Hapja e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit dhe spiunët po dominojnë debatin politik që nga fundi i muajit korrik të këtij viti. Në Kuvend janë depozituar 6 nisma ligjore për lustracionin dhe hapjen e dosjeve, ndërsa do të referohen edhe dy nisma të tjera nga mazhornaca. Në seancën e fundit parlamentare u miratuan disa ndryshime në ligjin e vitit 2015 për informimin mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, duke i hapur rrugë Autoritetit të Dosjeve që të mund të verifikojë edhe politikanët që kanë marrë më parë certifikata të pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini dhe Bezhani. Ndryshimi ligjor u nxit nga precedenti ‘Meta’, pasi Autoriteti i Dosjeve pretendoi në korrik 2022, se Ilir Meta kishte qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, por ligji nuk e lejonte ta verifikonte plotësisht për shkak të një klauzole të propozuar nga LSI-ja në vitin 2015, ku ndalohej me ligj verifikimi i peronave që kishin marrë më parë një certifikatë pastërtie të figurës. Një certifikatë të tillë e kishte edhe Ilir Meta.
Ish-presidenti vijon të pretendojë se nuk ka lidhje me ish Sigurimin e Shtetit dhe se sipas tij kemi të bëjmë me një manipulim dhe falsifikim nga Autoriteti i Dosjeve për interesa politike. Meta kallëzoi anëtarët e Autoritetit të Dosjeve për falsifikim dhe për një sërë veprash penale, por kallëzimi u hodh poshtë nga Prokuroria e Tiranës i pabazë. Argumenti kryesor i Metës është pretendimi se në emrin e tij nuk ka një dosje, me të gjitha elementet përshkruese, siç operohej për çdo bashkëpunëtor.
Sot Shqiptarja.com sjell një rast të pazakontë se si është zbuluar një nga spiunët më të kamufluar dhe famëkeq të ish Sigurimit të Shtetit, ndonëse dosja e tij kryesore ishte zhdukur. Bëhet fjalë për agjentin Hodo Kushi, i nderuar pas vendosjes së pluralizmit si simbol i persekutimit të regjimit komunist dhe i qëndresës. Madje u shpërblye nga pushteti i PD-së në poste të larta publike. Historie e Hodo Kushit trajtohet në librin me titull ‘Mëkatarët’ të Nazif Bezhanit, ish kryetar i Komisionit Shtetëror për Kontrollin e figurës së zyrtareve dhe personave të larta, për lidhjet e tyre me ish-Sigurimin e Shtetit.
Nazif Bezhani shkruan se gjatë verifikimit, Hodo Kushi, i dënuar me 15 vite burg si armik i popullit, rezultoi i pastër, pasi dosja e tij ishte zhdukur në mënyrë misterioze. Hodo Kushi u zbulua si spiun i Sigurimi të Shtetit rastësisht, pasi emri i tij doli në materialet e subjekteve të tjera. Me pseudonimin i ‘Penduari’, Kushi i shërbeu ish Sigurimit të Shtetit për 11 vite nga burgu në burg. Në një libër me kujtime, Nazif Bezhani e quan Kushin një ambasador të të ish Sigurimit të Shtetit.
Kushi u stërvit nga ish Sigurimi i Shtetit, kaloi teste torturash, duke depërtuar më pas në mes të të burgosurve politikë, të cilët ishin intelektualë dhe personalitete të spikatur, të konsideruar si të rrezikshëm nga regjimi. Hodo Kushi fitoi edhe besimin e priftit të mirënjohur Zef Pëllumbi, ku pas miqësimit, nisi të spiunonte mendimet e tij në organet e ish Sigurimit të Shtetit.
Pjesë nga rrëfimi i Nazif Bezhanit
“Me një ngjarje të tillë, shumë tronditëse, u ballafaqova qysh në muajt e parë të veprimtarisë të Komisionit. Lajmi bombë, që më njoftoi Arbeni i arkivit, do të mbetet në kujtesën time sa të jetë jeta. Në fakt, në atë muaj shihnim drama të çuditshme në ekranet e kompjuterëve, por jo si kjo, aq tronditëse sa e bënte të pabesueshme. Ishte historia e një agjenti të kualifikuar, i quajtur Hodo Kushi, i dënuar me 15 vjet heqje lirie, si armik i popullit. Siç provohet nga dokumentacioni i administruar, ai pranon me vullnet të plot të vihet në shërbim të organeve të Sigurimit të Shtetit, si i penduar, për të shlyer fajin e bërë, dhe e zgjedh vetë edhe pseudonimin e tij: “penduari”.
Për 11 vjet, ndonëse agjent i Sigurimit të Shtetit, i është nënshtruar torturave çnjerëzore, për të fituar besimin e të burgosurve, objekt i veprimtarisë së tij agjenturore. Për 11 vjet, ai kaloi nga burgu në burg, gjoja me dënime disiplinore, por, në fakt, me shërbime tepër speciale, të përgatitura me kujdes nga organet e specializuara të Sigurimit te Shtetit. Me përmbysjen e diktaturës, Hodo Kushi përfiton statusin e të persekutuarit politik, bile me nderime të veçanta. Ai emërohet menjëherë në funksione të larta të shtetit dhe bëhet një njeri i besueshëm e me perspektivë.
Kur në vitin 1997 u bë ndërrimi në drejtimin e shtetit, pritej që të lëvizte nga vendi edhe Hodo Kushi. Në fakt, ai lëvizi nga vendi, por me një lëvizje paralele, ndoshta më e preferuar. Kur Komisioni i dërgoi arkivit të SHISH-it emrin e Hodo Kushit, për kontrollin paraprak të figurës së tij, ai e kaloi me sukses këtë provim, sepse emri i tij nuk figuronte në asnjë vend. Por, disa ditë më vonë, më njoftuan lajmin-bombë, se Hodo Kushi figuronte si një agjent i madh i Sigurimit të Shtetit, me një aktivitet shumë të gjerë. Në fakt, dosja e tij figuron e zhdukur, pa asnjë shpjegim, pra, një zhdukje e qëllimshme dhe misterioze; por, megjithëkëtë, ai nuk i shpëtoi dot zbulimit, për shkak se shumë nga raportet e tij figuronin edhe në materialet e të burgosurve të tjerë. Janë, pikërisht, këto materiale që hodhën dritë mbi veprimtarinë e këtij agjenti.
Pas marrjes së këtij lajmi, shkova menjëherë në arkivin e SHISH-it. Këmbëngula të bëheshin kërkime të mëtejshme për gjetjen e dosjes së tij, edhe pse në atë kohë gjendja e sallës, ku qëndronin dosjet ishte një rrëmujë e plotë, që të jepte përshtypjen e një çrregullimi të vullnetshëm për të penguar kryerjen e kontrollit. Në atë sallë të madhe, pa asnjë raft, shumica e dosjeve, të grumbulluara pa asnjë kriter arkivor, ishin nëpër thasë apo në togje të parregullta. E si mund ta gjeje një dosje në mijëra të tilla të hedhura mbi njëra-tjetrën? Për të gjetur një dosje duhej përmbysur i gjithë fondi i arkivit, por, për ta bërë këtë, duhej të kalonin ditë.
Ishte fat kur të dilte ndonjë dosje pa të munduar. Megjithatë, këmbëngula që të vazhdonin kërkimet për gjetjen e dosjes së tij, me qëllim që të hidhej dritë e plotë mbi të kaluarën e tij, që, me sa duket, është një dramë e madhe dhe e rrezikshme. Por edhe nga materialet e gjetura del më se e qartë historia rrëqethëse e Hodo Kushit, histori që përbën një skenar dramatik e të trishtuar. Kur lexova të dhjetë fijet e raporteve të tij, mbeta i shokuar. Në ngjarje të tilla duhet të thellohesh, të gjesh dhe të provosh ato që të mungojnë. Dhe kjo ishte tepër e vështirë, pa gjetur dosjen e plotë të tij. Por, megjithatë, ne e hetuam Hodon në rrugë të tjera, tepër të sigurta.
Hodo Kushi kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera shkollën e lartë për oficer dhe Akademinë Ushtarake në vitin 1962. Fillimisht, atij iu dha detyra e komandantit të zbulimit në një repart ushtarak të dislokuar në zonat veriore, ku tregoi një aktivitet befasues. Ai krijoi shpejt shoqëri të ngushtë jo vetëm me ushtarakët, por edhe me punonjës të niveleve të ndryshme të pushtetit lokal, si dhe me qytetarë të shumtë.
I aftë për të komunikuar me njerëz të moshave të ndryshme dhe me nivele të ndryshme kulture, ai krijoi besim të madh tek ata, çka i shërbeu për të kryer me sukses detyrën e tij të zbulimit. Për pasoje, raportet që u dërgonte ai organeve eprore, ishin analiza të plota e të sakta, që shtronin për zgjidhje probleme serioze. Por, me gjithë sukseset e tij, Hodua nuk u la të punonte në zbulim. Ai u transferua, me një rritje të theksuar, komandant Korpusi. Këto shkallë te hierarkisë ushtarake Hodo Kushi i ngjiti në një moshë shumë të re dhe për një kohë shumë të shkurtër. Por, më vonë, shkalla e tij e ngjitjes u thye dhe Hodua përfundoi në greminë.
Siç del nga dokumentacioni, thyerja e shkallës së tij nuk ishte e rastësishme, por një vepër e shëmtuar e shokut të tij të ngushtë, Arjan Koja, operativ në Degën e Punëve të Brendshme. Ky, pra, ia përgatiti skenarin dramatik të jetës së tij. Hodua e kishte njohur Arjanin fare rastësisht, në shtëpinë e oficerëve, por u miqësuan shpejt me njëri-tjetrin dhe flisnin mbarë e mbrapsht, duke qenë të sigurt se të dy i përkisnin atij regjimi dhe asgjë nuk do t’ u ndodhte. Por nuk ishte pikërisht ashtu. Shoku i tij, Arjani, e kishte për detyrë të regjistronte çdo fjalë të dyshimtë të
Hodos. Dhe një ditë, Arjani i thotë:
– E, more, shoku Hodo, i madh je bërë, në sy të kanë të gjithë, por e vetmja kënaqësi që të ka mbetur, është të vish këtu e të pimë bashkë një gotë birre. Apo nuk është kështu?!
– Po, shoku Arjan, ashtu është, por ky fat u ka rënë të gjithë shqiptarëve.
Përgjigja e Hodos u transformua, duke i dhënë një kuptim politik të kundërligjshëm. Ky ishte raporti i parë i Arjanit kundër shokut të tij. Por raportet miqësore të tyre vazhduan dhe, bashkë me raportet miqësore, vazhduan edhe informimet që Arjani i dërgonte Degës së Punëve të Brendshme kundër Hodos, duke siguruar se kishte të bënte me një armik të Partisë e të Shtetit. Ai këmbëngulte për arrestimin e tij, por, për të marrë një vendim të tillë, kërkoheshin prova të plota.
Në atë kohe Sigurimi i Shtetit u pajis me teknikë të sofistikuar, të dhuruar nga Republika Popullore e Kinës. Një nga këto aparate e mori Arjani dhe e vendosi në supin e djathtë të tij, midis pambukut të xhaketës.
I bindur se do të gjuante Hodon në zemër, niset për takimin që kishin lënë në shtëpinë e oficerëve. Hodua, gjithnjë i përpiktë në takime, kishte shkuar pak më parë dhe e priste në një tavolinë veçuar, në cep të sallës.
Sapo u ul Arjani, u shtruan edhe birrat.
Arjani, në këtë takim, qëndronte si i mërzitur, ndoshta i shtyrë nga qëllimi që kishte, por ndoshta edhe nga efekti që bën te njeriu një veprim i tillë i poshtër
– Diçka ke sot, – u hodh Hodua.
– Jo, asgjë!
Hodua, duke menduar se Arjani ishte i mërzitur për atë pak dëfrim që kishin në qytetin e tyre, të cilin disa ditë më parë ia kishte përmendur edhe atij, desh t’i jepte kuraje:
– Mos u mërzit, shoku Arjan, se do të ketë edhe për ne pranverë: jam i bindur për këtë. Ne jemi të rinj. Akujt do të shkrihen. Këtë birrë, që e pimë këtu, së bashku, do të vije dita ta pimë në buzë Vardarit, të Evës apo Danubit çdo të diel, ndërsa ditën e hënë do të jemi përsëri këtu, në punë.
Ishte një nga deklaratat më të çmendura të tij, për atë kohë, me fjalë të tilla që kurrë nuk i kishte thëne më parë dhe kurrë nuk i kishin shkuar ndër mend. Dhe shkaku kryesor për këtë shpërthim të tij u bë mërzia e Arjanit. Dëshira e Hodos ishte t’i jepte kurajë shokut të tij, duke e ditur se i pëlqenin ëndrra të tilla. Por këtë herë Arjani bëri të pabesuarën: përplasi birrën në tokë, u çua në këmbë dhe u përgjigj:
– Ke gabuar adresë, shoku Hodo. Unë nuk jam nga ata që mendon ti apo që të pëlqejnë ty. Më vjen shumë keq për gabimin që kam bërë, duke të thënë “shok” ty. Mirupafshim!
Hodua mbeti pa fjalë para kësaj ngjarjeje të çuditshme e të papritur, por edhe me domethënie, ndoshta serioze. Përse, vallë, e tregoi një sjellje të tillë, kur biseda si këto, në formën e dëshirave dhe të ëndrrave të mira, janë bërë çdo ditë nga vetë Arjani?! Përse të mbajë një qëndrim kaq të rëndë ndaj një shakaje të bërë për t’i kthyer humorin atij?!
Ishte e qartë se një sjellje e tillë, e pakuptim, do të ishte qëllimkeqe, ndoshta edhe me ndonjë përfundim të hidhur. Arjani përuroi teknikën e re të sofistikuar te Sigurimit, me deklaratën “armiqësore” të Hodos dhe me qëndrimin parimor të tij. Me këtë provë të pakundërshtueshme, ai përgatiti kërkesën për marrjen në përgjegjësi penale të ish-shokut të tij, Hodo Kushi.
Dhe mjaftoi ajo shaka e Hodos për t’i dhënë fund karrierës dhe, me gjerë, për të rrënuar tërë jetën e tij. Kjo histori e dhimbshme të kujton historinë e heroit të Niagarës, që, ndërsa lundronte lumturisht në liqen, e rrëmbyen dallgët e kataraktit vdekjeprurës. Mijëra m3 ujë kaluan mbi të, por ai i shpëtoi vdekjes. Dhe u quajt hero i Niagarës.
U bënë kërkesa që ai të vizitonte çdo kryeqytet, por, kur shkoi në Paris dhe po jepte autografe, shkeli mbi një lëvozhgë portokalli, rrëshqiti dhe vdiq në vend. Të gjitha ngazetat kishin për titull: “Heroi i Niagarës e gjeti vdekjen nga një lëvozhgë portokalli!”.
Edhe për Hodon nuk u desh më shumë, vetëm një shaka e paqëllimtë apo një “lëvozhgë” e sojit “merimange” atij soji të pashpirt, që dinë të thurin vetëm rrjeta dhe të gëzohen për do viktime!
Thonë se mëkati sjell mëkatin. Hodo Kushi, që kishte ëndërruar familjes, u përplas në terrin e qelisë. Gjendja shpirtërore e tij, tanimë, ishte e rrënuar. Ai mallkon veten që nuk diti të përmbahej para cilitdo e të shikonte vetëm familjen dhe detyrën – dy shtyllat kryesore, ku mund të siguronte lumturinë e tij. Dhe fajin vendosi që ta shlyente për ta ndier veten shpirtërisht më të qetë. Vendimit të tij iu përgjigj menjëherë Sigurimi i Shtetit. Atë e pranuan fillimisht si informator, me pseudonimin “i penduari”, pastaj agjent, me të njëjtin pseudonim.
Por Hodoja nuk ishte i penduar si Jak Gaspër Jaku për të braktisur organet e Sigurimit të Shtetit, por për të bashkëpunuar me to, duke dhënë çdo prove të besnikërisë së tij, derisa të shlyente fajin që kishte bëre. Në këtë mënyrë, me vullnetin e tij të plotë, Hodo Kushi hyri në rrjetën e organit të mëkatarëve.
Historia e të burgosurit agjent, Hodo Kushi, fillon me seanca torturash, për të krijuar besimin te të burgosurit, se ai ishte me të vërtetë një armik i betuar dhe i vendosur i shtetit monist. U fut në qelinë e zezë”, nga e cila dëgjoheshin të bërtiturat e tij të llahtarshme nga torturat që i bënin. Dhe, kur e nxirrnin nga “qelia e zeze”, ai ndiente solidaritetin dhe mëshirën e të tjerëve. Por përsëri e torturonin, shpesh tortura të vërteta, sepse misionin e tij e dinte vetëm një.
Gjithsesi “i penduari” ishte i vendosur të përballonte do gjë, vendosmëri që u vlerësua nga të gjithë të burgosurit politikë.
Siç del nga kartelat e tij, “i penduari”, gjatë vitit 1976 e deri në vitin 1987 ka kryer një numër të madh shërbimesh të rëndësishme, të ngarkuara nga Sigurimi i Shtetit, duke kaluar nga një burg në tjetrin, gati në të gjitha burgjet e Republikës. Kështu, për shembull, në bazë te kartelës nr. 8154, date 20/1/1976, ai figuron në burgun politik të Burrelit, i ngarkuar me shërbime të një rëndësie të veçantë.
Si një ambasador potencial i Sigurimit të Shtetit, në të gjitha burgjet e Shqipërisë, ai u miqësua me personalitete të rëndësishme, nga mori dhe raportoi mendimet e tyre.
Ja çfarë thotë ai në raportin e datës 2/2/1986 për priftin e mirënjohur Zef Pullumbi: Zef Pëllumbi vazhdimisht më thotë se në vendin tonë po afrohet një faliment ekonomik. Tregu nuk disponon asgjë. Çdo ditë e më shumë po keqësohet gjendja e masave”.
Në raport shton se konkluzionet e Zef Pëllumbit kanë një burim të jashtëm. Ai takohet shpesh me murgeshën…, me të cilën bisedon për gjithçka, sidomos për mendimet që kanë miqtë e tij.
Ç’ ndodhi më vonë, nuk u mor vesh, por murgesha nuk shkoi më për të takuar të gjorin Zef Pëllumbi. Ai bëri edhe një përpjekje tjetër, kur u lirua nga burgu prifti Aleks Bercli. Zefi i ishte lutur per të plotësuar disa porosi, por prapë mbeti pa informacionin e nevojshëm. Është e sigurt se të gjitha këto kanë ndodhur për shkak se z. Zef Pëllumbi nuk e dinte se miku i tij raportonte për gjithçka i besonte ai.
Në një raport tjetër të agjentit “i penduari” tregohet vlerësimi i
Z. Zef Pëllumbi për presidentin e ri të vendit… Ai është shprehur: “Ky shkodrani ynë nuk po na ban gja, se asht mësue me qëndrue nën çadrën e të tjerëve”. Dhe më tej tregon se “kur i thashë se shumë gjëra po ecin më mirë, Zefi u shpreh se duhen bërë sa më shpejt ndryshime më të ndjeshme; duhet bërë kthesë e madhe, siç po bahen edhe në vendet e tjera socialiste”
“I penduari”, me aftësitë e tij të jashtëzakonshme, ishte shndërruar në një transmetues “burg-Sigurim” për çdo diskutim dhe për do shprehje të rëndësishme të të burgosurve…. Raportet e agjentit të madh “i penduari” vazhdojnë pa mbarim, qofshin për ish-komunistë apo të djathtë, të dënuar për veprimtari politike dhe të konsideruar të rrezikshëm për shkak të mos reflektimit të tyre. Në një raport tjetër, ai jep komentet e bëra nga shumë të burgosur politikë për Kongresin e 9-të të PPSH-së. Në raport numërohen një grup i madh dhe kurioz i të burgosurve që ndjekin rregullisht lajmet e televizionit, si dhe të tjerë që dëgjojnë radiot dhe lexojnë gazetat.
I burgosuri I. M. thotë: “U këputëm duke parë televizorin dhe duke lexuar gazetën, por të njëjtat gjëra thonë. E ç’mirëqenie mund të ketë, kur rrogat kanë mbetur të mbërthyera në 4.500 lekë qysh nga çlirimi i Shqipërisë?! Na dhemb koka kur dëgjojmë vetëm shifra të thata, që nuk të hyjnë në xhep!”.
Kurse M. R. shprehet me optimizëm: “Të jeni të bindur se do të dalim shpejt nga burgu, bile u deklaroj se unë, bashkë me Dangëllinë, që ka bëre 30 vjet burg, do të bëhemi menjëherë milionerë, duke dhënë intervista!”
Por te shumë të tjerë vërehen shprehje pesimiste dhe mungesë besimi. Kështu, të burgosurit L G., L. L., A. M. thonë se tani që nuk dolëm nga burgu, spiunëve të komandës dhe atyre të Sigurimit do t’u hyjmë vendçe!”. Të burgosurit i njohën shumë nga informatorët e komandës dhe të Sigurimit, për shkak të veprimeve të tyre ordinere dhe komprometuese.
Veprimtaria 11-vjeçare, në burg, e agjentit “i penduari”, është për disa vëllime, por, në shkrimin tim, synohet të portretizohet figura e njeriut viktimë e pakujdesisë së tij, që kërkon të dalë nga gremina duke e futur më thellë veten. Me fillimin e proceseve demokratike, u duk sikur agjenti “i penduari” mori “krahët e zogut të natës” dhe u ngjit lartësive. Ai lirohet nga burgu dhe trajtohet me nderime të mëdha. I jepet një post i lartë drejtues, të cilin e mbajti deri në vitin 1997.
Kur u bë ndërrimi i pushteteve, u mendua se edhe Hodua do të flakej në rrugë, si shumë shokë të tij, por jo, çuditërisht, ai mbeti në një post paralel të rëndësishëm, në rang zëvendësministri. Prandaj, si drejtues i lartë, iu dërgua Komisionit kërkesa për kontrollin e figurës së tij.
Kur u ballafaqova me dokumentacionin e këtij agjenti, krahas detyrimit ligjor për largimin e menjëhershëm të tij nga funksioni që mbante, ndjeva edhe një keqardhje të thellë për dramën e madhe që ka përjetuar familja e tij, një dramë e pamerituar. Një motiv i tillë më shtyu për të kërkuar një “zbritje të butë” nga posti që mbante, i parashikuar në ligji për figura të pastra; të emërohej në një funksion tjetër më të ulët, ku të mos kishte pengesa ligjore. Për këtë qëllim i bëra një thirrje zyrtare për ta biseduar paraprakisht problemin, por jo vetëm që nuk erdhi, por as denjoi të më kthente një përgjigje. I bëra edhe një thirrje tjetër, duke i përcaktuar datën dhe orën, por i njëjti qëndrim. Edhe një herë, që rastësisht u ndodhem ballë për ballë, ndryshoi drejtimin. Nuk më mbeti rrugë tjetër veç të veproja konform dispozitave të ligjit. Çështja iu shtrua Komisionit, i cili miratoi unanimisht largimin e tij nga detyra. Ky ishte shpagimi ligjor i merituar për mëkatet e tij”./Adriatik Doçi-Shqiptarja.com