Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka shpallur pretencën për dy anëtarët e klanit Duka të akuzuar për vrasjen e ish efektivit të policisë, Santiago Malko në 27 gusht të 2019-ës.
SPAK ka kërkuar dënimin me 25 vite burg për Ilir Selmanin dhe me 7 vite burg për Elvis Gacajn.
Ish polici, Malko, njihej si krahu i djathtë i të shumëkërkuarit të drejtësisë, Ervis Martinaj dhe dyshohet se u ekzekutua nga anëtarët e klanit ‘Duka’ që njihen si rivalët më të mëdhenj të biznesmenit të lojërave të fatit i cili ka humbur gjurmët prej muajsh, që pasi u shpall në kërkim në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë’. Më herët për këtë ngjarje, u dënua me 25 vite burg, Bledi Teta i cili ka qenë një prej personave që mori pjesë në atentatin me breshëri kallashnikovi ku shënjestra ishte viktima Santiago Malko.
Malko njihet në kartotekën kriminale të policisë si kontigjent kriminal, dhe i përfshirë në disa ngjarje me armë në Tiranë. Përfshirja e fundit e tij në ngjarje, ka qenë në masakrën e 4 tetorit 2018, ku mbeti i plagosur Ervis Martinaj, Elio Hato dhe i vrarë Fabian Gaxha.
Si ndodhi vrasja
Vrasja e Santiago Malkos më 27 gusht 2019 ishte planifikuar nga një skuadër e përbërë nga 7 anëtarë, të cilët kanë qënë aktivë në terren, ndërsa dy persona të tjerë janë ata që kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin “Doqen” e Vlorës për të hapur zjarr në drejtim të objektivit Malko.
Etja për të vrarë Santiago Malkon dhe për të mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi këtij personi, ka qënë e madhe, kjo pasi shihet qartë dhe hapur mobilizimi i klanit “Duka” në logjistikë, në burime njerëzore dhe burime financiare./m.j