Nga Skënder Minxhozi/
Afrimi i të dielës, kur Edi Rama do të mbajë një miting në Athinë me emigrantët tanë atje, ka hedhur benzinë të re mbi zjarrin diplomatik që digjet prej një viti mes Shqipërisë e Greqisë. Ndërkohë që përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe ambasadës tonë në Athinë vijojnë të kërkojnë një sallë apo stadium për mbajtjen e takimit të Ramës me bashkëkombasit e vet, kreu i opozitës greke ka qenë politikani i lartë grek i radhës që ka ardhur në Dropull pa u ndaluar apo provokuar nga askush. Ka vizituar bashkinë e Dropullit, shkollat ku mësohet greqisht dhe ka vënë lule në memorialin e Bularatit. Asnjë problem, asnjë presion, asnjë bllokim nga qeveria qëndrore në Tiranë.
Nëse Shqipëria është mësuar që t’i përjetojë me qetësi dhe vetëpërmbajtje këto inkursione të përsëritura diplomatike të fqinjëve grekë në tokën e saj (dhe shumë mirë që është kështu), ngjan krejt e kundërta me palën tjetër. Tendosja që ka shkaktuar vizita e Ramës në politikën dhe mediat greke, përmbledh njëherësh mllef dhe habi. Nuk ka qenë zakon që fqinji i varfër verior të tregojë kaq guxim dhe sfidë në rrafshin diplomatik. Në Athinë janë mësuar që paradat e politikanve e gazetarëve të ndodhnin vetëm në sens të kundërt. Janë mësuar fjala vjen që Himara të kthehet në një sfilatë parlamentarësh e reporterësh grekë në kohë zgjedhjesh këtu tek ne, por s’ishte parë që një kryeministër shqiptar të ngulë këmbë që të takojë shqiptarët në Greqi (dhjetra mijëra prej të cilëve me të drejtë vote në zgjedhjet greke), në mesin e fushatës zgjedhore atje.
Nuk dihet nëse qeverinë greke e acaron më shumë spostimi eventual i votave që mund të bëjë Rama me takimin e tij, apo kokëfortësia e kryeministrit shqiptar, i cili pasi “na la burg Belerin, vjen të na bëjë karshillëk në mes të Athinës”?!
Kjo axhendë e re e përmbysur në marrëdhëniet dypalëshe është një rrethanë shumë shqetësuese për politikën greke, pasi e tejkalon dëmin elektoral të momentit. Udhëtimi sfidues i Ramës në Greqi është një kundërsens historik, një ndryshim drastik raportesh diplomatike, një krisëm në mes të një koncerti për veshët e politikës zyrtare në Athinë.
Prej dekadash Greqia ka përdorur një linjë politike të qartë ndaj Shqipërisë, e cila ka qenë thelbësisht e shbalancuar dhe e anuar drejt interesave greke. Qeveritë greke kanë reklamuar dhe kanë marrë gradualisht të gjitha të drejtat për të cilat jua mbyllnin gojën rregullisht qeverive shqiptare. Shkolla në gjuhën greke për minoritetin, memoriale të Luftës së Dytë Botërore, mbajtje në këmbë në mënyrë paradoksale të Ligjit të Luftës, marrëveshje antikushtetuese për kufirin detar dhe mbi të gjitha kyçje totale e gojës për çdo gjë që ka lidhje me dosjen çame. Kjo ka qenë në 30 vitet e fundit marrëdhënia shqiptaro-greke ku njëra palë ka arritur gjithçka e pala tjetër thuajse asgjë.
Rasti Beleri shënoi kthesën e madhe në këtë marrëdhënie me nje drejtim. Ai që dukej si një sherr i vogël elektoral për Himarën (sa konflikte ka prodhuar një shami-vend si Himara), u kthye gradualisht në preludin e një stine krejt të panjohur në raportet historike mes dy vendeve. Teksa Athina, në vazhdën e traditës shumëvjeçare, i mori me radhë mjetet e saj të presionit mbi Tiranën zyrtare pas arrestimit të Fredi Belerit, për herë të parë Evropa i përplasit derën në fytyrë Greqisë duke marrë anën e shtetit shqiptar. Ky qe sinjali i alarmit për Micotakisin dhe rrethana që i dha hov Ramës për të qëndruar fort për çeshtjen Beleri. Por sot, një vit pas arrestimit të kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë, asistojmë më shumë në një kundërvënie shtetesh dhe tradite diplomatike, sesa në një konflikt gjyqësor për një njësi vendore ku kanë mbetur vetëm pleq e plaka.
Nisma e Edi Ramës për një sfidë të hapur në Athinë ka përmasat e një ngjarjeje të paprecedent, por është edhe prova materiale e nje ere të re në rolin dhe peshën e Shqipërisë në rajon. Mesazhi është sa i thjeshtë, aq edhe unikal: keni bërë ç’keni dashur në kohë fushatash në Jug të Shqipërisë, pse të mos e bëjmë edhe ne një herë të vetme këtë në kohë fushate në vendin tuaj?! Për më tepër që Rama po shkon të takojë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi si emigrantë ekonomikë, e jo të kërkojë ndonjë të drejtë pronësore, fetare, apo gjuhësore ndaj shtetit grek.
Pala greke ndodhet në një situatë mjaft delikate në raport me mitingun e dymbëdhjetë majit në Athinë pasi nëse Rama e mban këtë takim me shqiptarët atëherë ai do të ketë triumfuar dhe këtë herë në raport me krahun e forcës që tentoi ndaj tij Micotakis në vitin e fundit.
Në anën tjetër, nëqoftëse Rama pengohet të shkojë në Greqi ai do të jetë kryeministri i një vendi anëtar të Natos dhe i një vendi fqinj, të cilit do t’i mohohet ajo që qeveritë greke kanë bërë me dekada rresht në Shqipëri. Me analogji do t’i binte që këtej e tutje edhe për politikanët grekë të bëhej e vështirë të zbarkonin në Himarë e Dropull sa herë ta mendonin e dëshëronin.
Vizita e Ramës së “paftuar” prish punë në të dyja rastet, edhe nëse ndodh edhe nëse nuk ndodh, pasi efektet për Athinën zyrtare do të jenë njëlloj të komplikuara. Për këto arsye mesazhet dhe lajmet që vijnë këto orë nga Athina për mitingun janë kontradiktore aq sa një herë thuhet se u gjet ambjenti i takimit dhe pas pak orësh pronari i sallës apo stadiumit papritmas thotë se po i pikon çatia.
Greqia është e pamësuar që të ndjekë Tiranën zyrtare në lëvizjet e saj në marrëdhniet dypalëshe. Është mësuar vetëm të udhëheqë vallen dhe ritmin që ka dashur, duke ja imponuar atë shtetit shqiptar. E ka gjetur veten të papërgatitur për shpërthimin e Ramës ndaj Belerit në zgjedhjet e vitit të shkuar, nuk e ka pritur që qeveria shqiptare të rezistojë kaq fort ndaj trysnisë për ta liruar atë nga burgu dhe akoma më pak ka pritur që Shqipëria t’ja arrijë që të kthejë edhe Evropën e Bashkuar, më së pari Gjermaninë, kundër kryeministrit Micotakis në këtë çeshtje.
Athina ka bërë këto tridhjetë vite siç ka dashur në raport me elitën politike shqiptare. Ka arritur, me kërcënimet e saj të përsëritura, që të ketë një influencë të qartë mbi vendimmarrjet e caktuara të Tiranës, ka ngritur zërin edhe kur e kishte gabim në lidhje me pakicën greke në vendin tonë, është përpjekur të shtrijë forcërisht zonën e minoritetit grek deri në këmbët e Karaburunit dhe gjithçka e ka bërë duke lidhur presionin e saj me fatin e emigrantëve tanë ekonomikë në Greqi dhe me perspektivën e integrimit evropian.
Këto karta presioni kanë rënë sepse jetojmë në një kohë tjetër. Mesa duket i takon Micotakisit të provojë në kurrizin e tij këtë kthesë historike, e cila sot i vjen nga një shtet i vogël e i varfër, por që ka një tjetër rol dhe dimension në rajon e Evropë nga ai i dikurshmi. Fshesës i është vënë fshesa!
Ky eshte nje shkrim for the Financial Times, Skender
Të lumtë mëndja dhe dora, për këtë shkrim ekselent.
Kënaqësi kur ju lexon.
Shkurt e saktë, pikat mbi i.