• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, May 19, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Meta sulmon SPAK: Proces politik për të goditur opozitën, nuk ka asnjë provë kundër meje

by E B
19/05/2026 09:15
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar sërish ndaj procesit penal që po zhvillohet ndaj tij, duke e cilësuar atë si një “operacion politik dhe mediatik” me qëllim goditjen e opozitës dhe pluralizmit politik në vend. Meta pretendon se SPAK nuk ka arritur të provojë asnjë shkelje penale apo administrative ndaj tij, pavarësisht hetimeve që, sipas tij, kanë nisur prej vitit 2018. Ai e konsideron të padrejtë arrestimin e tij në tetor 2024, duke thënë se është përdorur për të krijuar perceptim fajësie në publik.

Një pjesë e deklaratës lidhet me hetimet për kontratat e lobimit të ish-LSI në SHBA, përfshirë “McKeon Group” dhe “GSIS”. Meta thotë se autoritetet amerikane kanë sqaruar se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me pagesa apo kontrata të paligjshme dhe akuzon SPAK për mungesë transparence.

Ai kundërshton edhe akuzat për korrupsion dhe pastrim parash, duke deklaruar se nuk ekziston asnjë provë për përfitime të paligjshme. Meta kritikon gjithashtu ekspertizën financiare dhe pretendon se janë lënë jashtë të ardhura të ligjshme nga karriera e tij shtetërore. Në reagim, ai i referohet edhe vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke argumentuar se procesi nuk garanton një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit është e nevojshme, por nuk duhet të përdoret për qëllime politike.

Reagimi i plotë i Ilir Metës

Që farsa kundër Ilir Metës është një operacion i mirëfilltë kriminal mediatiko-ligjor i orkestruar vetëm për qëllime politike me synim gjymtimin e pluralizmit politik dhe interesave kombëtare, kjo është shumë e qartë. Por tani është koha të fokusohemi te transparenca dhe legjitimiteti i procesit, si interes publik dhe demokratik.

Provokimi terrorist i rrëmbimit të kryer 20 muaj më parë, më 21 tetor 2024, pasi opinioni publik ishte helmuar me një propagandë të shfrenuar për gati 20 vite, synonte të fshihte të vërtetën e madhe se edhe pse veprimet hetimore zyrtarisht kundër Ilir Metës kishin nisur procedurisht që në vitin 2018, duke marrë persona në pyetje për Ilir Metën që ishte President i Republikës, kishte qenë e pamundur të provohej edhe një kundërvajtje administrative apo penale, e jo më vepra të tilla si korrupsioni apo pastrimi i parave.

Por debati u përqendrua te rrëmbimi si për të fshehur dështimin e prokurorëve specialë për të gjetur qoftë edhe një akt të parregullt administrativ të Ilir Metës që nga viti 1992 ashtu edhe pamundësinë për të justifikuar sekuestrimin e një qindarke të paligjshme apo një metër katror pasuri të paluajtshme të pajustifikuar.

Madje rrëmbimi ndodhi pa akuzë formale, por si person nën hetim i dyshuar për disa vepra penale sipas tyre. U hap edhe alibia se prokurorët ishin “mërzitur” me banditin Ilir Proda për mënyrën e arrestimit, pra rrëmbimit, por në 23 tetor 2024, kur u pyetën nga gjyqtari Erion Çela se si ishte kryer arrestimi, ata përmes z. Arben Kraja u përgjigjën: “Sipas ligjit”.

Ndërkohë, një nga akuzat kryesore të pretenduara ishte ajo e lobimit të paligjshëm me “McKeon Group”, që u plasua në ballinën e revistës sorosiste “Mother Jones”, që në vitin 2018 dhe u rifreskua me bujë 4 vite më vonë në ballin e bulevardeskes austriake “Kronen Zeitung”.

Madje për këtë, siç rezulton përpara rrëmbimit tim, kishte ardhur edhe një përgjigje nga Autoritetet Gjyqësore Amerikane në shtator 2024 (para rrëmbimit), që bazuar në portalin FARA vërtetohej se LSI, në fund të prillit 2017, kur unë isha zgjedhur nga Kuvendi në detyrën e Presidentit të Republikës, kisha bërë takime me senatorë dhe kongresmenë përmes “Dorelita”-s, një kompani e një avokati mashtrues greko-amerikan, të cilin unë e kisha denoncuar si të tillë që më 30 janar 2017, siç provohet edhe nga letra zyrtare që Presidenti i “McKeon Group” i dërgon Departamentit të Drejtësisë ku e njofton se marrëveshja që ishte regjistruar në portalin FARA midis tij dhe greko-amerikanit Fidetzis ishte e paligjshme pasi ai nuk kishte patur autorizimin e LSI.

Por çuditërisht pas zgjedhjeve amerikane të 4 nëntorit 2024, i njëjti autoritet gjyqësor amerikan çon brenda 11 ditësh (pra më 15 nëntor 2024) një përgjigje tjetër, ku saktëson kompaninë që kishte bërë pagesën për “Dorelita”, e cila nuk kishte asnjë lidhje me LSI dhe Ilir Metën.

Ky fakt i ri kurrë nuk na u bë i ditur deri në qershor 2025 pasi Edi Rama kishte rrëmbyer 83 mandate deputetësh edhe me ndihmën e Task-Forcës së SPAK-ut. Kjo mungesë transparence dhe neutraliteti ishte dhe mbetet lehtësisht e kuptueshme për çdo njeri që ka dy pare mend në kokë. Pasi rrëzimi i kësaj akuze, jo vetëm vinte në pikëpyetje edhe tërë akuzat e tjera, por mund të përdorej nga ana e jonë si argument për të ndryshuar masën ekstreme të paraburgimit përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Jo vetëm kaq, por çuditërisht edhe gati 2 muaj pasi kishte ardhur përgjigjja shteruese se LSI kishte paguar vetëm 15 mijë dollarë të ligjshme dhe nuk kishte lidhje me marrëveshjen e pavarur që “Dorelita” e Fidetzis kishte me “McKeon Group”, në Prokurorinë e Posaçme, në prani edhe të avokatit tim, z. Genc Gjokutaj, pyetem përsëri për këtë çështje më 7 Janar 2025, ku përgjigjet e mia ishin të njëjta si përpara rrëmbimit dhe siç u saktësua (por pas zgjedhjeve amerikane) nga autoritetet amerikane më 15 nëntor 2024 që nuk na u njoftua kurrë.

Ndërsa kulmi i “paanshmërisë” dhe “neutralitetit” ishte kur na u njoftua akuza si i pandehur, se ky episod kishte rënë.

“Pra u sqarua, – i themi ne, – puna e lobimeve meqënëse rasti i ‘McKeon Group’ ishte i vetmi ku unë isha i përfshirë drejtpërdrejt”.

“Jo, – na thanë, – ra akuza për ‘McKeon Group’, por vazhdon për lobimin me GSIS ku unë nuk kam asnjë nënshkrim, autorizim për pagesë, etj”.

Por më fantastikja është përgjigjja nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA më 15 Korrik 2024 drejtuar Drejtoreshës së Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë këtu, Znj. Alba Thoma, ku e njofton se në vijim të kërkesës për konfidencialitet, më 23 qershor 2024, një Gjykatë në SHBA ka urdhëruar që ekzekutimi nga ana jonë e kërkesës tuaj të trajtohet si konfidenciale dhe e padisponueshme për publikun për 2 vjet. Gjithashtu autoritetet amerikane kanë urdhëruar GSIS që për dy vjet të mos i japë asnjë informacion LSI–së.

Pra me kërkesën e autoriteteve shqiptare, LSI-së duhej t’i ndalohej e drejta për t’i kërkuar informacion kompanisë GSIS për informacionin për të cilin e ka paguar në bazë të një kontrate të ligjshme të regjistruar në SHBA dhe Shqipëri. Mbetet për t’u sqaruar deri në fund kjo kërkesë skandaloze, nëse është bërë vërtet nga Prokurorët e SPAK-ut apo e ka bërë Ulusiu me kokën e vet.

Por të akuzosh një njeri si në rastin Meta, për të cilin nuk ekziston asnjë firmë apo autorizim pagesash si rasti i GSIS dhe t’i pamundësosh atij që për dy vjet të paktën deri më 23 qershor 2026 ta ketë të pamundur të garantojë provat që e shfajësojnë nga akuzat apo që të mos ketë mundësi kontrolli të ligjshmërisë së provave të pretenduara nga akuza, do të thotë të shkatërrosh me vetëdije procesin e rregullt ligjor, pasi synon t’i heqësh të drejtën e mbrojtjes efektive dhe provimit të pafajësisë të akuzuarit, ndërkohë që nuk je në gjendje vetë si organ i akuzës të provosh fajësinë, pra që Ilir Meta ka shkelur kontratën GSIS – LSI, e cila është shumë precize, apo që Ilir Meta të ketë patur dijeni për pagesa të parregullta nga LSI për GSIS.

Ky arbitraritet i pashëmbullt procedural dhe institucional është i orkestruar, pasi ata e dinë shumë mirë se me kontratën e nënshkruar më 3 shkurt 2016 midis LSI e GSIS është tërësisht e verifikueshme përgjegjësia e çdo personi në LSI, të cilit i janë dërguar faturat nga GSIS dhe po kështu personi në LSI që ka autorizuar çdo pagesë për GSIS. Dy mbeten mundësitë kryesore të këtij bllokimi arbitrar.

Varianti i parë është që persona të caktuar në LSI të kenë bërë veprime të parregullta pa dijeninë e Ilir Metës dhe tani përmes mungesës së transparencës janë marrë në mbrojtje nga SPAK-u që të punonin për PS në 11 Maj 2025. Varianti i dytë është që marrëveshja e 3 shkurt 2016 të jetë modifikuar me pëlqimin e dy palëve, por absolutisht pa dijeninë e Ilir Metës dhe mbahet e fshehtë.

Natyrisht, që ekziston edhe një variant i tretë që thjesht kemi një bllof të prokurorëve në bashkëpunim me kolegët e McGonigalit në Departamentin e Drejtësisë që mund të kenë mbetur ende në zyra nga ana tjetër e oqeanit. Sidoqoftë, me durim dhe vendosmëri gjithçka do të dalë në dritë të diellit, por kjo mungesë transparence cenon edhe besimin në asistencën ndërkombëtare e sidomos amerikane në luftën kundër korrupsionit.

Është i provuar angazhimi i Charles McGonigal në manipulimin e institucioneve amerikane për t’i përdorur kundër drejtuesve të opozitës në vitet 2017–2020 dhe në veçanti kundër Presidentit të Republikës të asaj kohe, Ilir Meta.

Por të hysh në procesin e gjykimit në themel pa patur të drejtën të kesh provat që provojnë pafajësinë tënde është kulmi i arbitraritetit procedural dhe instalimi i një diktature penale të papranueshme. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen “Bykov kundër Rusisë” ka theksuar se: “Ligjshmëria e provës është element thelbësor i drejtësisë së procesit”.

Kjo mungesë transparence në rastin e marrëveshjes GSIS – LSI, jo vetëm pamundëson individualizimin e përgjegjësisë penale (nëse ka paligjshmëri), por pamundëson në rastin tim garantimin e mbrojtjes efektive edhe pse statuti i LSI e përjashtonte rolin e Kryetarit të LSI për shpenzimet financiare të LSI, që bëheshin me vendim Kryesie. Po kështu, përgjegjësia penale është personale dhe nuk mund të kolektivizohet procedurialisht.

Duke qenë se nuk kemi të bëjmë me një marrëveshje Meta–GSIS, por LSI–GSIS, është përgjegjësi e PL (LSI), të insistojë pranë autoriteteve amerikane që të mos manipulohen në zbardhjen e kësaj çështje deri në fund dhe sa më parë.

Njëanshmëria ekstreme e prokurorëve të çështjes ka kaluar çdo kufi në abuzimin me letërporositë e dërguara në SHBA (dhe jo vetëm) siç më flagrante është ajo e 11 mars 2025 ku u raportohet autoriteteve amerikane se ishte provuar që unë kisha përdorur 3 karta bankare amerikane.

Ndërkohë që më vonë autoritetet amerikane sqaruan se unë as nuk kisha përdorur karta të tilla dhe as nuk kisha qenë prezent në ato shtete kur ishin përdorur kartat.

Ndaj jo rastësisht “shorti” për seancën e gjykimit paraprak i ra znj. Irena Gjoka, e cila ishte nën hetim, dy herë në konflikt interesi dhe pamundësi për të pushuar akuzat inekzistente për mua apo për t’i detyruar prokurorët të bënin veprimet hetimore që me vetëdije i kishin shmangur, siç ishte edhe marrja në pyetje e shtetasit shqiptaro–amerikan, i cili përmendet 300 herë në akuzë.

Shpikja e akuzave për korrupsion dhe pastrim parash për mua është bërë vetëm për të justifikuar rrëmbimin dhe paraburgimin tejet absurd, kur hetimet janë mbyllur prej 11 muajsh. Në çështjen “Ilijkov kundër Bullgarisë”, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar se: “Rëndësia e akuzës nuk mjafton në vetvete për të justifikuar masën më të rëndë të sigurimit”.

Po kështu, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen “Buzadji kundër Moldavisë” ka përcaktuar se: “Me kalimin e kohës, barra për justifikimin e kufizimit të lirisë bëhet gjithnjë e më e rëndë për autoritetet”.

Ndërkohë që akuza për korrupsion ndaj meje është inekzistente sepse për ekzistencën e figurës së korrupsionit kërkohet:

ekzistenca e një veprimi ose mosveprimi konkret funksional;

lidhja shkakësore midis funksionit publik dhe përfitimit të pretenduar;

marrëveshje korruptive;

përfitim i paligjshëm i provuar.

Në rastet e pretenduara:

nuk evidentohet asnjë akt konkret administrativ apo funksional i kryer në këmbim të një përfitimi;

mungon lidhja direkte midis funksionit publik dhe përfitimit të pretenduar;

nuk provohet ekzistenca e një marrëveshjeje korruptive;

nuk ka prova direkte mbi shkëmbimin “favor publik–përfitim privat”.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen “Kokkinakis kundër Greqisë” ka përcaktuar se: “Ligji penal duhet të jetë i parashikueshëm dhe i qartë”.

Sepse në mungesë të elementëve konkretë të figurës së veprës penale, procedimi penal nuk mund të mbështetet mbi:

perceptime,

deduksione politike,

interpretime të zgjeruara,

hipoteza mediatike.

Edhe vetë Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë ka theksuar në jurisprudencën e saj se: “Përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të mbështetet mbi prezumime apo deduksione abstrakte”. Po kështu, edhe për akuzën e “pastrimit të produktit të veprës penale” nuk ekziston asnjë element i saj. Figura e pastrimit të produktit të veprës penale kërkon:

ekzistencën e një vepre penale bazë;

identifikimin e produktit kriminal;

dijeninë mbi origjinën kriminale;

qëllimin për fshehje ose legalizim.

Në rastin tim:

nuk është provuar ekzistenca e një vepre penale bazë;

nuk është individualizuar produkti kriminal;

mungon prova mbi dijeninë dhe qëllimin kriminal.

Ekspertiza ime financiare është bërë nga një punonjëse e SPAK-ut, e cila jo vetëm është në konflikt interesi, por nuk ka përfshirë të ardhurat e mia të ligjshme që nga viti 1992 deri në vitin 2002. Pra pagat e mia si deputet, sekretar shteti, zëvendëskryeministër, kryeministër dhe ministër i jashtëm nuk janë marrë parasysh, duke dhënë një rezultat të deformuar.

Ndërkohë që ekspertiza që unë kam dorëzuar, e bërë nga ekspert i licensuar nga Ministria e Drejtësisë, dëshmon për një tejkalim të konsiderueshëm të të ardhurave të ligjshme në raport me shpenzimet. Pra shumë qartë, prokurorët në pamundësi që të siguronin një vepër penale, sajojnë një ekspertizë për të nxjerrë një “deficit”.

Mjafton të bësh një ballafaqim midis përmbajtjes së seancës paraprake dhe vendimit të gjykatës për të parë ndryshimin e qëndrimit. E njëjta gjykatë që fillimisht dukej e balancuar, më pas ka marrë një qasje të njëanshme në kalimin e çështjes për gjykim.

Prokurorët nuk guxuan të referonin një intervistë të Elvis Mataj me Artan Hoxhën në 2015 si provë e rregullt ligjore. Elvis Mataj më pas ka mohuar këtë intervistë në të gjitha deklarimet para SPAK-ut. Po kështu, ajo bie në kundërshtim me deklarimet e tij ndër vite dhe me dëshmitë e dhëna në Arbitrazhin e Vjenës. Po kështu, e-mailet e tij të prillit 2014 tregojnë qartë strukturën e marrëveshjeve CEZ–DIA dhe rolin e kompanive të përfshira.

Këtë qëndrim e mbështet edhe dëshmia e Josef Hejsek në vitin 2011. Prokurorët u detyruan ta paraqisnin provën vetëm gjatë seancës paraprake pasi kuptuan se pala mbrojtëse e dispononte. E gjithë çështja është ndërtuar mbi manipulime, fshehje provash dhe perceptim publik të krijuar paraprakisht. Në mungesë të një fakti penal apo administrativ në 33 vite karrierë publike, procedimi bie në kundërshtim me standardet e procesit të rregullt ligjor.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka theksuar vazhdimisht nevojën për:

standard të lartë procedural;

proporcionalitet;

neutralitet institucional;

gjykim të bazuar vetëm në prova.

Drejtësia duhet mbrojtur nga çdo ndikim politik apo perceptim i tillë. Në një shoqëri demokratike lufta kundër korrupsionit nuk mund të përdoret kundër pluralizmit politik. Dhe ky përfundim parandalohet vetëm përmes transparencës dhe legjitimitetit të procesit.

Next Post
Putin: Marrëdhëniet Rusi-Kinë po stabilizojnë botën, po bashkëpunojmë për paqen

Putin: Marrëdhëniet Rusi-Kinë po stabilizojnë botën, po bashkëpunojmë për paqen

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Pas largimit të Sylvinhos, zbulohet emri i trajnerit të ri të Kombëtares Shqiptare

Pas largimit të Sylvinhos, zbulohet emri i trajnerit të ri të Kombëtares Shqiptare

May 19, 2026
Vrau dy vëllezërit shqiptarë dhe një vajzë në Belgjikë, arrestohet autori pas 30 vitesh (Emri)

Vrau dy vëllezërit shqiptarë dhe një vajzë në Belgjikë, arrestohet autori pas 30 vitesh (Emri)

May 19, 2026
CNN: Fondi i Trump për “të dëmtuarit nga Biden”, simbol i një presidence të paturpshme

CNN: Fondi i Trump për “të dëmtuarit nga Biden”, simbol i një presidence të paturpshme

May 19, 2026
Putin: Marrëdhëniet Rusi-Kinë po stabilizojnë botën, po bashkëpunojmë për paqen

Putin: Marrëdhëniet Rusi-Kinë po stabilizojnë botën, po bashkëpunojmë për paqen

May 19, 2026
Meta sulmon SPAK: Proces politik për të goditur opozitën, nuk ka asnjë provë kundër meje

Meta sulmon SPAK: Proces politik për të goditur opozitën, nuk ka asnjë provë kundër meje

May 19, 2026
Nafta bie në tregjet globale pas vendimit të Trump për të shtyrë sulmin ndaj Iranit

Nafta bie në tregjet globale pas vendimit të Trump për të shtyrë sulmin ndaj Iranit

May 19, 2026
Sondazhi: 53.5% e shqiptarëve besojnë në anëtarësimin në BE deri në 2030, rritje për PS në 45%

Sondazhi: 53.5% e shqiptarëve besojnë në anëtarësimin në BE deri në 2030, rritje për PS në 45%

May 19, 2026
Salianji vijon turet nëpër qytetet e Shqipërisë, ish-deputeti njofton takimin me demokratët e Vlorës

Salianji: Berisha është pengesë për fitoren e PD-së, duhet ndryshim i lidershipit

May 19, 2026
SHBA-ja do që ta ndryshojë hartën energjetike të Ballkanit

SHBA-ja do që ta ndryshojë hartën energjetike të Ballkanit

May 19, 2026
Sylvinho largohet nga Kombëtarja

Sylvinho largohet nga Kombëtarja

May 19, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In