• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, March 27, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Moikomi ishte mistik i Mesjetës, i maskuar si njeri i Rilindjes. Nisej të zbulonte diçka por gjithnjë zbulonte diçka tjetër

by Ardian Vehbiu
15/06/2020 14:46
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Ardian Vehbiu 

Kjo ditë nisi me lajm të keq: qenka ndarë nga kjo botë Moikom Zeqoja. Madje mjafton të them: MOIKOMI, dhe kam folur.

Emër që nuk kish nevojë për mbiemrin, mit i shkronjës shqip, i kulturës shqip, që funksiononte si institucion.

I sëmurë prej kohësh, i drobitur, i mpakur, nuk kish lejuar t’i humbiste asnjë foton drite, nga shkrimet. Moikomi – që artistët e mbanin më shumë për dijetar erudit, dhe dijetarët për artist erudit; ishte edhe produkt, edhe viktimë e kuriozitetit të tij gargantuan.

Poet, prozator, historian, arkeolog, studiues, bibliofik madje biblioman. Nuk ka emër që ta përmbajë. Librat e tij na zbukurojnë bibliotekat. E tërhiqte pa masë e shkuara, por vetëm e fermentuar në simbolikë: e lexonte me qasjen e një mistiku.

E tërhiqte e shkuara shqiptare, si një lloj manifestimi unik të shpirtit – ANIMA MUNDI; madje deri atje sa ta lexonte botën në prizmin e kësaj shqiptarie të amshuar. Marr tani nga rafti një libër të tijin, ndoshta për të më të dashurin (këtë ANIMA MUNDI, i vetmi që gjithnjë më pyeste nëse e kisha lexuar) dhe e hap në një faqe kuturu. Lexoj:

Procesi i rikrijimit të njeriut është një “imitatio Dei.” Poetët janë shkrimtarët e fjalëve, dhe si pasojë janë të papërkthyeshëm, sepse kur i përkthejnë fjalët e tyre ato zhduken. Rrëfimtari i një tregimi është një rrëfimtar pa qenie. Sepse vetë tregimi është tregimtari i vërtetë. Tregimi tregohet vetë. Në këtë kuptim, Patriarku është para së gjithash Matriarku (bëjnë fëmijë), domethënë ky është Zoti. Imitatio Dei, është njëkohësisht edhe “Imitatio Deae”.

Kështu dua ta kujtoj Moikomin: edhe të iluminuar, edhe të pakuptueshëm. Racional të kthjellët, aq sa mund të jetë i tillë zhbiruesi i teksteve të shkruara; por edhe irracional e të mjegullt, sa ç’mund të jetë, madje sa ç’duhet të jetë, poeti. Kish një lloj mahnitjeje intelektuale, ndaj gjërave që gjente – gjërave që kujtonte se gjente – e cila nuk e linte të arsyetonte ftohtë. Një mahnitje që e shtynte drejt analogjive.

Moikomi ishte mistik i Mesjetës, i maskuar si njeri i Rilindjes, Renaissance man. Nisej të zbulonte diçka por gjithnjë zbulonte diçka tjetër, hutohej dhe harronte për ku ishte nisur, dhe pastaj harronte edhe ku kish mbërritur. Studiuesit ndonjëherë nuk bindeshin, madje prisnin që t’i shkrihej dylli me të cilin kish ngjitur flatrat që t’i thoshin: “të thamë që do të rrëzoheshe!”; njerëzit e artit trembeshin prej dijes së tij dhe e gjykonin si tepër cerebral, për të qenë artist.

Përsiatjet e tij janë gjithnjë analogjike. Nga e ngjashmja, tek e ngjashmja. Kur flet për Nostradamus-in, një tjetër mistik me të cilin do të jetë ndier shpirtërisht i afërt dhe për të cilin ka shkruar një libër, i përmend një kalim me anije për nga Durrësi i tij (po aq kozmopolit sa edhe Moikomi vetë), sikurse i përmend arbëreshët e Kalabrisë së origjinës.

I përmend “Mesharin” e Buzukut, një libër i botuar në të njëjtin vit, 1555, me atë kur botoi Nostradamus-i profecitë. Pastaj përmend disa katrena ku ky “profet” flet për shqiptarët, dhe supozon se ai mund ta ketë njohur Barletin. Pastaj kalon te stratiotët, dhe te Lufta e Kosovës, që mund të jetë përmendur edhe ajo te katrenat. Nuk është se ia beson profecitë – por ia admiron vizionin. Sikurse beson si kabalist i mirë se, po të zotërojë alfabetin e duhur, mund të nxjerrë nga një tekst gjithçka.

Metoda e Moikomit, nëse mund ta quaj kështu, nuk ishte mirëfilli shkencore: atje ku të tjerët e përvetësonin dijen si tekst, ai e shkoqiste si kod. Kam dyshuar për një ndikim, në misticizmin e tij, nga sufizmi bektashi; i përthyer në ezoterizmin perëndimor. Kur ia lexon përsiatjet – dhe nuk janë pak – gjithnjë të duket sikur ai përshkruan majën e ajsbergut, duke e lënë pjesën tjetër nën ujë; dhe jo ngaqë luan me lexuesin, por ngaqë forca e tij, si autor, i ka rrënjët te sekreti.

Madje mund të thotë njeriu se Moikomi zbulonte një pjesë të vogël të këtij sekreti, për lexuesin, në mënyrë që ta bënte këtë të vetëdijshëm për pjesën tjetër. Shkruante – dhe nuk shkruante pak – që të ankohej, që të psherëtinte, për çfarë nuk mund të shkruhej. Sendërgjonte harta planetesh dhe galaktikash që lexuesi përndryshe nuk do t’i vizitonte dot kurrë. Nuk shihte as vizitonte botë të tjera, por shihte dhe vizitonte ndryshe.

Edhe pse ka shkruar poezi, dhe shumë të mira, poezia më e mirë e Moikomit shprehet pikërisht te kjo aftësi për të vendosur lidhje mes shkronjave simbolike të botës, dhe për t’i qepur këto në fjalë dhe metafora. Ambicia e tij ishte që në vepër të përfshinte mbarë botën e letrave. Por unë tani e kam të vështirë të përfytyroj se cila botë letrash mund ta përmbajë veprën e Moikomit.

Të qoftë dheu i lehtë, i dashur mik.

Next Post
Provimi përballë dijes

Provimi përballë dijes

Comments 1

  1. s.h. says:
    6 years ago

    Te qofte dheu i lehte, i dashur mik! Kaq do mjaftonte si fjale e pare, pas largimit te nje miku. Analiza apo recenca e punes se tij krijuese, mund te priste per pak kohe.

    Reply

Leave a Reply to s.h. Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Trump i zgjat afatet Iranit për ngushticën e Hormuzit

Trump i zgjat afatet Iranit për ngushticën e Hormuzit

March 26, 2026
“Kam ardhur të rilidhem me rrënjët”, nipi i Aleksandër Moisiut: Shqipëria, vend interesant

“Kam ardhur të rilidhem me rrënjët”, nipi i Aleksandër Moisiut: Shqipëria, vend interesant

March 26, 2026
Merr fund ëndrra e Botërorit për Shqipërinë. Polonia fiton me përmbysje në Varshavë

Merr fund ëndrra e Botërorit për Shqipërinë. Polonia fiton me përmbysje në Varshavë

March 26, 2026
Kosova shkruan historinë. Fitore spektakolare në Bratislavë dhe tani është vetëm 90 minuta larg Botërorit

Kosova shkruan historinë. Fitore spektakolare në Bratislavë dhe tani është vetëm 90 minuta larg Botërorit

March 26, 2026
Kristi flet për largimet nga muri i Big Brother: Çfarë e detyronte banorin të ikte

Kristi flet për largimet nga muri i Big Brother: Çfarë e detyronte banorin të ikte

March 26, 2026
BBC: Rritet çmimi i karburanteve nga frika e luftës në Izrael

Pasojat ekonomike të luftës- Vendet marrin masa për të ulur ndikimin e konfliktit në Lindjen e Mesme

March 26, 2026
Botërori 2026 vjen me risi, FIFA miraton 5 rregulla të reja

Botërori 2026 vjen me risi, FIFA miraton 5 rregulla të reja

March 26, 2026
Kosova e papërmbajtur! “Dardanët” shënojnë golin e katërt ndaj Sllovakisë

Kosova e papërmbajtur! “Dardanët” shënojnë golin e katërt ndaj Sllovakisë

March 26, 2026
Qeveria e Orban akuzohet për presion të votuesve përpara zgjedhjeve në Hungari

Qeveria e Orban akuzohet për presion të votuesve përpara zgjedhjeve në Hungari

March 26, 2026
“Në mungesë të shikimit kam…”/ Stenaldo flet pas eliminimit nga BBV: Kam fituar zemrat e njerëzve

“Në mungesë të shikimit kam…”/ Stenaldo flet pas eliminimit nga BBV: Kam fituar zemrat e njerëzve

March 26, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In