen apo nuk dënohen 3 persona, janë apo nuk janë në detyrë 3 persona, për qytetarët në përgjithësi është më e parëndësishme se për mua. Sigurisht, gjithkush duhet të marrë dënimin e merituar, por për qytetarët, të cilët besojnë te ky sistem të themi, apo ne do të donim duke …, edhe kjo TaskForcë, mendoj, ishte që të rriste besimin e qytetarëve te zgjedhjet e lira dhe prandaj kemi pasur kontribute shumë të rëndësishme në këtë Task-Forcë. I bie që nuk po arrijmë atë që është realisht dëshira kryesore, që të sjellim një lloj besimi pak më të madh te qytetarët, se realisht, nuk do të kishte të tilla deformime.
Dritan Demiraj: Me lejoni t’ju siguroj për një gjë, së pari, përpara se të “baltosim” punën e Policisë, duhet të vlerësojmë punën e atyre njerëzve që kanë ngarkesa të jashtëzakonshme, ju i dini tre prioritetet: turizmin, fushën elektorale, kanabisin.
Ledina Mandija: E mbështetëm, zoti ministër dhe vazhdojmë ta mbështesim me patjetër.
Gazmend Bardhi: Mirë, por ajo që tha Avokatja e Popullit është se mbaruan zgjedhjet dhe nuk parandaluam dot fenomenin, ky ishte, kam përshtypjen, shqetësimi.
Ledina Mandia: Zoti ministër, mund t’ju bëj një pyetje, si e keni realizuar ju monitorimin e Policisë së Shtetit dhe Gardës? Po ashtu, edhe monitorimin e elementëve kriminalë të skeduar si të tillë, se kjo sikur ka qenë edhe një detyrë e juaja?
Dritan Demiraj: Në dy forma, së pari, nëpërmjet komunikimit me të gjitha strukturat vartëse. Vetëm tri ditët e fundit kam rreth 329 denoncime të personave që lëvizin me armë, sipas tyre, por në fakt, dua të theksoj që në shumë raste që kanë thënë “kjo makinë, me këto targa lëviz me armë”, është bërë kontrolli ka rezultuar edhe pa armë. Për sa i përket policisë, kemi pasur raste të mangësisë në Komisariate të ndryshme, një nga të cilët e kam konstatuar para tre ditësh, kam qenë në Komisariatin e Lezhës dhe gatishmëria nuk ka qenë e duhur. Pra gatishmëria, niveli i kontrollit të territorit, kemi pasur persona të armatosur, që lëviznin në qendër të qytetit në Lezhë, para 3 ditësh.
Ledina Mandija: Zoti ministër, që të jem më konkrete, meqenëse ju thoni që në Lezhë ka pasur probleme, ka pasur makinë me armë para tri ditëve dhe ndërkohë, drejtori i Lezhës paska lejuar që të ketë, d.m.th që ministri i Brendshëm është në dijeni që qarkullojnë makina me armë nëpër Lezhë, atëherë….
Dritan Demiraj: Atë nuk e di unë a ka pasur dijeni, për atë duhet të pyesni këta, vartësit e vet, a ka pasur dijeni apo nuk ka pasur dijeni, ne denoncimet i kemi pasur përditë, unë si ministër kam pasur denoncime për në Lezhë, Dibër, në Pukë.
Ledina Mandija: Ju thatë që në Lezhë, me siguri ka pasur makina me armë, pra ka qenë ky fenomen.
Erinda Ballanca: Në Lezhë, nuk ishte në nivelin e lartë të sigurisë, d.m.th, grupi kur vajtën, nuk u gjet Komisariati në atë nivelin e duhur të gatishmërisë, kjo ishte ajo që thatë ju.
Dritan Demiraj: Ajo që thashë unë është qind për qind kjo që thoni ju, por ama në rast se do ta them më thjesht, është që realisht në Lezhë, kishte persona me precedentë kriminalë, lirshëm para Komisariatit, para sheshit të Policisë, vetëm 5 metra larg, mos të them edhe 2 metra lart, madje edhe ministri i Brendshëm prezent.
Ledina Mandija: Atëherë, a mund të garantohet procesi zgjedhor nga një drejtor Policie i tillë, i cili lejon elementë kriminalë të sillen rreth e rrotull Komisariatit?
Dritan Demiraj: Çfarë mendimi keni drejtor, jo se je edhe më i vjetër në Polici?
(I drejtohet Altin Qatos).
Unë them se nuk është për të qeshur, por është për të qarë dhe është përgjegjësia juaj e drejtpërdrejtë, e drejtuesve të Policisë, nuk po them e jotja, të gjithëve ju, kam 3-4-5 ditë që jua kam lënë juve, për situatën e Lezhës, edhe për disa rrethe të tjera dhe kam shkuar kam bërë policin unë vetë atje, në çdo rreth, kështu që kjo, nuk është për të qeshur. Prandaj, merrni masat, ndërroni njerëzit që janë për t’u ndërruar./panorama/a.m.