Pavarësisht thirrjeve të tij të vazhdueshme, Presidenti i Republikës njëherësh edhe Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nuk duhet të pengojë reformën në drejtësi. Thirrja është bërë nga Ministri i Drejtësisë Nasip Naço në Ditën Kombëtare të Drejtësisë, në një takim me gazetarët.
Sipas Naços Presidenti, po pengon emërimin e nënkryetarit të KLD-së, ndonëse ka detyrimin ligjor për të emëruar një nga kandidaturat e propozuara nga Kuvendi.
Jo vetëm kaq por edhe për reformën për drejtësi Naço tha se Presidenti ka treguar garanci, por në propozimet e mazhorancës nuk ka treguar të njëjtën gadishmëri. Naço shkon më tej kur shprehet se me veprimet e tij Presidentit Nishani, po krijojn kosto për vendin përballë opinionit.
Ata që bëhen pengesë për reformat në drejtësi, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtyjnë në kohë qeverisjen e tyre. Ne do të vazhdojmë të insistojmë në denoncimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve të korruptuar, siç kemi bërë së fundmi, por ka ende raste të tjera dhe ky është vetëm fillimi”, theksoi Naço
Ministri akuzoi KLD se nuk ka pranuar në shumë raste edhe transferimin e gjyqtarëve pjestarë të të njëjtës familje.
Po ashtu Naço tha se KLD-ja për një kohë të gjatë ka mbajtur peng emërimin e 21 kryetarëve të gjykatave në të gjithë vendin. Sipas Naços ky veprim bëhej për t’i mbajtur ata të komanduar ose deleguar, dhe duke i përdorur ata për problemet personale të anëtarëve të KLD-së.
Naço tha se shumë gjyqtarë kanë pasuri të pajustifikuar, të cilët edhe janë denoncuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të pasurive.









