Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një takim të parë kortezie me Ambasadorin e Republikës së Serbisë në Tiranë, Slobodan Vukçević.
Ministri Hoxha nënvizoi “rëndësinë e ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, duke theksuar se bashkëpunimi në sektorë kyç si energjia, transporti, ndërlidhja dhe zhvillimi ekonomik mbetet thelbësor për rritjen e mirëqenies”. Sipas tij, një Ballkan Perëndimor më i ndërlidhur dhe më qëndrueshëm është në interes të përbashkët të të gjithëve.
Shqipëria, theksoi ai, mbetet e përkushtuar ndaj një të ardhmeje të rajonit të Ballkanit Perëndimor të ankoruar në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, ai vuri në dukje se diskursi politik i përgjegjshëm është thelbësor, ndërsa retorika përçarëse apo nxitëse e urrejtjes nuk ka vend në rrugën e përbashkët evropiane.
Gjatë takimit u pranua se Shqipëria dhe Serbia kanë qëndrime diametralisht të kundërta për çështjen e Kosovës. Hoxha rikonfirmoi qëndrimin e qartë të Shqipërisë “se Kosova është një shtet i pavarur, demokraci funksionale dhe shoqëri e hapur e ndërtuar mbi barazinë dhe sundimin e ligjit”. Ai theksoi mbështetjen e fortë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili duhet të çojë pa vonesa në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.
Ministri theksoi gjithashtu “nevojën për respektimin dhe zbatimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe standardet ndërkombëtare’, duke garantuar njëkohësisht zhvillim gjithëpërfshirës socio-ekonomik. Ai bëri të ditur se kjo çështje do të mbetet ndër prioritetet e tij.











