Nga Lorenc Vangjeli
Ekziston një gënjeshtër shumë e madhe që ka nisur në vitet 90-të. Në fillim kushtonte fare lirë. Mjaftonte dashamirësia e një gazetari ose disa dhjetra mijëra lekë për kafe dhe në gazeta botohej një lajm për dikë që kërcënohej nga gjakmarja, për dikë tjetër që e ndiqte policia për shkak të bindjeve politike, ndërsa të tjerë përmendeshin si të kërcënuar me jetë për shkak të orientimit seksual. Disa qindra burra që pretendonin se i kishin hedhur lakun në fyt bustit të diktatorit në sheshin Skënderbej dhe shumë burra të tjerë që pretendonin se donin burra në shtrat, ishin kategoria që quhej se e “kishte direkt tmorme azilin”. “NEvrop’ ose ndaç nAmerik’, kta tipat që e hajn’ burr’ me burr’, hajn buk’ sot”, kjo ishte bindja e shumë prej garipëve nga Tirana dhe rrethet që nuk e kishin problem të ribënin disidencën apo të kapërcenin me letra ylberin, njëlloj si martesat për letra me botoksin e plakave të Perëndimit.
Kandidatët për “të përndjekur”, i përdornin artikujt e gazetave si provë për t’ja hedhur procedurës së azilit në Perëndim, përballë burokratëve që tmerroheshin nga epika tragjike e gjakmarjes, zyrtarëve që i llahtariste modeli sovjetik i demokracisë së re shqiptare dhe më mendjehapurve, të cilët drithëroheshin nga konservatorizmi arkaik i shqiptarëve që të vrisnin për nder!
Vala e mashtruesve me fat dhe pa faj fitonte lumturisht azilin politik, të tjerë bënin emigrantin e larguar nga një atdhe cinik, që nuk i mbante dot me të shkuarën e tyre dhe nuk u garantonte asgjë në të ardhme. Edhe sot, azili mbijeton si ide me të njëjtin thelb, por në formë tjetër. Dy dekada më pas, pazari është rritur goxha. Nga copëzat e dikurshme të gazetave, sot provat krijohen në studio televizive dhe ndeshje politike. Mund të shërbejë si “shahit” i përndjekjes politike në atdhe edhe vetë opozita e rradhës. Dje socialistët dhe sot demokratët, e kanë çuar në art mundësinë për t’jua hedhur zyrave të emigracionit në Perëndim. Një simbiozë e fëlliqur që i shërben të dy palëve, por që dëmton gjithë të tjerët. Një fitim i garantuar në llogari të vockla personale, por që kanë bërë viktimë gjithë shqiptarët, të cilëve ju tha frëngjisht edhe kësaj here: jeni popull azilantësh! Rrini ende jashtë gardhit tonë!
Mjafton të listohen disa nga denoncimet e bujshme të bëra në stinën e fundit politike për të kuptuar sesi të dy palët i kanë shërbyer njëra-tjetrës. Babalja, ai tipi me uniformë i Fushë-Krujës, ca komisionerë anonimë zgjedhjesh e doganierë të vijës së dytë, mjaftojnë për të kuptuar dukurinë: politika shumëfishon ulërimën e tyre në altoporlantë politikë, kurse denoncuesit fitojnë azil. Mjafton të shihet edhe lista e gazetarëve që kanë fituar azil politik apo që janë në proces e sipër për ta fituar atë, që të kuptohet se shumica dërmuese e tyre janë shumë pak më të njohur se doganierët anonimë dhe shumë më pak të rrezikuar se Babalja. Pjesa e azilantëve të tjerë që çojnë këmbët aty ku hedhin sytë, ikin gjithashtu për shumë arsye. Kryesorja është lehtësia tipike për të thënë: ta provojmë njëherë se nuk humbasim gjë dhe po kështu edhe përmasa gjithmonë e më e rëndë e krizës dhe pamundësisë për të gjetur një perspektivë normale në një vend që duket se prodhon vetëm politikë dhe tensione politike.
Histeria patriotike që ka shpërthyer në Tiranë ndaj presidentit Macron, nuk i ka kursyer atij as gruan. Me logjikën e Ballkanit, ai është i turpëruar si burrë që nuk mund të mbrojë dot bashkëshorten nga vala e frikshme e ofertave seksuale që afrojnë “azganët” shqiptarë të facebook-ut. Por në Tiranë, me logjikën e Parisit, ka më shumë arsye për ta falenderuar sesa urryer Presidentin Macron. Duke nisur me dëshminë e rreme të tij për frikën nga azilantët shqiptarë që na kujton sesa i rremë është vrapi shqiptar për azil në perëndim: një mijë e një arsye për ikje, por asnjë nga ato që thuhen zakonisht.
Vetoja francezë për negociatat është si Jo-ja e Penelopës që shthurrte natën çfarë thurrte ditën: thjesht nuk na duan tani për tani në klubin evropian! Në të gjitha rrethanat do ta gjendet një arsye për të refuzuar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut! Edhe nëse mbaron e gjithë lista e arsyeve të paarsyeshme, mund të spekulohet me zakonin që shumë burra, ndryshe nga gjithë Evropa klasike, në Shqipëri, në Maqedoni apo dhe në Kosovë dhe në Bosnjë, e shkurtojnë që në fëmijëri kryet e krenarisë së tyre burrërore. Edhe pse ajo lloj mendjemadhësie nuk mund të konkurojë për lartësi as Kullën Eifel, siç shihet simboli francez nga Tirana dhe as minaret e xhamive tona, që nga Parisi i shohin si simbol të këtij skaji të Ballkanit. Macroni i urryer mund të ndihmojë padashje kështu, që shqiptarët të njohin më shumë veten, tani kur nisur nga e djeshmja e përbashkët, duan papritur ndryshe Stambollin e të nesërmes.
Te pakten, kemi çfarë tu kunderveme francezeve, ne, kemi VER LLAPËN.
VER LLAPA jonë, eshte me i madh se Macroni.
Urrrrrrraaaaaa…….