Nga Ben Andoni/
Ka mjaftuar një twitter i shkruar me apoteozë prej kryeministrit shqiptar, që kryeministri serb Vuçiç t’i përgjigjej sakaq me dy syresh. Argumenti dihet: fitorja në tavolinë e shqiptarëve. Por, ç’ka qenë më e lodhshme ishte se një twitter i dytë i Ramës ka përcjellë sërish reagimin e Vuçiç. Dhe, menjëherë në të gjithë këtë tallava të rrjeteve sociale, janë bashkuar si gjithnjë moria e gjysma-artistëve, gati-artistëve, sportistëve, burokratëve, patetikëve e mbi të gjitha bjerraditësve.
Shqipëria ende s’ka shkuar në Francë, por për herë të parë i jemi afruar pragut të një aktiviteti ndërkombëtar sa nuk mban më, e mu tani duket pesha e një vendi, që i duhet të mbledhë forcat dhe të përqendrohet e gjitha në qëllimin që do të arrijë. Vende si Shqipëria shpesh kanë arritur në këtë stad, por janë djegur në momentet e fundit, sepse gara mbaron kur pritet finishi. Dhe Shqipëria s’ka arritur akoma. I duhet të përballet me tre skuadra të forta, i duhet të ruajë kompaktësinë dhe mbi të gjitha duhet të tregojë se është një ekip i pjekur futbolli. Deri tani kemi entuziazmin, publikun dhe lojën në rritje, por s’kemi akoma produktin, që mund të tregojë gjithçka.
Ndaj, shfrenimi i njerëzve që s’kanë se çfarë të bëjnë dhe një ditë merren në twitter ose në fcb me suksesin e dronit, një ditë me rrobat e Merkelit dhe tjetrën me veshjet e Edi Ramës, nuk mjaftojnë. Kjo tollovi kombëtare të tremb edhe për faktin sesa pak penetrojnë shqiptarët në problematikën e tyre të përditshme: Në vështirësinë e jetës, në burokracinë e frikshme dhe në papërgjegjshmërinë e politikanëve. Por për ketë nuk kanë gojë patetikët shqiptarë. Të gjithë janë të angazhuar në frontin e radhës, zhurmën pas marrjes së tre pikërisht. Madje, nuk është e largët dita, që djali që ka marrë përsipër ngritjen e tij, të shpallet hero dhe madje edhe t’i afrohet emri një objekti! E nuk është e largët dita që droni të jetë në ndonjë muze ku të nxjerrim dufin kolektivisht kundër serbëve.
Por të gjitha bashkë nuk na bëjnë të jetojmë më të mirë, nuk e ulin krimin, zvogëlojnë emigrantët që shtohen nga dita në ditë Evropës dhe mbi të gjitha nuk na përcjell në Francë.
Kampionati Evropian i Futbollit do jetë një vit më vonë dhe deri atëherë të gjithë i urojmë Shqipërisë të arrijë, sepse do jetë vërtetë një shpërblim i madh, ashtu si do ishte mirë që koret e bjerraditësve që shajnë e mallkojnë pa fund nëpër internet të ndalen pak dhe të shikojnë më shumë te vetja. Nuk ndërtohet vendi me pathos kibernetik, vendi ka nevojë për pathos real, atë që të përcjell realisht te suksesi. Një e tillë duhet t’u kujtohet njerëzve që kanë mbushur rrjetet sociale me trimërinë e radhës kundër serbëve.









