Nga Erion Hiluku/
Që në janar, në faqet e kësaj reviste u paralajmërua në një artikull me titull “Hemorragjia…”: se kjo kishte plasur. Jehona e azilit ndjehej që atëherë, por as kompanitë e mirëpaguara nga taksat tona për monitorimin e medias, për llogari të kabineteve të ndryshme, as inteligjenca nuk do i kenë dërguar në zyrat e drejtuesve politikë. Askush nuk e vuri ujin në zjarr për atë punë. Ose, ka mundësi që disa nga politikanët tanë të mos jenë të aftë të lexojnë më shumë se 140 shkronja, pra sa një tweet, disa të tjerë mund të shprehen vetëm me emotikonë.
Tani pas gjashtë muajsh janë mijëra ata që kanë kërkuar azil, dhe kur Zonjës t’i bjerë ndërmend sërish për shqiptarët, diku pas nja dhjetë vitesh, kur të jetë duke gëzuar pensionin e saj, nuk do të ketë nevojë të vijë këtu, se do t’i ketë të gjithë atje. Mbase edhe disa nga politikanët tanë mund t’i takojë Zonja atje, se në Shqipëri vetëm mund të bësh pazare ose të abronxohesh. Nejse, se këta të fundit, në kuadër të kapitalizmit global, mund të zgjedhin të jetojnë ku të duan. Ka vende në Evropë që të ofrojnë nënshtetësinë nëse shkon me disa mijëra euro dhe blen një shtëpi, imagjino si të presin nëse shkon me disa miljona. Mua më pëlqeu shumë vizita e shkurtër dhe intensive e Zonjës. Më pëlqeu shumë këmbëngulja e saj për të informuar të parët tanë se këtu po bëhet nami Zotërinj, ja ujqërit ku i keni, se nuk keni gjë në terezi, se gënjeni veten dhe jo BE. Kuptohet se ju Zotërinj, nuk e keni formulën magjike, por keni një gjë më të rëndësishme: përgjegjësinë.
Në rrugë e sipër erdhi për pak edhe një Zotëri, që u takua me miqtë e demokracisë, ata që më shumë punojnë për të ardhmen evropiane të saj. Nuk i kam parë kurrë të parët e Evropës të vizitojnë ndonjë nga ato veprat e mëdha që po bëhen në Shqipëri me miljonat që na sjellin, por më keq është se nuk kujtoj t’i kem parë në inaugurimin e ndonjë vepre. Do të jetë ndonjë problem i imi. Urimet më të mira për aprovimin e ligjeve, projektligjeve dhe udhëzim-ligjeve të BE. Iku edhe ai e na la me vetveten.
Dhe meqë ata ikën si koha dhe mbetëm ne, do të më pëlqente t’i bëja me dije qeverisë, se: pavarësisht se të gjitha dihen dhe prapë se prapë votohet, se ndërkohë që miqtë e mëdhenj të demokracisë shtrojnë darka për Bajram e për Pashkë, e pasuritë tona kombëtare po konkretizohen në llogaritë e tyre bankare, populli shqiptar po agonizon. Mund t’i duket ndokujt si metaforike, i ekzagjeruar –citoj një të njohurin tim politikbërës profesionist. Ndokush mund të mendojë se ky shkrim është i bazuar në ngjarje të vërteta, por unë ju siguroj se ngjashmëria e personazheve është thjesht rastësi.
Zotërinj, ndërkohë që ju silleni si Panoramix, Obelix e Asterix në fshatin e fundit që i reziston perandorisë, do të më pëlqente të ju bëja me dije, dhe nëse më lejoni edhe të iu sugjeroja, se jemi aty ku e la Dom Nikollë Kaçorri: se në qoftë për të vdekur nesër, vdesim sot.
Më lejoni të ju bëj me dije pra se formula magjike ekziston: Se ajo që ka nevojë urgjente Shqipëria është “ora et labora”, por meqë nuk “ora” duhet menjëherë të fillojë të “labora”. Meqë ra fjala, duhet të ju bëj me dije se trokitjeve tona prej taksapaguesish të drobitur në zyrat shtetërore, tani dhe shpeshherë nuk i përgjigjen vetëm me indiferencën e trashëguar por edhe me një prepotencë të shumëfishuar. Në këtë drejtim më lejoni të ju sugjeroj, se nëse punësoni jeniçerët e fushatave elektorale ju lutem caktojuni ndonjë punë sipas aftësive që kanë dhe bëjuni një trajnim mirësjelljeje, sepse ne nuk ju kemi gjë borxh. Në vazhdim të kësaj, besoj se do të jeni dakort dhe nuk mund të qëndroni indiferentë kundrejt nëpërkëmbjeve në zyrat e shtetit. Më lejoni të ju kujtoj se ishte pikërisht kjo, ajo që ju dha pushtetin.
E keqja e historisë është se ka tendencë të përsëritet, por nuk keni pse t’a përshpejtoni atë. Do ishte më mirë për shumë prej këtyre blerjeve të reja që ju përfaqësojnë në ekstremitetet e shtetit, që për hir të universiteteve ku kanë shkëlqyer, disa prej të cilëve qeveria i ka mbyllur, të iu jepej një rrogë mirënjohjeje me kusht që të rrinin në plazh dhe të vendoseshin nëpër punë ata që dinë t’i bëjnë, që kanë nevojë për të dhe që duan të punojnë. Nëse nuk iu pëlqen plazhi, sugjeroj t’i dërgoni të gjithë si nëpunës ambasade në ndonjë republikë bananesh sa më larg Shqipërisë. Gorbaçovi deklaroi më vonë se ishte penduar shumë se nuk ia bëri një nder të tillë Yeltsinit, se këta për fatkeqësinë e kombit dhe tuajën, nesër mund të ju zënë vendin.
Ndërkohë që qeveria merret me marrëveshjet e mëdha shumë miljonëshe, me shumë gaz, naftë, tendera, minerale dhe energji, -urime, jemi edhe ne të tjerët që nuk jemi në ato nivele por që akoma e fitojmë jetën nëpërmjet punës. Disa miqve të demokracisë mund të iu duket banale kjo: jo po puna, apo buka e gojës. Natyrisht që të gjithë e kuptojmë se ju e keni të vështirë të gjeni njerëz me shpirt, me mëshirë apo me patriotizëm, por të paktën, dhe më lejoni të këmbëngul, gjejini me “bon sens”. Gjeni nga ata që nuk e dinë shprehjen “nuk është problemi im”, por që mund të mësojnë “është përgjegjësia ime”. Është pikërisht kjo e fundit ajo që i fut në hullinë e punës, por që iu duhet kërkuar dhe bërë e qartë. Nëse ju vërtet doni të bëni ndryshimin, keni edhe një grup tjetër, të cilët janë në lartësinë e duhur dhe duhet të gjeni mënyrën për të iu organizuar minimalisht, një Nuremberg. Dhe nëse vërtet doni të bëheni pjesë e historisë dhe jo vetëm milionerë, më lejoni të kujtoj se drejtësia vihet vetëm atëherë kur popullit t’i kthehet ajo që i është marrë.
Një kontradiktë përtej çdo studimi është se shqiptarët deklarojnë haptas se e urrejnë politikën, se nuk kanë besim te sistemi dhe më rëndë, e me dhjetëra paguajnë, kërkojnë ndërhyrje e miq demokracie për një vend pune në shtet, kur dihet se vetëm me anë të korrupsionit mund të nxirret sërish ky “investim”. Demokracia evolon me të njëjtën shpejtësi si kultura e një populli. Nuk dihet se si mund të na surprizojë e ardhmja. Mbase edhe shqiptarët do të ndërgjegjësohen dhe në vend që të ikin, të reflektojnë dhe të reagojnë një ditë, se ëmbëlsira mijëra milionëshe po përvetësohet nga një grup i vogël që e sheh vendin si lopë për t’u mjelur. Ndërkohë duhet të kujtojmë se jo gjithmonë drejta e qeverisjes e shumicës i bën vendimet e saj moralisht të pranueshme, përkundrazi këmbëngulja e aplikimit të këtyre vendimeve, pa llogaritur shpejtësinë e rrokullisjes së historisë, mund t’a bëjë një qeveri totalitare dhe një demokraci vetë shkatërruese. Kjo është edhe e keqja e historisë, se njësoj si kjo fjali, nëse nuk tregohet kujdesi i duhur, ka tendencë të përsëritet.









