• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, April 6, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Mickoski dhe politika e kamufluar në Ballkan

by Skënder Asani
06/04/2026 09:42
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Rasti i Hristijan Mickoski ilustron një model kompleks të qeverisjes në tranzicionet ballkanike, ku retorika nacionaliste dhe diplomacia e kamufluar nuk shërbejnë vetëm për të fituar dhe konsoliduar pushtetin, por edhe për të menaxhuar mënyrën e largimit të tij. Megjithatë, kostoja e kësaj strategjie mbetet e lartë: ajo rrezikon të prodhojë një shtet më të polarizuar, institucione më të brishta dhe një proces eurointegrues të komprometuar

Nga Prof.dr Skender ASANI

Në kontekstin e transformimeve të thella politike në Ballkanin Perëndimor, ardhja dhe ushtrimi i pushtetit nga Hristijan Mickoski duhet të interpretohet përtej një momenti të zakonshëm elektoral, si manifestim i një konfigurimi më të gjerë strukturor që karakterizon tranzicionet e brishta rajonale. Në këtë kuadër, modeli i tij i qeverisjes artikulon një ndërthurje të qëllimshme ndërmjet retorikës nacionaliste, kalkulimit strategjik dhe diplomacisë së kamufluar, duke e shndërruar diskursin politik jo vetëm në instrument mobilizimi dhe konsolidimi të pushtetit, por edhe në një mekanizëm kompleks për menaxhimin e cikleve të tij. Brenda kësaj logjike, sipas deklarimeve dhe praktikave konkrete që në mënyrë të përsëritur sforcojnë skajet e spektrit politik, bëhet i dallueshëm edhe një dimension i nënkuptuar strategjik, i cili sugjeron jo vetëm praninë e një hapësire për manovrim politik, por edhe projeksionin e mundshëm të një tërheqjeje të kontrolluar si pjesë e racionalitetit të brendshëm të këtij modeli qeverisës. Si i tillë, rasti në fjalë tejkalon logjikën ciklike të politikës së zakonshme dhe duhet të lexohet si pjesë e një rikonfigurimi më të thellë strukturor, me implikime të drejtpërdrejta për stabilitetin e brendshëm të Maqedonia e Veriut dhe për ekuilibrat gjeopolitikë të rajonit.

Në thelb të kësaj qasjeje qëndron një dualitet funksional: nga njëra anë, artikulimi i një retorike të fortë identitare që synon të rikonfigurojë rendin e brendshëm politik; dhe nga ana tjetër, ndërtimi gradual i një narrative justifikuese për stagnimin institucional dhe izolimin ndërkombëtar. Ky dyzim e shndërron diskursin politik në një mjet të shumëfishtë njëkohësisht për konsolidimin e pushtetit.

Në këtë kontekst, një politikë e qëndrueshme shtetformuese që do të duhej të ndiqte kryeministri Hristijan Mickoski do të kërkonte një qasje të balancuar dhe gjithëpërfshirëse, e cila e vendos stabilitetin institucional dhe kohezionin shoqëror në qendër të veprimit politik. Kjo nënkupton ruajtjen dhe avancimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare si një bazë themelore e stabilitetit të brendshëm, si dhe respektimin konsekuent të parimeve të Marrëveshjes së Ohrit, duke garantuar përfaqësim funksional dhe real të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në proceset vendimmarrëse. Njëkohësisht, një lidership i tillë do të duhej të shmangte instrumentalizimin e çështjeve identitare për qëllime politike, duke ndërtuar një diskurs që promovon bashkëjetesën, besimin institucional dhe integrimin e plotë të të gjitha komuniteteve në jetën shtetërore. Në planin e jashtëm, orientimi eurointegrues do të kërkonte përkushtim ndaj reformave, respektim të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe artikulim të një politike konstruktive që e pozicionon vendin si partner kredibil dhe të besueshëm në proceset evropiane.

Së pari, dimensioni i jashtëm i kësaj strategjie manifestohet përmes raportit me Bashkimin Evropian dhe kushtëzimet që burojnë nga procesi i integrimit. Insistimi mbi “mbrojtjen e identitetit kombëtar” në raport me Bullgarinë tejkalon natyrën e një qëndrimi negociues dhe shndërrohet në një konstrukt politik që prodhon legjitimitet të brendshëm. Në këtë mënyrë, refuzimi i kompromisit paraqitet si akt sovraniteti, ndërsa stagnimi i procesit eurointegrues projektohet si rezultat i presioneve të jashtme. Kjo krijon një binar narrativ ku çdo dështim i mundshëm përkthehet në kapital simbolik patriotik.

Në këtë prizëm, retorika nacionaliste nuk është qëllim në vetvete, por një instrument për të zëvendësuar diskursin reformues me një diskurs mbrojtës. Vëmendja zhvendoset nga standardet e acquis communautaire drejt çështjeve identitare të politizuara, duke krijuar një terren të favorshëm për prodhimin e krizave të kontrolluara dhe për relativizimin e përgjegjësisë qeverisëse.

Së dyti, në planin e brendshëm, kjo strategji reflektohet në mënyrën e trajtimit të faktorit politik shqiptar në raport me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Përmes një qasjeje selektive ndaj të drejtave kolektive dhe fragmentarizimit të përfaqësimit politik, synohet krijimi i një ekuilibri të kontrolluar, ku faktori shqiptar reduktohet në njësi të dobëta dhe të varura. Kjo logjikë e “deatomizimit” nuk është thjesht produkt i konkurrencës politike, por pjesë e një strategjie më të gjerë për minimizimin e potencialit negociues brenda arkitekturës shtetërore.

Në këtë kuadër, konfigurimi aktual i spektrit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut shfaqet si një labirint i ndërlikuar pa dalje të dukshme, ku përfaqësimi formal ka zëvendësuar substancën reale të vendimmarrjes. Në këtë rend të përmbysur simbolik, pozita shqiptare në institucionet shtetërore duket e reduktuar në një prani periferike, ndërsa narrativat e barazisë janë konsumuar si konstruksione retorike pa themel juridik të qëndrueshëm. Nën drejtimin e Hristijan Mickoski, vërehet një tendencë për riartikulim të konceptit shtetëror drejt një paradigme më të ngurtë etno-nacionale, ku kauza shqiptare perceptohet si e “sekuestruar” brenda një kornize politike që e relativizon atë. Në këtë sfond, cikli politik i subjektit dominues shqiptar për më shumë se dy dekada lexohet si një trajektore që fillon me premtimin e institucionalizimit të barazisë dhe përfundon në një fazë ku vetë koncepti i përfaqësimit shpërbëhet në iluzion, ndërsa subjektet aktuale pjesëmarrëse në qeveri nuk arrijnë të artikulojnë një alternativë koherente, duke prodhuar më tepër zbrazëti sesa transformim.

Në të njëjtën kohë, tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe intensifikimi i retorikës konfrontuese mund të interpretohen si elemente të një procesi të “securitization”, ku çështjet politike transformohen në çështje sigurie. Kjo i mundëson pushtetit të legjitimojë masa të jashtëzakonshme dhe të zhvendosë debatin nga fusha e reformave drejt asaj të stabilitetit dhe rendit.

Megjithatë, në këtë horizont të zymtë, protestat e dites se sotme studentore shfaqen si një sinjal i mundshëm për thyerjen e inercisë politike dhe rikthimin e agjendës qytetare në diskursin publik. Këto mobilizime mund të interpretohen si një përpjekje për të dekonstruktuar logjikën e etno-nacionalizmit dominues dhe për të rikthyer çështjen shqiptare në binarë institucionalë më të qëndrueshëm, duke sfiduar njëkohësisht letargjinë e subjekteve politike pa vizion. Në këtë kuadër, aksioma se “njëri e shiti barazinë si arritje dhe tjetri e dorëzoi si realitet” merr kuptimin e një diagnoze të thellë strukturore: njëra palë prodhoi narrativën, tjetra e zbrazte përmbajtjen, duke e lënë komunitetin shqiptar në një gjendje ku përfaqësimi nuk është më instrument ndikimi, por dëshmi e krizës. Prandaj, kjo lëvizje studentore mund të shihet si një nga mundësitë e fundit për rikthimin e peshës kushtetuese dhe për rivendosjen e një paradigme ku të drejtat nuk trajtohen si kompromise të përkohshme, por si premisa të panegociueshme të rendit shtetëror.

Në një lexim më të thellë strukturor, këto dy drejtime  ai i jashtëm dhe ai i brendshëm ndërthuren me interesat e një elite të konsoliduar politike dhe ekonomike, e cila synon të rikonfigurojë sistemin në funksion të mbijetesës së saj. Devijimet nga standardet demokratike, përfshirë presionin ndaj sistemit gjyqësor dhe instrumentalizimin e institucioneve kushtetuese, nuk paraqiten si anomali, por si pjesë e një projekti të qëndrueshëm për kapjen dhe kontrollin e shtetit.

Dimensioni gjeopolitik i kësaj qasjeje bëhet veçanërisht i dukshëm në raportet me aktorë të spektrit konservativ evropian, si Viktor Orbán, si dhe në hapjen ndaj ndikimeve alternative nga lindja. Në këtë kontekst, dobësimi i orientimit euro-atlantik krijon hapësira për projekte rajonale si koncepti i “botës serbe”, i artikuluar nga Milorad Dodik dhe i harmonizuar në mënyrë implicite me politikat e Aleksandar Vučić.

Në këtë sfond, dinamika politike në Hungari, ku sfidohet dominimi i gjatë i Viktor Orbán nga aktorë të rinj si Péter Magyar, krijon një efekt zinxhir në rrjetin e liderëve me prirje konservative. Perspektiva e një humbjeje të mundshme të Orbanit prodhon pasiguri strategjike për aleatët e tij, duke përfshirë edhe qeverinë në Shkup, e cila ka investuar në këtë aks politik dhe financiar. Ky zhvillim e vendos edhe më tej në pikëpyetje qëndrueshmërinë e boshtit politik mbi të cilin mbështetet aktualisht orientimi alternativ i politikës së jashtme.

Një indikator i rëndësishëm i këtij riorientimi është edhe debati mbi devijimin e Korridorit VIII në favor të Korridorit X. Ky transformim nuk është thjesht teknik, por përfaqëson një zhvendosje strategjike të boshtit zhvillimor nga një orientim lindje-perëndim drejt një aksi veri-jug, me implikime të thella në balancat rajonale.

Sipas logjikës së veprimit politik dhe analizës së diskursit të ndërtuar, mund të vihet në përfundimin se kemi të bëjmë me një proces të tërheqjes së kamufluar nga pushteti, ku elementi më i sofistikuar i kësaj qasjeje qëndron në ndërtimin e një narrative të paracaktuar për largimin; retorika e ashpër, refuzimi kategorik i kompromisit dhe theksimi i vijave të kuqe identitare mund të interpretohen si pjesë e një skenari të kontrolluar, në të cilin largimi eventuale nuk përjetohet si dështim, por si akt i qëndrueshmërisë parimore. Kështu, koncepti i “ikjes si patriot” ndërtohet gradualisht si një alibi politike që synon të ruajë kapitalin simbolik të liderit edhe pas largimit nga pushteti.

Kjo logjikë bëhet edhe më e lexueshme përmes praktikës konkrete politike dhe diskursit publik të Hristijan Mickoski, ku retorika nacionaliste nuk paraqitet thjesht si instrument mobilizues elektoral, por si mekanizëm për ndërtimin e një kornize legjitimuese të veprimeve dhe mosveprimeve politike; përmes artikulimit të vazhdueshëm të narrativave mbi rrezikun ndaj identitetit kombëtar, delegjitimimit të kompromisit ndërkombëtar dhe riprodhimit të një diskursi konfrontues, krijohet një terren interpretativ ku çdo tërheqje e mundshme nga pushteti mund të paraqitet si pasojë e presioneve të jashtme dhe jo si dështim i brendshëm qeverisës. Në këtë kuadër, izolimi ndërkombëtar, tensionet e brendshme dhe stagnimi ekonomik nuk paraqiten si pasoja të politikave të ndjekura, por si produkte të një “rrethimi” të jashtëm dhe të “mosbashkëpunimit” të brendshëm; kjo zhvendosje e përgjegjësisë përbën thelbin e strategjisë së tërheqjes së kamufluar.

Në të njëjtën kohë, intensifikimi i presionit për llogaridhënieje ndaj faktorëve të ndryshëm të implikuar në vendimmarrje, të lidhur drejtpërdrejt apo tërthorazi me qeverisjen e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, e rrit koston politike të qëndrimit në pushtet dhe e bën gjithnjë e më të vështirë menaxhimin e narrativës së brendshme. Pikërisht në këtë konjukturë, veprimet dhe deklaratat e tij mund të lexohen si sinjale të një momenti të kalkuluar politik, ku tërheqja paraqitet si opsioni më racional strategjik, jo vetëm për të shmangur përballjen e drejtpërdrejtë me përgjegjësinë, por edhe për ta rikoduar largimin si akt vullnetar dhe të motivuar nga parimet; në këtë mënyrë, largimi potencial nuk shfaqet si pasojë e dobësisë politike, por si një akt i menaxhuar i tranzicionit, që synon të ruajë integritetin simbolik të liderit dhe të konsolidojë perceptimin e tij si figurë e qëndrueshme përtej pushtetit.

Në përfundim, rasti i Hristijan Mickoski ilustron një model kompleks të qeverisjes në tranzicionet ballkanike, ku retorika nacionaliste dhe diplomacia e kamufluar nuk shërbejnë vetëm për të fituar dhe konsoliduar pushtetin, por edhe për të menaxhuar mënyrën e largimit të tij; megjithatë, kostoja e kësaj strategjie mbetet e lartë, pasi ajo rrezikon të prodhojë një shtet më të polarizuar, institucione më të brishta dhe një proces eurointegrues të komprometuar, duke e bërë rikthimin në një trajektore stabile dhe inkluzive një sfidë të ndërlikuar për të ardhmen. Në këtë kontekst, për opinionin vendas dhe, veçanërisht, për faktorin ndërkombëtar, ky zhvillim duhet të lexohet si një sinjal alarmi: pa një ndërhyrje të qartë politike dhe një rikthim të vendosur të agjendës reformuese, vendi rrezikon të zhytet në një cikël të ri paqëndrueshmërie, me pasoja që tejkalojnë kufijtë e Maqedonisë së Veriut dhe prekin drejtpërdrejt arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Shkup, 6 prill 2026

Next Post
Viktima dhe shkatërrim masiv në jug të Libanit, Izraeli po “fshin” nga harta dy fshatra mijëra vjeçarë

Viktima dhe shkatërrim masiv në jug të Libanit, Izraeli po “fshin” nga harta dy fshatra mijëra vjeçarë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Rriten tensionet në Lindjen e Mesme, Irani kërcënon mbylljen e Ngushticës Bab al-Mandeb, si do të ndikonte kjo në tregtinë botërore?

Rriten tensionet në Lindjen e Mesme, Irani kërcënon mbylljen e Ngushticës Bab al-Mandeb, si do të ndikonte kjo në tregtinë botërore?

April 6, 2026
Lufta/ Financial Times: Sulmet ukrainase ndaj dy terminaleve të naftës i kushtuan Rusisë rreth një miliard dollarë

Lufta/ Financial Times: Sulmet ukrainase ndaj dy terminaleve të naftës i kushtuan Rusisë rreth një miliard dollarë

April 6, 2026
Irani dritë jeshile për disa anije franceze e turke për të kaluar në Ngushticën e Hormuzit

Irani dritë jeshile për disa anije franceze e turke për të kaluar në Ngushticën e Hormuzit

April 6, 2026
“Janë mashtrime”, policia njoftim të rëndësishëm për qytetarët: Mos i klikoni këto linqe, mund të humbni të dhënat bankare

“Janë mashtrime”, policia njoftim të rëndësishëm për qytetarët: Mos i klikoni këto linqe, mund të humbni të dhënat bankare

April 6, 2026
Pas nisjes dobët, turizmi po e merr veten në këtë fillim të prillit

Pas nisjes dobët, turizmi po e merr veten në këtë fillim të prillit

April 6, 2026
“Ekonomia shqiptare, mollë e kalbur nga brenda”, Tabaku: Korrupsioni është bërë sistem

“Ekonomia shqiptare, mollë e kalbur nga brenda”, Tabaku: Korrupsioni është bërë sistem

April 6, 2026
U nda nga jeta në moshën 68-vjeçare, përcillet drejt banesës së fundit aktori Ilir Shkurti

U nda nga jeta në moshën 68-vjeçare, përcillet drejt banesës së fundit aktori Ilir Shkurti

April 6, 2026
Kërcënimet e Trump për shënjestrim të centraleve energjetike, Presidenti i Këshillit Evropian: Do të ishte e paligjshme

Kërcënimet e Trump për shënjestrim të centraleve energjetike, Presidenti i Këshillit Evropian: Do të ishte e paligjshme

April 6, 2026
Presidenti i ri i Kosovës, PDK reagon në lidhje me ftesat e Albin Kurtit

Presidenti i ri i Kosovës, PDK reagon në lidhje me ftesat e Albin Kurtit

April 6, 2026
Protesta e studentëve/ Kreu i komunës së Tetovës jep premtimin, Kasami: Provimi i Jurisprudencës do mbahet edhe në gjuhën shqipe

Protesta e studentëve/ Kreu i komunës së Tetovës jep premtimin, Kasami: Provimi i Jurisprudencës do mbahet edhe në gjuhën shqipe

April 6, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In