Institucionet vendore dhe shoqëria civile duhet të bëjnë më shumë në rehabilitimin dhe ri-integrimin e grave kosovare të cilat kthehen nga luftërat prej Sirisë dhe Irak, u tha sot në tryezën kushtuar luftës kundër radikalizmit fetar që u mbajt në Mitrovicë
“Në tryezën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS),e mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u diskutua rreth sfidave në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, fenomen i cili ndikoi në pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës, si luftëtarë të huaj, në luftën e Sirisë dhe Irakut, duke përfshirë edhe gratë. Po ashtu u diskutua dhe për masat që duhet ndërmarrë në parandalimin e përhapjes së rrymave ekstremiste dhe radikale në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media.
Diskutuesit në tryezë u shprehën kundër çdo lloji të diskriminimit të grave të cilat kthehen nga këto vatra të luftës. Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë tha: “Nevojitet që strategjia e qeverisë të jetë sa më gjithëpërfshirëse për t’u ofruar ndihmë sidomos grave dhe fëmijëve që kthehen ngase të dhënat tregojnë se pjesëtarët e ISIS nga Kosova janë ndër të vetmit që marrin edhe familjet me vete në vatrat e luftimeve, madje edhe fëmijët”.









