Pandemia është mbyllur, por problemet që la pas koronavirusi janë ende të hapura. Tek shumë persona sipas mjekëve Covid ka agravuar sëmundjet kronike, tek të tjerë ka nxjerrë në pah probleme të fshehura ndërsa disa i ka lënë me pasoja. Më shumë se tre vite e gjysmë pas shfaqjes së virusit specialistët thonë se po përballen me shumë sfida.
“Në fillimet e veta ne nuk e njihnim si sindrom. Na dukeshin si simptoma që i zgjasnin vetë Covid, por me kohë pamë dhe në numër pacientësh duke korreluar dhe me të dhënat dhe studimet botërore që ishin pasoja të Covid. Zakonisht prekin sisteme të ndryshme të organizmit ose acarojnë pathologji kronike të cilat pacientët i kanë çka do të thotë një pacient me pathologji kardiake ose të diabetit, e agravon ose e nxjerr në pah dhe tek ata që mund të ketë qenë pak e dukshme ose e padukshme ose duke lëne pasoja në sisteme të ndryshme.”
Probleme janë vënë re thuajse në çdo organ ndërsa ata që po i vuajnë janë kryesisht pacientë që e kanë kaluar sëmundjen në formë të moderuar dhe të rëndë.
“Siç janë dhimbjet e kyçeve, ka mjaftë pacientë që i referojnë, në përkufizim thuhet tre muaj pas kalimit të Covid, por në praktikën e përditshme po i shikojmë edhe shumë muaj pas kalimit të sëmundjes, prekje të sistemit nervor, prekje të memories, degjimit nuhatjes, ndryshime në zë. Çregullime në metabolizëm, rënie të pashpjegueshme në peshe që jepte Covid dhe kanë mbetur më pas, pasoja në sistemin gastro intestinal, prekje të sistemit urinar”
Për shkak të problemeve multiorganore që shfaq te pacientët trajtimi i pasojave të Covid sipas specialistëve kërkon angazhimin jo vetëm të të gjithë shërbimeve shëndetësore, por dhe atij psikologjik duke vënë përpara sfidave të gjithë sistemin.
/f.s