Ish-ministri dhe zyrtar i lartë i LSI-së, Ylli Manjani, ka reaguar pas takimit të presidentit Meta me kryeministrin Edi Rama. Ai thotë se plotfuqishmëria e Metës për qeverinë, për të negociuar me Greqinë për marrëveshjen e detit, është një tradhti ndaj vendit.
“Kujdes!
Plotfuqishmëri për marrëveshjen e detit?!
Në mënyrë absolute jo! Kjo do ishte pjesë e tradhëtisë ndaj vendit.
Republika e Shqipërisë, për turpin e vet, nuk është në pozita kushtetuese të nënshkruajë marrëveshje ndër-shtetërore me askënd, sepse:
Nuk ka Gjykatë Kushtetuese.
Është kjo gjykatë që vlerëson kushtetutshmërinë e marrëveshjeve, por ajo nuk ekziston!
Ndaj s’mund të ketë marrëveshje me askënd! Aq më tepër një marrëveshje për de-limitim kufinjsh! Pu pu pu pu….
Me gjithë respektin, por:
As qeveria, që ka treguar qartë që shet çdo gjë e gjithkënd, për pushtetin e Xhafallarëve e as Ramallarëve;
As presidenti, që ende nuk ka asnjë fjalë për keqqeverisjen;
Nuk janë garanci për kushtetuetshmërinë e marrëveshjeve ndër-shtetërore!
Edhe sikur të dy këto institucione të ishin 100% qelibar, pran nuk janë garanci në kuptimin Kushtetues!
Kjo garanci sipas Kushtetutes jepet vetëm nga Gjykata Kushtetuese!Si në çdo vend tjetër të botës.
Kujtoj që edhe në shtetin e ri të Kosovës, ishte Gjykata Kushtetuese që i dha garancinë përfundimtare marrëveshjes me Malin e Zi!
Republika e Shqipërisë nuk e jep dot këtë garanci kushtetuese qytetarëve të saj! Kulmi!
Marrëveshja e detit nuk është as kontratë koncensioni e as vendim qeverie që prish e ndreq ndërtesa publike, apo qe pezullon çertifikatat e pronësisë !!!
Nëse duan të bëjnë ndonjë gjë të hajrit, të publikojnë rezultatin e negociatave dhe një hartë që del nga këto.
Të ftojnë opinionin dhe specialistët të japin vlerësimet e tyre, deri sa vendi të ketë një Gjykatë Kushtetuese! Të “përfitojmë” nga kjo gjë absurde!
Ndryshe, çdo gjë tjetër është tradhëti ndaj vendit”, shkruan Manjani.