Miqtë përcjellin dy gazetarët e vrarë, cilët ishin ata? (Profile)
Dy gazetarët e rrjetit televiziv “WBDJ” në Shtetet e Bashkuara u vranë brutalisht ditën e djeshme gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv. Reporterja Alison Parker, 24 vjeç, dhe kameramani Adam Ward, 27 vjeç, janë përcjellë për në banesën e tyre të fundit. Dy punonjësit e televizionit me bazë në Roanoke, Virxhinia, u qëlluan për vdekje mëngjesin e së mërkurës teksa po intervistonin një shefe ekzekutive në Dhomën Rajonale të Tregtisë, Vicki Gardner, e cila u qëllua në kurriz dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale
Menaxheri i Përgjithshëm i “WBDJ”, Jeff Marks, tha se të dy ishin “personat më të mirë dhe më të këndshëm” të televizionit. Ai nuk ishte në dijeni nëse ka pasur ndonjë lidhje mes tyre dhe autorit të vrasjes së dyfishtë, Vester Flanagan, një ish-reporter në “WBDJ”, të cilin Marks e kishte pushuar dy vjet më parë. “Pse ishin ata në shënjestër dhe jo unë? Çfarë mund të bësh? E imagjinon dot se kushdo që largohet nga kompania në kushte të vështira mund të marrë hak?”, u shpreh ai për CNN.
Alison Parker
Gazetarja e cila u qëllua për vdekje, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv, në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara, e donte shumë punën që bënte. Në “Facebook”, miqtë dhe ndjekësit e saj e kanë përshkuar me fjalët ‘entuziaste’ dhe ‘e motivuar’. Parker banonte në jugperëndim të shtetit të Virxhinias, por ishte rritur në Martinville, rreth 50 milje në jug të Roanoke. Në një video në “YouTube” në stacionin e saj, ajo kishte shprehur se, kur të rritej, donte të bëhej mjeke, ose një farmaciste. “Si gazetare, unë i mbuloj këto fusha, ndaj jam afër”, kishte thënë ajo. Parker u diplomua në universitetin “James Madison” në vitin 2012 me gradë Bachelor në arte dhe dizajn dhe filloi të punonte si reportere dhe redaktore në një gazetë për studentë, “The Breeze”.
“Alison ishte drita jonë, shkëlqimi ynë dhe kjo ishte një mizori e një personi të çmendur me armë. Ajo shkëlqente në gjithçka që bënte dhe e donin të gjithë. Na donte shumë dhe ne bisedonim me të çdo ditë. Më dhemb shpirti kur mendoj se nuk do t’ia dëgjoj më zërin”, u shpreh babai i saj në një deklaratë.
Gazetari Becky Blanton, që e takoi atë për herë të parë në vitin 2013 tha se ajo kishte ndarë nga eksperienca profesionale me të. “Ajo kujdesej për historitë e saj dhe kishte interes në ato që thoshin njerëzit. Kërkonte detaje personale dhe bënte pyetje që nuk i bënin të tjerët”, thotë ai. “Ajo jetonte ëndrrën e saj”, tha një reporter në TV, që kishte studiuar bashkë me Alison. “Ishte gjithmonë e prirur për të mësuar. Ishte aq entuziaste dhe bënte atë që donte”, shton ai. Ata që e njihnin, e cilësonin si një person të ngrohtë, bujar dhe përkujdesës.
Christ Hurs, një gazetar në stacion, i lidhur prej 9 muajsh me Alison, shkroi në rrjetet sociale se ata ishin “shumë të dashuruar”. “Jam bosh. Ishte personi më rrezëllitës që kam njohur ndonjëherë. Ajo më donte. Donte familjen e saj, prindërit dhe vëllanë”, shkroi ai.
Adam Ward
Fotografi Adam Ward u punësua në rrjetin “WDBJ” pas diplomimit në “Virginia Tech” në vitin 2011, me Bachelor në Komunikim. Një ish-punonjës në CNN e përshkruan atë si një djalë të zotin dhe fans të madh të sporteve. Të tjerë që e njihnin nga “Virginia Tech”, thanë se ishte gazmor dhe moskokëçarës, si dhe me një sens të madh humori. “Ishte i thjeshtë. Punonte shumë, mund të thuash se e donte punën që bënte”, tha Robert Denton, profesor në “VT”.
Së fundmi, Ward ishte fejuar me një producente të një emisioni mëngjesi në “WBDJ”, Melisa Ott. “The Independent” shkruan se, në momentin kur kameramani u qëllua, e fejuara e tij po punonte në dhomën e kontrollit. Sipas menaxherit të programit, ajo po realizonte programin e mëngjesit dhe po bënte provat finale, ndërkaq kishte planifikuar të lëvizte në një stacion tjetër.
“Ishte një person i jashtëzakonshëm, një gazetar i mirë dhe mund të bëhej një baba dhe një bashkëshort i mirë”, tha një gazetare e “WBDJ”.