• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, November 24, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në TranzicionArtikujt dhe intervistat e mësipërme janë pjesë e serisë së refleksioneve rreth rolit të medias në tri dekadat e tranzicionit postkomunist, një projekt i JavaNews në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikës Çeke. Pikëpamjet e shprehura janë të autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit. Çdo portal / gazetë që do t’i ripublikojë këto materiale duhet t’i referohet burimit fillestar.
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Miqësia me Amerikën, faktor vendimtar për mbijetesën dhe emancipimin e shqiptarëve

by Skënder Asani
29/06/2026 10:30
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Shqiptarët kanë arsye të veçanta për ta kujtuar këtë histori të përbashkët me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për ta, Amerika ka qenë më shumë se një superfuqi globale. Ajo ka qenë vazhdimisht mburoja e lirisë së tyre, garantuesja e drejtësisë dhe aleatja strategjike që ka kontribuar në korrigjimin gradual të padrejtësive historike. Aleanca me Amerikën nuk duhet parë thjesht si një marrëdhënie tradicionale ndërmjet aleatëve, por si një komponent jetik i arkitekturës së sigurisë, stabilitetit dhe emancipimit politik të shqiptarëve në të gjithë rajonin ballkanik.

Nga Prof.dr Skender Asani

250-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës përbën një nga momentet më të rëndësishme të reflektimit historik dhe politik të epokës bashkëkohore. Ky jubile nuk është vetëm kremtim i lindjes së një shteti që, me kalimin e kohës, u shndërrua në fuqinë kryesore politike, ekonomike dhe ushtarake të botës, por edhe festim i triumfit të një ideje që kapërceu kufijtë gjeografikë të Amerikës dhe u ngulit në vetëdijen politike të njerëzimit modern. Në një kohë kur pjesa më e madhe e botës vazhdonte të jetonte nën hijen e monarkive absolute dhe strukturave aristokratike, etërit themelues të Amerikës guxuan të krijonin një rend të ri politik të mbështetur jo mbi privilegjet e trashëguara, por mbi sovranitetin e qytetarit, sundimin e ligjit dhe liritë themelore njerëzore.

George Washingtoni, Thomas Jeffersoni, Benjamin Franklini, John Adamsi, James Madisoni dhe Alexander Hamiltoni mund të kenë pasur dallime në pikëpamjet e tyre filozofike dhe politike, por ata ishin të bashkuar në bindjen se liria është e pamundur pa institucione të forta dhe se demokracia nuk mund të ekzistojë pa përgjegjësi qytetare. Pikërisht kjo filozofi e shndërroi Republikën Amerikane në një nga eksperimentet politike më të suksesshme të historisë moderne. Madhështia e Amerikës nuk qëndron vetëm në fuqinë materiale të saj, por mbi të gjitha në aftësinë për ta bërë lirinë parimin organizues të jetës politike dhe shoqërore. Për këtë arsye, ndikimi i Revolucionit Amerikan nuk mbeti i kufizuar në brigjet e Atlantikut, por u shndërrua në burim frymëzimi për popujt që kërkonin të drejtën për vetëvendosje, përfaqësim dhe dinjitet kombëtar.

Në këtë kuptim, jubileu i 250-vjetorit të lirisë amerikane ka një domethënie të veçantë edhe për popullin shqiptar. Historia e Amerikës për shqiptarët nuk është vetëm historia e një superfuqie botërore, por historia e një aleati që në momentet më vendimtare të ekzistencës kombëtare u shfaq si mbrojtës i drejtësisë dhe i lirisë. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane nuk janë produkt i rastësisë historike dhe as rezultat i interesave të përkohshme gjeopolitike. Përkundrazi, ato janë ndërtuar mbi një bashkësi të thellë vlerash dhe mbi një vizion të përbashkët për lirinë, demokracinë dhe orientimin perëndimor.

Në fillim të shekullit XX, kur fuqitë e mëdha po ridizenjonin hartën politike të Evropës dhe planet për copëtimin përfundimtar të Shqipërisë kërcënonin seriozisht vetë ekzistencën e shtetit shqiptar, presidenti amerikan Woodrow Wilson u shndërrua në zërin më të fuqishëm në mbrojtje të së drejtës së popullit shqiptar për të mbijetuar si komb. Në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Versajë ai kundërshtoi përpjekjet për ta zhdukur Shqipërinë nga harta politike e Evropës, duke u mbështetur në parimin e vetëvendosjes së kombeve. Nga këndvështrimi i studimit historik, ndërhyrja e Wilsonit përfaqëson një nga momentet më vendimtare për ruajtjen e vazhdimësisë politike të kombit shqiptar. Nuk është teprim të thuhet se, pa vizionin dhe autoritetin e tij moral, trajektorja e historisë shqiptare do të kishte qenë krejtësisht ndryshe.

Megjithatë, historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane nuk përfundoi në Versajë. Padrejtësitë e shkaktuara nga konferencat ndërkombëtare lanë një pjesë të madhe të kombit shqiptar jashtë kufijve të shtetit shqiptar, ku për dekada me radhë ai mbeti nën hegjemonitë rajonale dhe u përball me diskriminim, represion dhe mohimin e të drejtave kombëtare. Vetëm fundi i shekullit XX dhe ndryshimet e mëdha gjeopolitike e rikthyen Shtetet e Bashkuara si faktor vendimtar në Ballkan, ndërkohë që Lufta e Ftohtë kishte imponuar kufizime të shumta në trajtimin e çështjes shqiptare.

Një nga aspektet më të veçanta të politikës amerikane ndaj shqiptarëve ka qenë vazhdimësia strategjike. Mbështetja amerikane për të drejtat e shqiptarëve shfaqi një shkallë të jashtëzakonshme qëndrueshmërie, pavarësisht ndryshimeve ndërmjet administratave republikane dhe demokrate. Ky konsensus dëshmoi se çështja shqiptare nuk konsiderohej si një interes i përkohshëm në politikën e jashtme amerikane, por si pjesë e një vizioni më të gjerë që lidhej me stabilitetin e Ballkanit dhe me mbrojtjen e idealeve mbi të cilat ishte themeluar vetë Amerika.

Ky angazhim arriti kulmin në vitin 1999 me ndërhyrjen e Aleancës së Atlantikut të Veriut, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit. Kjo nuk ishte vetëm një ndërhyrje ushtarake dhe as thjesht një reagim ndaj një katastrofe humanitare. Ajo përbënte një pikë kthese në historinë moderne të Ballkanit, sepse i dha fund një periudhe të gjatë politikash hegjemoniste dhe riafirmoi parimin se liria dhe dinjiteti njerëzor nuk mund të sakrifikohen në altarin e kalkulimeve gjeopolitike.

Rasti i Kosovës përbën një nga shembujt më të rëndësishëm të ndërhyrjes humanitare të komunitetit euroatlantik në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në shumë studime strategjike amerikane, Kosova konsiderohet një nga sukseset më të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane pas Luftës së Ftohtë. Ndihma amerikane nuk përfundoi me çlirimin e Kosovës, por vazhdoi në proceset e shtetndërtimit, zhvillimit institucional dhe konsolidimit ndërkombëtar. Në këtë mënyrë, Amerika dëshmoi se përkushtimi i saj nuk shprehet vetëm përmes përdorimit të forcës, por edhe përmes ndërtimit të paqes dhe institucioneve demokratike.

Ky partneritet i jashtëzakonshëm nuk u krijua brenda natës. Për më shumë se një shekull, breza të tërë patriotësh, intelektualësh, organizatash dhe elitash shqiptare në Shtetet e Bashkuara punuan që çështja shqiptare të bëhej pjesë e vetëdijes politike amerikane. Ky përkushtim shumëbrezor krijoi një kapital besimi që do të jepte frytet e tij në momentet më kritike të historisë kombëtare shqiptare. Kjo dëshmon se marrëdhëniet strategjike nuk ndërtohen rastësisht, por mbi besueshmëri dhe ideale të sprovuar nga koha.

Në këtë rrugëtim, figura e Shën Nënë Terezës merr një domethënie të veçantë. Shqiptarja që u shndërrua në ndërgjegjen morale të botës dhe që u nderua me titullin prestigjioz “Qytetare Nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u bë ura natyrore ndërmjet shqiptarëve dhe vlerave universale të humanizmit dhe lirisë. Me thjeshtësinë dhe autoritetin e saj moral, ajo pati mundësinë t’u drejtohej presidentëve amerikanë në emër të popullit të saj. Ajo mbetet një nga figurat e pakta të huaja që e mori këtë nderim sa ishte ende gjallë, krahas Winston Churchillit.

Në kontekstin e transformimeve të vazhdueshme të sistemit ndërkombëtar dhe rivaliteteve gjithnjë e më të theksuara gjeopolitike, një nga imperativët themelorë të vizionit politik dhe orientimit afatgjatë të kombit shqiptar mbetet ruajtja e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përvoja historike ka dëshmuar se qendrat hegjemoniste në Ballkan dhe më gjerë janë përpjekur vazhdimisht të dobësojnë lidhjet shqiptaro-amerikane, sepse e kanë kuptuar se vetëm përmes shkëputjes së shqiptarëve nga aleanca me Shtetet e Bashkuara mund të krijohen kushtet për rikthimin e logjikave të vjetra të dominimit dhe ekuilibrave të imponuar. Në këtë perspektivë, aleanca me Amerikën nuk duhet parë thjesht si një marrëdhënie tradicionale ndërmjet aleatëve, por si një komponent jetik i arkitekturës së sigurisë, stabilitetit dhe emancipimit politik të shqiptarëve në të gjithë rajonin ballkanik.

Në këtë kuptim, ruajtja dhe konsolidimi i orientimit strategjik drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk përbën vetëm një zgjedhje politike, por një imperativ historik dhe një detyrim strategjik ndaj brezave të ardhshëm. Historia e shekullit XX ka dëshmuar se sa herë shqiptarët kanë ecur në harmoni me Shtetet e Bashkuara dhe me botën e lirë perëndimore, kanë fituar më shumë siguri, më shumë liri dhe më shumë perspektivë për përparim dhe afirmim kombëtar. Çdo devijim nga ky orientim ka pasur një kosto të lartë historike dhe ka sjellë humbjen e objektivave strategjike. Për rrjedhojë, përgjegjësia e elitave politike dhe shtetërore shqiptare nuk mund të reduktohet vetëm në ruajtjen e miqësisë tradicionale me Amerikën, por duhet të përfshijë konsolidimin e kësaj marrëdhënieje si një orientim të përhershëm gjeostrategjik. Ky mbetet garancia më e fortë për sigurinë, zhvillimin dhe perspektivën e ardhshme të kombit shqiptar në një botë të karakterizuar nga pasiguri, konkurrencë e ripërtërirë ndërkombëtare dhe kërcënime të vazhdueshme ndaj rendit demokratik.

Shqiptarët kanë arsye të veçanta për ta kujtuar këtë histori të përbashkët me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për ta, Amerika ka qenë më shumë se një superfuqi globale. Ajo ka qenë vazhdimisht mburoja e lirisë së tyre, garantuesja e drejtësisë dhe aleatja strategjike që ka kontribuar në korrigjimin gradual të padrejtësive historike.

Ashtu si etërit themelues që krijuan një republikë të mbështetur mbi fuqinë e ideve dhe bindjen se liria është themeli i rendit politik, edhe historia moderne e shqiptarëve dëshmon se kombet nuk mbijetojnë vetëm përmes forcës ushtarake apo pasurisë materiale, por përmes mençurisë për të ndërtuar aleanca të qëndrueshme dhe për të qëndruar në anën e duhur të historisë.

Dhe nëse shekulli XX dëshmoi se miqësia me Amerikën u shndërrua në një faktor vendimtar për mbijetesën dhe emancipimin politik të popullit shqiptar, sfida e shekullit XXI mbetet ruajtja dhe forcimi i kësaj aleance strategjike, sepse në të nuk qëndron vetëm kujtesa e së kaluarës, por edhe siguria, stabiliteti dhe perspektiva e ardhshme e kombit shqiptar.

Shkup, 29 qershor 2026

 

 

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Deklarata e fortë e Vuçiç: Nëse më arrestojnë, Serbia do të dalë në protesta

Deklarata e fortë e Vuçiç: Nëse më arrestojnë, Serbia do të dalë në protesta

November 23, 2026
Trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë/ Prokuroria e Leçes mbyll hetimet për 66 persona

“Nga Ekuadori në Meksikë, shqiptarët shtrijnë aleanca me kartelet e kokainës që furnizojnë Europën”

November 23, 2026
Atentati që solli vdekjen e Sel Çamit në Fier, mbetet i plagosur edhe i vëllai

Vrasja e Sel Çamit në Fier, kamerat e sigurisë zbulojnë dy persona të maskuar pranë banesës

November 23, 2026
“Shqipëria pranë momentit historik”, ministri i Jashtëm i Sllovakisë: Mund të kalojë drejt traktatit të anëtarësimit në BE

“Shqipëria pranë momentit historik”, ministri i Jashtëm i Sllovakisë: Mund të kalojë drejt traktatit të anëtarësimit në BE

November 23, 2026
Gjendet i pajetë në tendë një 58-vjeçar, kishte shpallur grevë urie përpara universitetit në Romë

Gjendet i pajetë në tendë një 58-vjeçar, kishte shpallur grevë urie përpara universitetit në Romë

November 23, 2026
Rusia reagon për herë të parë dhe bën paralajmërimin e frikshëm pasi Ukraina ia fundosi anijen e re luftarake

Rusia reagon për herë të parë dhe bën paralajmërimin e frikshëm pasi Ukraina ia fundosi anijen e re luftarake

November 23, 2026
“Protesta humbi mbështetjen në terren”, gazetarja: Sot zhvillohet kryesisht në rrjetet sociale

“Protesta humbi mbështetjen në terren”, gazetarja: Sot zhvillohet kryesisht në rrjetet sociale

November 23, 2026
U kap me kufje gjatë provimit teorik të patentës, shqiptari del në gjyq në Belgjikë

U kap me kufje gjatë provimit teorik të patentës, shqiptari del në gjyq në Belgjikë

November 23, 2026
Ndalohet një “Audi” i blinduar. Shoqërohet djali i “Mustaqekuqit” dhe komisari i Gardës

Ndalohet një “Audi” i blinduar. Shoqërohet djali i “Mustaqekuqit” dhe komisari i Gardës

November 23, 2026
Miku i Edonit zbulon prapaskenat: Fabregas ka vlerësim të lartë për Zhegrovën

Miku i Edonit zbulon prapaskenat: Fabregas ka vlerësim të lartë për Zhegrovën

November 23, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In