Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan këtë të martë, më 17 mars, se kanë eliminuar Ali Larijanin, sekretarin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, si dhe komandantin e forcave Basij, Gholamreza Soleimanin, bashkë me zëvendësin e tij.
Ministri i Jashtëm i Izraelit Gideon Saar doli në një konferencë të përbashkët me ministrin e jashtëm të Estonisë, ku foli mbi këto zhvillime.
Sipas tij, ushtria izraelite ka ndërmarrë hapa seriozë kundër aktiviteteve terroriste të regjimit duke shënjestruar zyrtarë të lartë iranianë.
Saar theksoi se pas vrasjes së këtyre figurave, të cilat sipas tij qëndronin pas shtypjes së popullit iranian që kërkon liri, iranianët tani ndodhen në një situatë më “të sigurt”.
“Ne kishim vendosur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kokën e Ali Larijanit, por e bëmë falas,” shtoi ministri izraelit.
Ky zhvillim vjen pasi ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, deklaroi se Larijani dhe Soleimani “u eliminuan” dhe i quajti pjesë të “boshtit të së keqes”.
Mirëpo, Irani i ka hedhur poshtë këto raportime. Në mediat shtetërore iraniane dhe në llogaritë e Larijanit në Telegram dhe X, u publikua një mesazh me shkrim dore. Shkrimi ishte pa datë dhe orë, por që sipas mediave shtetërore është nga dita e sotme.
Mesazhi lavdëron “luftëtarët” e Marinës së Republikës Islamike të Iranit, në ditën e ceremonisë së varrimit për ata që u vranë në anijen luftarake IRIS Dena më herët këtë muaj.











