Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me vendimin e Gjykatës së Hagës e cila dënoi 4 ish-krerët e UÇK-së. Milo gjatë fjalës së tij ka zbuluar edhe bisedat e tij me ish-ambasadorin amerikan, Christopher Hill dhe ish-presidentin Hashim Thaçi. Milo u shpreh se me Hill bisedonte shpesh.
Sipas tij, me Hill dhe ish-sekretaren amerikane, Madeleine Albright ai ndihmoi që delegacioni i Kosovës të nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë.
“Kam pasur shumë kontakte me ambasadorin Hill, shumë telefonata dhe shumë diskutime. Unë isha ministër i jashtëm i Shqipërisë në atë kohë dhe isha dhe përfaqësuesi i Shqipërisë në Rambuje. Ambasadori Hill që foli këtu ndofta më merrte njëherë dy ditë në telefon kudo që të isha që të dëgjonte se ç’mendonte qeveria shqiptare.
Më kam marrë dhe me urgjencë dhe me këmbënguljen e tij dhe të zonjës Albright unë shkova në Rambuje për të ndihmuar delegacionin amerikan për të mbushur mendjen delegacionit të shqiptarëve të Kosovës dhe në mënyrë të veçantë të zotit Thaçi për të nënshkruar marrëveshjen.
Prandaj zoti Hill, nuk e di na pa apo s’na pa që ishim këtu. Të paktën duhet të kishte kujtuar si diplomat një bashkëpunim shumë të dobishëm që neve kemi patur në atë kohë dhe kaq shumë bisedime, kontakte dhe diskutime me të.
Dhe prandaj unë duke kujtuar ato biseda që kam zhvilluar me zotin Hill dhe diskutime edhe në momentet nga më delikatet do të prisja patjetër tani që ai është i tërhequr nga shërbimi aktiv diplomatik, që të ishte më i hapur”, tha ai.











