Dr. Niketa Koliçi, mjeke neonatologe në Spitalin Amerikan, jep disa këshilla se si të mbroni dhe të trajtoni fëmijet tuaj në këto ditë virozash.
Gripi është një infeksion i rrugëve respiratore i shkaktuar nga virusi influenza.
Gripi shpërthen çdo vit, zakonisht mes muajve nëntor dhe prill. Për shkak të ndryshimeve të shpeshta që pësojnë viruset e influenzes njerëzit nuk jane imunë për kohë të gjata. Kjo është arsyeja pse mund të sëmuremi disa herë brenda vitit me grip. Termi virozë e stinës ka të bëjë me viruset e influenzës që përhapen çdo vit.
Si përhapet gripi?
Viruset e influencës qendrojnë në hundë dhe orofarings. Fëmijët mund ta marrin nga motrat e vëllëzërit, prindërit, shokët e shkollës apo edukatoret.
Sporet zakonisht përhapen nëpërmjet:
• Kontaktit të drejtpërdrejtë- puthja apo prekja me persona të sëmurë
• Kontaktit jo të drejtpërdrejtë – nga prekja e të njëjtave objekte me personat e sëmurë
• Nëpërmjet ajrit- nga tështimat ose kolla
Si ta kuptojmë kur fëmija është me grip?
Simptomat më tipike të gripit përfshijnë:
• Temperaturë të papritur
• Dhimbje koke e muskujsh
• Lodhje të shprehur
• Kollë të thatë
• Mungesë oreksi
Tek fëmijet këto shenja shpesh shoqërohen me :
• Temperaturë të lartë e pashpjegueshme, pa shenja të tjera shoqëruese
• Shpesh ka temperaturë mbi 39.5 që shoqërohen edhe me konvulsione
• Dhimbje stomaku, të vjella dhe diarre
• Dhimbje veshi, sy të skuqur
A mund të shkaktojë gripi komplikacione të tjera?
Në individët e shëndetshëm gripi kalon pa problem serioze, temperatura dhe dhimbjet e muskujve zgjasin 2-4 ditë, kurse kolla dhe lodhja mund të vazhdojnë edhe për dy javë.
Te fëmijët mund të ndërlikohet me laringite, bronchiolitis apo pneumoni.
Gripi dobëson sistemin imunitar duke mundësuar mbivendosjen e infeksioneve bakteriale të veshit, mushkërive apo sinuseve.
Gripi është më i rrezikshëm në fëmijet më të vegjel se 2 vjeç të cilët janë të prekur nga sëmundje kronike të zemrës, mushkërive apo që vuajnë nga problemë neurologjike.
Në raste të rralla gripi shkakton komplikacione të zemrës apo trurit.
Kur duhet ti drejtohemi mjekut?
Nëse bebi juaj është më i vogël se 3 muajsh dhe:
• Ka vështirësi në frymëmarrje
• Nuk ushqehet apo vjell
• Ka temperaturë > 38
Nëse fëmija juaj:
• Merr frymë shpejt dhe me vështirësi
• Ka dhimbje gjoksi dhe kollë me gjak
• Kur kolla i provokon edhe të vjella
• Merr shumë pak lëngje ose ka mbi 6 orë zgjuar,pa urinuar
• Vjell për më shumë se 6 orë rresht,ose ka diarre profuze
• Kur temperatura vazhdon për më shumë se 5 ditë
Dërgojeni urgjentisht në spital fëmijën tuaj nëse:
• Ka vështiresi të theksuar për të marrë frymë, ose i janë nxirë buzët
• Është i plogësht ose nuk mund të lëvizë
• Kur nuk arrini ta zgjoni dot
• Ka qafën të ngurtësuar
• Është konfuz dhe nuk orientohet
• Bën konvulsion
Çfarë të bëjmë kur fëmija është me grip?
• Mbajeni sa më rehat të mundeni. Ushqejeni me shumë lëngje dhe vakte të vogla me shumë kalori
• Nëse ka temperaturë, visheni lehtë dhe mbani temperaturën e dhomës rreth 20.
• Për të lehtësuar dhimbjet apo temperaturën më të lartë se 38.5 përdorni paracetamol. Ibuprofeni nuk duhet përdorur në fëmijët < 6 muajsh. Përdorni dozën e rekomandur nga mjeku jo më shpesh se 4 orë. Mos përdorni aspirinë.
• Mos përdorni antigrip te fëmijët më të vegjel se 6 vjeç
• Nëse fëmija juaj vuan nga sëmundje kronike që mund të dëmtojnë sistemin imunitar drejtohuni mjekut në dyshimin e parë që keni për gjendje gripale.
Si mund të parandalojmë shpërhapjen e gripit?
• Mënyra më e mirë e parandalimit është vaksinimi. Fëmijët mbi 6 muaj duhet të vaksionohen një herë në vit. Vaksina është shumë e rëndësishme sidomos për fëmijët < 5 vjeç dhe ato që vuajnë nga sëmundje kronike
• Kur në shtëpi kemi fëmijët më të vegjel se 5 vjeç duhen vaksinuar edhe anëtarët e tjerë të familjes
• Të mbahet me rigorozitet higjena e duarve
• Të shmangen shkëmbimet e lodrave dhe objekteve personale.
a.ç