Nga Mero Baze
Prej disa kohësh opozita ka ngritur mitin e një dosje të ashtuquajtur “Nr 339”, në të cilën ka transkripte nga përgjimet që i janë bërë një bande krimimale në Shijak dhe gjatë përgjimeve shfaqet dhe emri i Vangjush Dakos, kryebashkiakut të Durrësit.
Dosja është krijuar në kohën që prokuroria drejtohej nga Adriatik Llalla dhe gjysmën e qeverisë e kishte Partia Demokratike.
Në fakt nga mënyra se si serviren copa nga dosja dhe miti që krijohet për ato biseda të shkëputura me të cilat po bëhet më shumë film artistik se sa dokumentar, është e udhës që vetë qeveria duhet të këmbëngulë në zbardhjen e kësaj dosje dhe një hetim për keqpërdorimin e saj.
Dosja ilustron sfondin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe përpjekjet që ka bërë Prokuroria dhe ministrat e PD në qeverinë Rama për të prodhuar fakte penale gjatë fushatës. Nuk është se nuk janë përpjekur, por miti i dosjes 339 është fals dhe pa asnjë vlerë juridike. Ajo dosje vlen vetëm kështu si po serviret, duke ua shpërndarë disa gazetarëve që ka përdorur vazhdimisht prokuroria për punët e veta, duke e përdorur opozita në debate televizive dhe duke mos u hetuar kurrë seriozisht për t’i vënë pikat mbi “i” se çfarë është.
Nëse objekt i hetimit të dosjes, pra i vënies nën përgjim të një bande të Shijakut, që ka qenë në traditën e saj një skalion elektoral i PD dhe Dukës, dhe shikohej nga prokuroria e Llallës si “tradhëtare”, ka qenë veprimtaria e tyre kriminale, transkriptet që tentojnë ta lidhin veprimtarinë e tyre me zgjedhjet, të vetmen vlerë proceduriale që kanë, është pikërisht kjo që po përdoren duke u nxjerrë copa copa në media.
Nëse gjatë përgjimit ka pasur biseda reale për shitje blerje votash, jo biseda shijaksish që fryhen në tavolina, prokuroria duhet t’i kishte marrë masat për vënien në vëzhgim dhe arrest të personazheve në fjalë.
Kështu që këtu vepra më e madhe penale, nëse egziston, është pikërisht mosveprimi për t’i arrestuar, nëse ka pasur fakte të besueshme për blerje votash.
Duke mos vepruar, por duke i zbardhur dhe duke i lënë në dosje hetimore që kanë objekt çështje të tjera, ato janë thjeshtë dokumentacion shantazhi politik, që tregon se Adriatik Llalla dhe disa prokurorë kamikazë të tij, nuk janë marrë me hetime, por me përgatitje materialesh propagandistike të PD, në një dosje ku nuk kanë mundur të prodhojnë dot akuza për vepra penale.
Nëse personat në fjalë kanë qenë nën përgjim, se po blinin a shisnin vota, nëse Vangjush Dako shfaqet aty si blerës votash, apo detaje të tjera që implikojnë atë ligjërisht, të parëve që u duhen hedhur hekurat sot, janë mbikqyrësit e asaj dosje, që nuk kanë prodhuar dot asnjë rrethanë përmes vëzhgimit direkt, apo flagrancës, për një vepër penale.
Miti i kësaj dosje, e cila nuk hetohet kurrë, nuk çohet kurrë në gjykatë, nuk dënon kurrë njeri, por është vetëm si preambul protestash të opozitës, është shembulli më i ndyrë i prokurorisë politike të Shqipërisë, e cila në vend që të bëjë punën, të dokumentojë krime dhe vepra penale dhe të çojë fajtorët para drejtësisë, prodhon materiale propagandistike me një çetë propagandistike gazetarësh që kanë një jetë që i mban me bukë prokuroria duke dizinformuar publikun.
Ndaj nëse dikush duhet të këmbëngul për dosjen 339 duhet të jetë qeveria dhe duhet ta çojë deri në fund pastrimin e një historie falso të luftës kundër blerjes së votave.
Faktet për blerjen e votave në Shqipëri janë shumë më të rënda, shumë më flagrante, shumë më të dokumentuara, për të mos e nisur që nga koha që votat nuk bliheshin, po rrëmbeheshin me dhunë.
Ky fenomen i shëmtuar duhet të zhduket me çdo çmim. Por mbi të gjitha duhet të zhduket spekulimi me luftën kundër blerjes së votave që është e ashtuqujtura “Dosja 339”, e cila ka prodhuar deri më sot vetëm honorare për gazetarë dhe lëndë të parë për debate politike, por asnjë vepër penale. Është thjeshtë një material propogandistik, nga ata që shitën pushtetin e demokratëve dy vjet më parë, kur hynë në qeveri me Edi Ramën dhe pas dy vjetësh paraqesin si punë të tyre, përgjime ordinere, për të justifikuar një pazar të ri.