Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti homologun e tij italian, Alessandro Giuli, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, ku u prezantuan dëshmi të rralla të historisë së marrëdhënieve shqiptaro-italiane.
Përmes filmimeve të hershme të realizuara në Shqipëri, objekteve unike dhe materialeve të trashëgimisë filmike të dy vendeve, ministri italian u njoh me një pjesë të rëndësishme të kujtesës së përbashkët kulturore.
Në fokus të vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë për ruajtjen dhe digjitalizimin e materialeve arkivore, organizimin e ekspozitave të përbashkëta dhe zhvillimin e programeve të shkëmbimit kulturor.
Përmes këtyre nismave synohet që dëshmitë filmike historike të bëhen më të aksesueshme për publikun dhe të krijohen mundësi të reja bashkëpunimi kulturor mes dy vendeve.
Lajmin e bëri të ditur ministri Blendi Gonxhja përmes një postimi, ku theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të kësaj pasurie të përbashkët.
“Historia e marrëdhënieve shqiptaro-italiane përmes dëshmive të rralla të ruajtura në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, ku mirëpritëm Ministrin e Kulturës së Italisë, Alessandro Giuli. Filmime të hershme të italianëve në Shqipëri, në pjesën më të madhe të realizuara nga shqiptarët, objekte unike dhe trashëgimi filmike shqiptare e italiane e njohën ministrin me një pasuri të çmuar të kujtesës sonë të përbashkët. Në qendër të vizitës ishte edhe bashkëpunimi për ruajtjen dhe digjitalizimin e materialeve arkivore, ekspozitat e përbashkëta dhe programet e shkëmbimit, për t’i sjellë këto dëshmi më pranë publikut dhe për të hapur mundësi të reja bashkëpunimi kulturor mes dy vendeve”, shkruan ministri.

