Nga Ben Andoni
Në një shkëmbim të fundit kumtesh, një nga politikanët shqiptarë të Opozitës së Majtë i është drejtuar me përcaktimin “Mik”, njërit prej aktorëve më të njohur të vendit. Rasti erdhi ky i fundit kishte nënshkruar në krye të një letre, bashkë me 50 artistë kërkesën e fundit, drejtuar presidentit Meta, që të ndërtohej një teatër i ri. Pa shtjelluar thelbin e kundërshtisë së tyre, “Miku” i është përgjigjur shkruesit në një mënyrë lakonike, përmes rrjeteve sociale në një mënyrë të tillë, që vetëm miqësi nuk është. Duke dashur të hedhim pakëz dritë në këto dy koncepte të bën përshtypje mënyra inflamative sesi e përdorim ne lehtësisht fjalën mik dhe të kundërtin e tij armik.
E dëgjon në debate televizive, në bashkëbisedime dhe kudo, që edhe pa të njohur, njerëzit e përdorin lehtësisht konceptin mik dhe armik. Nuk po ndalemi shumë në përcaktimet dhe shpjegimet e tyre sepse Kanuni ynë ka të plazmuar pa fund në lidhje me to, por duam të ndalemi për mënyrën sesa keq e përdorim sot këtë dikotomi.
…
Një nga referencat më të mira të huaja kemi atë që ka shkruar Carl Schmitt në Gjermani në vitet 1930, ku jep disa definicione të qarta të përcaktorëve së Mikut dhe të Armikut. Ai e vendoste argumentin në qerthull politik dhe sipas tij, dallimi Mik-Armik ishte kriteri i vetëm i ndarjes së politikës. Është e vërtetë, deridiku kjo që shkruan Schmitt, por fakti se njerëzit angazhohen në konflikt për shumë gjëra, e se të gjitha këto konflikte s’janë vetëm politike, tregon se konceptet janë më të gjëra. Që një konflikt të llogaritet mirëfilli si politik, duhet të përfshijë kundërshtimin e argumenteve të Mikut dhe Armikut në rrafshin ideologjik, ashtu si edhe ndarjen e koncepteve dhe këndvështrimet e ndryshme. Neve e kemi pasur evidente dhe mënyra butaforike si e përcolli solli plagosjen e shoqërisë në një masë që ende është e pashëruar. Në shtjellën e tij, Schmitt parashtronte dy argumente, një historik dhe një tjetër analitike, në mbrojtje të kësaj teze. Argumenti analitik konfirmonte sipas tij, që në çdo fushë ka një kundërshtim thelbësor mes dy koncepteve. Në art lidhet me konceptet estetike të së bukurës dhe të së shëmtuarës. Në ekonomi ka prirje tjetër, pasi nuk mund të përfytyrosh ekonominë, dinamikën e tregjeve për shembull, pa kundërshtimin e prodhuesve dhe konsumatorëve. Në politikë, ajo lidhet me konceptin e Pozitës dhe Opozitës, që në politikën e sotme ballkanase mund ta lexosh qartësisht si ndarjen e Mikut dhe Armikut…
Ata që erdhën pas tij u munduan të hedhin dritë në lidhje me anën psikologjike se qenia njerëzore ruan dhe promovon karakteristikat e ekzistencës sonë dhe në mënyrë të pashmangshme njerëzit kurrë nuk do të pajtohen me atë që ata e konsiderojnë si të mirë dhe të keqe, e shenjtë dhe profane.
Konflikti, shpjeguan ata, nuk duhet të jetë thjesht një kundërshtim i ideologjive (politikë), koncepteve (art), interesave (ekonomisti i bën duke negociuar ose shkëmbyer), por një kundërshtim i egër i dy mënyrave të ndryshme të shikimit të jetës.
…
Tek ne koncepti filozofik i këtyre dy koncepteve është larg sepse nuk i shkon banalitetit të trajtimit tonë. Ata që i shërbyen Perandorisë Osmane, ishin të parët që e tradhtuan atë. Ashtu si ata që vegjetuan nën Mbretin Zog ishin të parët që e tradhtuan duke u lidhur me pushtuesin. Shumë syresh që shërbyen dhe ishin me pushtuesit ndërruan lëkurën me Komunistët dhe deri në fund kujtohemi në metamorfozën e kohës sonë, ku masa e madhe që i shërbeu Komunizmit tashmë është kthyer në oponencën më të egër të saj.
Koncepti i mikut dhe armikut ka ndryshuar kudo shumë dhe sidomos pas Rënies së Perdes së Hekurt. U desh të zëvendësoheshin armiqtë ose më saktë akoma në vazhdën e politikës tonë pa bosht, ne kemi bërë armiq ata që i konsideronim dikur “aleatët” tanë. Serbët, Rusët dhe Kinezët janë deridiku kundërshtarët tanë. Nëse përmenden ata do të kujtohesh që ata janë armiq dhe na duan të keqen, por nuk përmendet më Britania, që na ka ndarë dhe vendet perëndimore, që kanë ndryshuar shpesh fatet e vendit. Shqipëria e sotme është në përpjekje për të shpikur miqtë dhe armiqtë e saj, por në masë prej ndikimit të politikës populli i ka të përcaktuar. Më së shumti armiqtë janë Fqinjët në rrafshin e jashtëm, kurse në rrafshin e brendshëm janë të gjithë ata që mendojnë ndryshe. Politika është ajo që ka dhënë definicione sesi mund të ndahet shoqëria deri në qelizën e saj. Ai që mendon ndryshe është armik. Ai që mendon njësoj është mik. Por këmbimi i koncepteve ndodh po kaq thjeshtë. Dhe, ndodh, që për vite me radhë kryetari i Pozitës edhe Opozitës aktuale që thonë fjalët më të këqija që ekzistojnë, madje më të këqija sesa edhe ato që i thuhen vetë armikut, në fund bashkohen me një “ HI Five”, ashtu si ish-kryeministri i dikurshëm burgosur bën flirt me njeriun që e dënoi…
Shqiptarët janë rritur me konceptin e armikut dhe sloganet janë të rrënjosura thellë mes tyre se armiku nuk fle diku dhe është gati të na pushtojë. Për dekada u mësuam ta prisnim atë dhe madje kishim arritur t’i përballë edhe të shpiknim fytyrën e një krijese që nuk erdhi kurrë. Nga ana tjetër, kemi thurur pa fund lavde për mikun, por ne ishim ata që tradhtuam edhe njerëzit tanë në socializëm. E kështu kemi zbritur në kinse demokracinë tonë, ku zhvillimet e sotme të politikës kanë sjellë të gjallë argumentin e armikut, për këdo që mendon ndryshe dhe mikun, që është ai që i përgjigjet grupimit tonë, tarafit. Kemi një shkapërdredhje të konceptit të mikut dhe armikut, tjetrit që s’është si ne dhe nuk mendon si ne. Veçse, aman kemi mik, këdo që ka influencë dhe është dikush në këtë kinse shoqëri dhe nuk lemë vend pa përdorur fjalën mik…paçka se kurrë nuk i jemi gjendur, paçka se kurrë nuk e kemi mbështetur. Miku dhe Armiku në vendin tonë, janë kaq të afërt dhe kaq të largët, por gjithnjë e asnjëherë të sinqertë, sepse interesi s’është kurrë i tillë. Përveç pak rasteve…por për ato ka vend vetëm në letërsi…dhe jo në shkëmbime si këto të teatrit, që nxorën se interesi i ngushtë dhe flirti me politikën e kapërcente idealin e të bukurës dhe miqësinë e vërtetë. (Homo Albanicus)