Nga Alfred Peza
Janë thënë shumë orët e fundit, e me sa duket do të shkruhet e flitet edhe më shumë në orët e ditët në vijim për Mid’hat Frashërin ose siç e njohim me emrin e artit, Lumo Skëndon. Jo thjeshtë dhe vetëm se eshtrat e tij, pas plot shtatë dekadash u rikthen nga SHBA për tu prehur në atdhe, por edhe për shkak se kemi të bëjmë me figurën ideale të dikujt që deri dje ishte kufiri që ndau komunistët nga antikomunistët, ndërsa sot si personaliteti që mund të bashkojë vlerat reale të shqiptarizmës, përtej syzeve politike dhe ideologjike. Sigurisht që do ketë edhe kundërshtime, debate, akuza dhe kundërakuza nga të gjithë ata që janë mësuar që ta shohin jetën e individit si edhe historinë, ose bardhë ose zi. Ose sipas parimit se tek çarçafi i bardhë, ne shohim vetëm pikën e zezë.
Vetëm në Shqipërinë e djeshme mund të jesh tradhëtar edhe nëse je i biri i njërit prej korifejve të Rilindjes Kombëtare, je Kryetari i Kongresit të Manastirit, je zëvendësi i Gjergj Fishtës në Komisionin për Hartimin e Alfabetit me gërmat latine të oksidentit, je një ndër etërit themelues të shtetit të ri, firmëtar i aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, je ministri i botores në qeverinë e parë të Ismail Qemalit, e kështu me radhë. Janë cituar shumë thënie nga Mid’hat beu e do të citohen edhe shumë, për aq kohë sa as ai, as figura dhe vepra e tij, nuk janë ndriçuar ende me dritën që meritojnë, për të na u shpërfaqur me gjithë përmasën e vet reale. Eshtë përmendur gjithashtu testamenti i tij, librat dhe veprat e tij, shkrimet, letrat dhe publicistika e tij.
Do të doja që të ofroja sot një letër që e kam gjetur gjatë kërkimeve të mia, në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Eshtë pak e njohur jo vetëm përmbajtja, por mbi të gjitha duket interesante se nëpërmjet saj mund të ofrojmë nën dritën e re të fakteve një pasion, një dimension dhe një përmasë pak të njohur për të. Eshtë fjala për vizionin rreth pasurive të trashëgimisë së kulturës shqiptare, artefakteve, objeketeve arkeologjike dhe thesareve tona. Dihet se nga janari 1923 e deri në dhjetor të 1925 Mid’hat Frashëri mbajti detyrën e ministrit Fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë. Më datën 12 tetor të 1925, pas një udhëtimi nga Tirana drejt kryeqytetit helen, ai i dërgoi këtë letër, ministrit të Jashtëm të asaj kohe Hysen Vrioni:
“Zoti Ministre! Duke shkuar nga Vlora, u interesova për punimet arkeologjike që po bën në Pojan, Instituti Francez dhe mësova se:
1.- z. Lala një mësonjës shkolle, që është vënë pranë arkeologut, ska as diturinë, as zellin dhe as zotësinë e duhur.
2.- Plaçkat e gjetura po shduken në një mënyrë misterioze por edhe fort lehtësisht të kuptueshme.
3.- Do gurë që janë dërguar në Fier, po rrijnë pa strehë.
4.- Shumë njerëz dërgojnë në Pojan që të marrin gurë për të shtëpi, gjë e cila prish gërmadhat.
Këto gjëra diskretitojnë shtetin tonë pranë të huajve, të cilët do të binden se Shqipëria nuk interesohet për sendet e saj morale dhe kulturore.
I lutem Shkëlqesisë Suaj të hini vërejtjen Ministrisë së Arsimit për nevojën e Kujdesjes që të mos dalë as një antikë jashtë Shqipërisë dhe të mos zhduket paskëndaj asnjë objekt i vogël që del nga Pojani.
Për këtë gjë duhet që të vihet pranë arkeologut (të huaj) një njeri i mësuar dhe i ditur, i zoti dhe zelltar, me qenë së kjo do të jetë një rast që të formojmë një arkeolog edhe në Shqipëri.”
Në përfundim si konkluzion në fund të kësaj shkrese, shkruhet:
“Unë do të rekomandonja, në qoftë se e pranonio, Atë Shtjefën Gjeçovi, françeskan, në Shkodër, njeri me kulturë dhe me dëshirë për tu okupuar me arkeologji.
Duke shpresuar se ky raporti im do të gjejë- për të mirën e diturisë në Shqipëri,- një mirëpritje pranë Shkëlqesisë Suaj, ju lutem z. Ministër, të pranoni, të falat e mia me nderime.”
Mithat Frashëri
Firma
Çështë ky pasion për arkeologjinë dhe pse e njihte me kaq shumë detaje këtë çështje një intelektual i fushës së letrave, librave dhe botimeve? A fshihet prapa kësaj letre, zelli i tepruar i një përfaqësuesi të shtetit shqiptar në Greqi? Apo mos kemi të bëjmë me një “furacak” që kërkon të zhbirilojë e të japë mendime edhe për tema që nuk i takojnë dhe çështje jashtë fushës së dijeve e detyrës së tij? Apo prapa kësaj letre, shihet një përmasë tjetër, jo shumë e njohur e një eruditi dhe intelektuali të klasit të parë?
Nëse kthehemi 15 vjet pas në kohë, në raport me letrën e shkruar nga Mid’hat Frashëri për ministrinë e Jashtme, e të shkojmë tek vendimet e Kongresit të Manastirit të cilin ai e drejtoi, do të shohim se nuk paska qenë edhe aq rastësi që përveç alfabetit, u mor një tjetër vendim me rëndësi të jashtëzakonshme historike, e cila për shkak të peshës së rëndë të 36 shkronjave shqipe, ka mbetur paksa në hije. Në nëntor të 1908, pra sot e 110 vjet përpara, aty u fol për nevojën urgjente të shpalljes së paprekshme të monumenteve të kulturës shqiptare. Në pikën 4 të vendimeve të këtij Kongresi, shkruhet: “Të gjithë objektet e vjetra që do të gjinden në katër vilajetet (shqiptare) të Manastirit, Janinës, Kosovës dhe Shkodrës duhet të mblidhen në një muze, në një qytet të Shqipërisë”.
Nëse e analizojmë pak më hollë, ky vendim nuk kishte lindur në një truall bosh dhe nuk ishte marë as aksidentalisht, e aq më pak rastësisht. Mid’hat Frashëri ishte djali i Abdylit, dhe nipi i Sami Frashërit, i cili rreth një dekadë përpara Kongresit, në manifestin e Rilindjes Kombëtare, veprën “Shqipëri çka qenë, çështë e çdo të bëhet” (botuar më 1899 në Bukuresht) shkruante: “Një musie (muze) e përgjithshme do të jetë në kryeqytet për të gjithë sa gjëra të vjetra, shtatuera, fytyra, gurë të shkruar etj, që do të gjendne në Shqipëri… dhe qeveria e kësaj musie do të mihij dhe rrëmojë gjithë vendetë dhe qytetet e vjetër për të kërkuar antikera”.
Asgjë nuk lind nga asgjëja dhe asgjë nuk mund të ndodhi rastësisht në këtë botë. Sikundër shihet edhe në këtë qasje të shkurtër, duket qartë se nuk ishte rastësi që Mid’hat Frashëri dhe familja e tij, pranë së cilës ai prehet sot në Tiranë, jo vetëm kontribuoi për të lartësuar Rilindjen Kombëtare, për shpalljen e pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve të qeverisë dhe shtetit të ri shqiptar. Por, siç duket paska hedhur edhe gurët e parë të themelit për ruajtjen e ADN-së së identitetit tonë kombëtar, që përfaqësohet nga objektet e trashëgimisë së kulturës shqiptare.
Më 1945 amaneti i Mid’hat Frashërit për të hapur me pasurinë dhe librarinë e tij “Lumo Skëndo”, një Institut Albanalogjie në Tiranë, nuk u përmbush. Fitimtarët e rinj jo vetëm e shkruan historinë e tij siç u duhej, por nuk kursyen së sekuestruari as koleksionet private të firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë; Lef Nosi, Mustafa Merlika (Kruja) dhe… Mid’hat Frashëri.
AlpeNews.al