Ministri i Jashtëm grek, Nikolaos Kotzias, zhvillon sot një vizitë zyrtare dy-ditore në Tiranë, ku do të takohet me krerë të lartë të shtetit.
Ditën e sotme e mërkurë, në orën 10:30-10:50 ministri grek Kotzias do të zhvillojë takim Téte a Téte me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe në orën 10:50- 11:30 do të zhvillohen bisedime bilaterale mes dy delegacioneve zyrtare.
Në orën 11:40- 12:00 do të zhvillohet Konferenca e përbashkët për shtyp e dy Ministrave të Jashtëm për të vijuar në orën 12:10-12:50 takimi i Kryeministrit Edi Rama me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë. Më pas takimet e zotit Nikolaos Kotzias do të vijojnë në orën 14:40-15:20 me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta dhe në orën 15:30- 16:10 me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Në orën 16:20-17:00 Ministri i Jashtëm i Republikës së Greqisë, Nikolaos Kotzias do të zhvillojë një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ditën e enjte, Ministri i Jashtëm i Republikës së Greqisë, Nikolaos Kotzias do të largohet nga Shqipëria.
Greqia është partner i rëndësishëm tregtar me Shqipërinë në volumin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Kështu ndërsa u eksportuan drejt tregut grek në vitin 2009 mallra me një vlerë prej 55,03 milionë euro, në vitin 2014 ato kapën vlerën e 63.20 milionë euro dhe në periudhën Janar-Prill 2015 eksportet shqiptare arritën në vlerën e 21.21 milionë euro.
Në importet e mallrave greke në tregjet shqiptare vërehet rënie e tyre në 5 vitet e fundit. Nga 475.79 milionë euro mallra të importuara nga Greqia në vitin 2009, arritën vitin e kaluar në vlerën e 371.84 milionë euro dhe në përiudhën Janar -Prill sivjet, kapën vlerën 95.76 milionë euro.
Fluksi tregtar gjatë viteve 2009-2015 tregon luhatje në volumin e shkëmbimeve tregtare. Kështu nga 5.1% që zunë eksportet shqiptare drejt tregut grek, ato arritën në 3,5% në vitin 2014 dhe në 3,8% në 4 muajt e parë të vitit 2015. Ndërsa importet greke në vitin 2009 zunë 10.6% të mallrave ndaj totalit, në vitin 2014 arritën në 9.4% dhe në 4 muajt e parë sivjet, në 8.3%