Nga Irena Luto Salinger/
Nëse nuk ke kohë për një kafe me një mik jashtë shtëpisë, nuk ke kohë as për jetë sociale virtuale. Aq e vërtetë kjo thënie. Një kafe jashtë të merr mesatarisht një orë. E monitoruar. Kurse nga komforti i divanëvë e kolltukëve, përballë tabletës apo kompjuterit, duke u hedhur sa në një sajt në tjetrin një zot e di ku shkojnë orët.
Pra miqësitë virtuale të marrin më shumë kohë. Është njësoj sikur të jesh në kafene dhe pa mbarur fjalinë me bashkëbiseduesin tënd të kalosh nga një tavolinë tek tjetra duke përshëndetur e kundruar të gjithë.
Jeta sociale virtuale përvec se e hallakatur ka një element vuajerizmi të cpifur. Nuk të intereson dikush mjaftueshëm për të pirë një kafe, po ama je “i tunduar” të lexosh për të rejat e fundit që poston në internet.
Ndonjëherë e ndjen veten e zbrazur nga interesi. “E përse të takohemi, kur e di se cfarë bën në cdo orë të ditës? Ku ke pushuar, cfarë ke blerë së fundmi, cfarë libri po lexon apo në cfarë rryme muzikore je e interesuar”…”E përse të humbim kohën nën diell, kur mund të “mesazhohemi” pafundësisht përmës shërbimeve, messenger, ëhatsup, apo viber?”
Telefonat smart e tabletat i kanë bërë dëm apo i kanë pasuruar miqësitë?
Për mua kjo e dyta.
Sa shokë, miq e të afërm që nuk kemi mundësi t’i takojmë fizikisht, i përshëndesim gati përditë mes qokave të like-ve në Facebook, apo komenteve bujare e të ngrohta në forumet që postohen.
Prania e tyre në murin e lajmeve në Facebook, është tregues që ata na kujtojnë e na duan. Të paktën virtualisht.
Detyrimet shoqërore në rrjetet sociale janë edhe më të shumta, pasi shumica jonë ka më tepër shokë atje, sesa në jetën reale. Pavarësisht mundësive që kemi për t’u shoqëruar në modën e vjetër, shpesh sillemi sikur të jemi vërtetë të kufizuar për të patur një jetë të pasur sociale jashtë dyerve të shtëpisë.
Nuk është cudi që tendencat janë të njëjta me ata persona me aftësi të kufizuar. Një studim i fundit i komisionuar nga shoqata që ndërgjegjëson për sëmundjen e Cystic Fibrosis, tregoi se 1 ndër 10 të anketuar, e kishin gjetur mikun e ngushtë përmes internetit dhe thanë se online njerëzit kanë tendencën të jenë më të sinqertë, sesa në jetën reale.
Një ndër dhjetë të anketuar, besonin se përmes internetit gjenin miq, vërtet shumë të mirë.
“Helen Oxley, psikologe dhe konsulente në qendrën për pacientët që vuajnë nga Cystic Fibrosis, në Mancester, thotë se “njerëzit që janë të sëmurë shpesh varen nga interneti, për të krijuar miqësi nëpër chatroomet apo blogjet, ku janë të regjistruar për të bashkëbiseduar lidhur me jetën e tyre. Këto sajte mundësojnë lidhje sociale për ata që ndihen shpesh të izoluar dhe kjo është e rëndësishme për mirëqënien e tyre psikologjike.”
Një tjetër kategori që e gjen veten më komode në internet, sesa në bare e kafene, janë njerëzit e ndrojtur e të tërhequr, apo edhe të tjerë që i kanë zët informalitetet e pakëndshme e të lodhshme që konsumohen në njohjet e para. Këto online kalojnë shumë shpejt, minus skuqjet, djersitjet dhe sikletet të tjera që vijnë me limbazhin e trupit.
Nuk është cudi sot, që të gjesh shumë më të përbashkëta dhe interesa tek një mik që jeton në anën tjetër të globit, sesa tek shoku i klasës apo shoqja e zyrës.
Komentatorët shtrojnë pyetjen: ku është vendi më i mirë për të bërë miq? A është në punë? Ndonjëhërë është distanca nga puna ajo që kërkojmë tek bisedat shoqërore.
A janë vende më të mira klubet e baret ku bashkëbiseduesi yt ka gjasa të jetë i pirë apo nën influencën e alkolit, pra jodosmosdoshmërisht vetëvetja?
Interneti krahasur me më sipër, është më selektiv, por edhe është vendi më i mirë për miqësitë e kamufluara dhe jo të vërteta. Ekziston edhe atje elementi i riskut dhe potenciali për t’u mashtruar dhe zhgënjyer, madje me pasoja.
Nëse jeni skeptik për të zgjedhur internetin si vendin e parë të takimit, ai nuk ka dyshim që është vendi më konvenient për t’i mbajtur gjallë e në alert miqësitë ekzistuese. Por edhe në internet përpjekja për t’I ruajtur miqësitë e mira e të shëndosha, kërkon të njëjtin përkushtim si në jetën reale.
Gazetari dhe autori britanik, Tim Lott e vë theksin tek puna që na duhet të bëjmë për të mos I humbur miqësitë e mira. Nuk është e lehtë, shkruan ai duke iu referuar miqësive të tij që u kanë qëndruar sprovave në dekada.
“Nuk e di se cfarë kam bërë drejt, që kam mundur të kem miq kaq të mirë, të cilët i njoh prej shumë vitesh, por më duhet ta vë në dukje se asnjërin prej tyre nuk do ta kisha pranë sot, nëse nuk do të kisha negociuar pas momentesh krize. Me të gjithë miqtë kemi kaluar caste, kur marrëdhëniet tona edhe mund të kishin marrë fund përgjithmonë, por ne arritëm disi të dilnim më të fortë nga këto kriza”.
“Natyra e miqësive ndryshon dhe bashkë me të ndryshojmë edhe ne. Miqësia e mirë është si një martesë e mirë, fillon edhe bëhet më pak argëtuese edhe më shumë vëllazërore. Ne jemi prapë pranë njëri-tjetrit duke shijuar të tashmen dhe kujtimet e përbashkëta. Kjo ka më shumë vlerë, megjithëse nuk është gjithmonë e shoqëruar me gallata e të qeshura”.
Sekreti i një miqësie të gjatë, virtuale e reale thotë ai është mungesa e egos e krenarisë. Shumë miqësi prishen për shkak të kokëfortësisë dhe hatërmbetjes. Miqësitë e suksesshme mbështeten te përulësia dhe pranimi se askush nuk është perfekt, thotë gazetari.
Të njëjtat parime vlejnë edhe në internet. Është pak e vështirë ndoshta të pranosh hapur përdorimin e Photoshopit në fotografitë e postuara (kur jemi tek përulësia dhe sinqeriteti në shoqëri), por nëse i keni bërë hapur komente bujare njërit mik, mos harroni të komplimentoni edhe të tjerë, për të shmangur qejfmbetjet.
Miqësitë në botën reale përballë atyre në botën virtuale. Sigurisht nuk është garë brenda llojit për mbijetesë.
Për mua, miqësitë virtuale janë një vlerë e shtuar në jetën tonë moderne, për të gjetur më të përshtatshmen, ndoshta edhe atë idealen si edhe për të ruajtur e shtrënguar fort lidhjet më të mirat që kemi, përmes cdo lloj forme lundrimi.