Pas votimit në Kuvend të ndryshimeve në kabinetin qeveritar këtë të enjte, vjen reagimi i parë i ministrit të ri të Mbrojtjes, Ermal Nufit.
Përmes një postimi në instagram, Nufi shprehet se kjo detyrë e re është jo vetëm një nder, por edhe përgjegjësi e madhe për të.
“Është një nder i madh, por mbi të gjitha një përgjegjësi e jashtëzakonshme, të të besohet drejtimi i një dikasteri në një qeveri. Kur kjo përgjegjësi është Ministria e Mbrojtjes, pesha e saj bëhet edhe më e madhe, sepse aty ndërtohet siguria e Kombit, garantohet paqja dhe forcohet dinjiteti i Shqipërisë në Aleancën Euroatlantike.
Ministria e Mbrojtjes nuk është thjesht një institucion shtetëror. Ajo është vendi ku përditë merr formë atdhedashuria, përkushtimi dhe sakrifica në shërbim të vendit. Është institucioni ku puna dhe përkushtimi i burrave dhe grave me uniformë lidhen drejtpërdrejt me sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e çdo qytetari shqiptar.”, shkruan Nufi.
Më tej, ai falënderon dhe kryeministrin Edi Rama për besimin që i ka dhënë duke e emëruar në këtë post të rëndësishëm dhe zotohet se do ta ushtrojë detyrën me integritet.
“Falënderoj Kryeministrin Edi Rama për besimin që më ka dhënë për t’i shërbyer Atdheut në këtë detyrë kaq të lartë. Njëkohësisht falënderoj deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për votëbesimin dhe mbështetjen e dhënë.
E marr këtë përgjegjësi me përulësi dhe vendosmëri, me angazhimin për ta ushtruar këtë detyrë me integritet të plotë dhe me përkushtim të palëkundur në shërbim të sigurisë së vendit dhe të forcimit të rolit të Shqipërisë në Aleancën tonë strategjike.”, shkruan Nufi.
Kush është Ermal Nufi
Ermal Nufi është një nga ministrat e rinj të votuar këtë të enjte në Parlament, i cili merr drejtimin e Ministrisë së Mbrotjes, duke larguar nga kabineti qeveritar Pirro Vengun. Nufi më parë ka qenë zv.sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri.
Nufi ka përfunduar studimet e nivelit “Master në drejtësi pranë Fakultetit të Drejtësisë, të Universitetit të Tiranës, në vitin 2010“.
Pas diplomimit, Nufi ka punuar si konsulent ligjor në sektorin privat dhe atë të organizatave jofitimprurëse, vendase dhe ndërkombëtare.
Gjithashtu, ai ka mbajtur edhe pozicionin e pedagogut të jashtëm në të drejtën civile dhe tregtare pranë Institutit të Studimeve Strategjike dhe Trajnimeve. Që prej vitit 2013, është licencuar si avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ku ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatëve të Tiranës. Nga viti 2021, Nufi ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ligjor të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda administratës publike shqiptare.
/tvklan.al











