Pak orë pas dorëheqjes së Nasip Naços nga posti i Ministrit të Drejtësisë, ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta.
Kreu i LSI deklaroi se emri i ri në krye të Ministirsë së Drejtësisë do të propozohet nga Kryeministri Rama dhe do të jetë bashkëpunues, çka lë të kuptosh se LSI nuk e synon sërish drejtimin e këtij dikasteri.
Meta e ka cilësuar dorëheqjen e Naços, i propozuar si ministër nga LSI, një akt të lartë qytetarie.
Sipas Metës, Naço ka dhënë kontribute të vyera në krye të Ministrisë së Drejtësisë për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Naço dha dorëheqjen si Ministër i Drejtësisë. Kush do të jetë pasuesi i tij?
Lidhur me pyetjen tuaj, më duhet të vlerësoj aktin e dorëheqjes së Ministrit te Drejtësisë z. Nasip Naço si një akt të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, si një akt qytetar i cili ka dhënë kontributin e tij gjatë gjithë kësaj periudhe në të mirë të qeverisjes dhe të reformave. Por njëkohësisht me këtë akt, ai ka gjykuar se jep një kontribut për të ndihmuar në realizimin e një bashkëpunimi të kërkuar prej kohësh dhe më të gjerë dhe në nivel të ri për të çuar përpara gjithë reformat dhe sidomos reformën në fushën e drejtësisë.
Kur thoni se duhet çuar përpara reforma, me këtë po zbardhni një pjesë të letrës së z. Naço? Burime tona flasin se z. Nasip Naço është shprehur se është i përjashtuar nga reforma në drejtësi. Është anashkaluar si institucion por dhe si individ…
Unë nuk e di. Ju mund t’i drejtoheni zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ministrinë e Drejtësisë për të zbardhur letrën e z. Naço. Unë jam për të gjykuar politikisht veprimin e tij dhe natyrisht që besoj se emri i ri që do të propozojë Kryeministri, do të jetë një emër që do të çojë në një bashkëpunim më të gjerë e më të ri
Do të vijë nga LSI? A është z. Manjani?
Nuk dua të shpreh më shumë dhe nuk do të vij më tek Rogneri të pi kafe sepse e kam të pamundur që të dal pa ju përgjigjur interesimit tuaj kur më zini pritë këtu.
A do të ketë lëvizje të tjera nga LSI në kabinet apo ministra të tjerë?
Besoj se jua dhashë një përgjigje. Ju falënderoj për vëmendjen.
– Ndërkohë, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrmi Ylli Manjani, i pyetur nga gazetarët, nuk mohoi mundësinë e emërimit të tij si Ministër Drejtësie, teksa tha “për sa kohë je në politikë duhet të jesh i gatshëm për çdo detyrë”.
Këtë deklaratë Manjani e dha pas një takimi që zhvilloi me Kryeministrin Rama në zyrën e këtij të fundit. Nënkryetari i LSI Ylli Manjani aktualisht mban postin e zëvendësministrit të Transporteve.