Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, ka thënë për stacionin privat televiziv RTL të Kroacisë se mbështetja për fashizmin nuk është në rritje në vend, duke argumentuar se çdo problem është duke u shkaktuar nga grupet e margjinalizuara dhe kjo çështje është duke u ekzagjeruar nga Serbia.
“Le të mos përqendrohemi në një fashizëm ‘të dobët’. Serbia është ajo që po e vë në pah këtë gjë. Unë shoh incidente individuale”, ka thënë ajo, duke pretenduar se mediat i kanë dhënë së tepërmi vëmendje ndonjë incidenti të mundshëm.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Grabar Kitaroviç ka këmbëngulur se akuzat janë nxitur nga veprimet e grupeve të margjinalizuara dhe vlerëson se Kroacia nuk duhet t’i pranojë ato.
Ajo ka përdoruar edhe një shprehje figurative paksa vulgare të cilën mediat në Beograd shkruajnë se e ka bërë për serbët. “Mos heqim brekët para askujt”- ka thënë Grabar Kitaroviç.
Ajo është pyetur në lidhje me pretendimet për rritjen e simpatisë për fashizmin, për shkak të një marshimi të mbështetjes së presidentit amerikan, Donald Trump në qendër të Zagrebit, në fund të shkurtit, të organizuar nga partia e ekstremit të djathtë “Autochthonous Croatian Party of Right”.
Të djathtët tundnin flamuj të ustashëve si dhe flamurin e nazistëve gjermanë, duke marrë kritika nga ambasada amerikane në Zagreb.
Mediat e huaja shkruajnë se Departamenti Amerikan i Shtetit është shprehur në një raport të botuar në lidhje me nacionalizmin e dhe intolerancën në rritje ndaj serbëve dhe romëve në Kroaci, si dhe rritjen e rasteve të nostalgjikëve të ustashëve dhe anti-semitizmit.