Ministri për Çështjet Vendore Bledi Çuçi ka dalë kundër propozimit të LSI për futjen e listave të hapura për zgjedhjet, duke u bërë kështu dhe zëri i parë kundër brenda rradhëve të qeverisë. Sipas Ministrit Çuçi, aplikimi i listave të hapura është i paprshtshëm dhe do të sillte konflikt brenda partive. Ministri shtoi gjithashtu se të tilla lista vonojnë edhe procesin zgjedhor dhe daljen e rezultateve të tyre.
“Listat e hapura janë të papërshtatshme për procesin zgjedhor në vendin tonë, pasi sjellin konflikt brenda partisë. Lista të kësaj natyre nuk janë një zgjidhje e mençur, komplikojnë përfundimin e rezultateve. Listat e hapura po shmangen dhe në vendet e rajonit. LSI është pro propozimeve për listat e hapura”, tha ministri Çuçi.
Deklarata vjen disa ditë pas tryezës së bërë mes 3 liderëve kryesorë te vendit (Rama-Meta-Basha) dhe ambasadorit të SHBA Lu, në lidhje me reformën në drejtësi.
Në këtë tryezë është artikuluar dhe për herë të parë nga ana e vetë Kreut të LSI-së Ilir Meta, ideja e impelementimit të listave të hapura në zgjedhjet e kandidatëve për deputetë, për zgjdhjet e ardhshme parlamentare.
Nga ana tjetër, në një prononcim për mediat ditën e djeshme, ish kryeministri Sali Berisha gjithashtu ka thënë se është kundër listave të hapura, duke dalë kundër kryetarit të PD Lulzim Basha i cili ishte shprehur pro këtij propozimi të bërë fillimisht nga LSI. Berisha e ka argumentuar mendimin e tij duke thënë se nëse deputetët zgjidhen me lista të hapura atëherë do i hapej rruga ardhjes së biznesmenëve kriminelë në parlament.
“Listat e hapura kanë këtë problem. Nëse vendos një biznesmen ai përdor të gjitha mjetet për të marrë vota më shumë dhe në këtë rast, po qe një biznesmen i ndershëm nuk ka asnjë të keqe, por po qe një mafioz, mafia ngrihet në piedestal. Në rast se vendosen kritere të sakta të listave për ata që vihen në lista, atëherë ato kanë kuptim”, tha Berisha.