Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është ndalur ditën e shtunë në një takim me strukturat e partisë së tij në Gjirokastër. Ai deklaroi para mbështetësve se palët politike duhet ti japin fund politikës konfliktuale, pasi ajo sipas tij dëmton interesat e vendit. Meta tha se LSI është një forcë e cila mbështetet tek interesat e qytetarëve në punën e saj.
“Forcimi i LSI është kontribut për stabilitetin politik në vend. Me këtë frymë bashkëpunimi, me këtë barazi gjinore dhe me këtë organizim do të arrijmë të marrim rezultate më të mira në të ardhmen. LSI fuqinë e saj e ka te njerëzit, duke u lidhur gjithnjë e më shumë me qytetarët, dhe duke luftuar çdo ditë për t’i zgjidhur hallet dhe jo për t’i shtuar ato. LSI është një forcë që punon për konsensus dhe bashkëpunim. Duke realizuar reformat do t’i shërbejmë qytetarëve. Klima politike konfliktuale dhe mosbesuese s’i shërben vendit. Duhet të fokusohemi tek hallet dhe problemet e qytetarëve. LSI ka një axhendë që ndihmon qytetarët. Ky është një vit zgjedhor për LSI. Kjo rritje nuk duhet të na bëjë euforik por kjo duhet t’i kthehet qytetarëve si shërbim ndaj tyre si shenjë respekti dhe besimi që patën tek ne”, u shpreh Meta.









